Patogjenët ambientalë paraqesin një kërcënim konstant për të gjitha fermat, pavarësisht nga përmasat e tyre. Aftësia e tyre për t’i lënë shteg mastiteve është në funksion të faktorëve të ndryshëm mbarështimor. Këta faktorë lidhen me klimën e stallës, me mënyrën e mbajtjes (të lidhur apo të lirë), me llojin e shtresës së përdorur, me densitetin e tufës, me frekuencën e pastrimit të ambienteve, etj. Në vlerësimin e “gjendjes” së ambientit nuk është shumë e rëndësishme të sugjerosh zgjidhje shpesh të vështira ose të pamundura për t’u arritur, kur mund të adaptosh kushtet ekzistuese dhe të përmirësosh kushtet e mbarështimit. Kontrolli i faktorëve ambientalë duhet të bazohet jo vetëm në reduktimin sa më të madh të kontaminimit bakterial të thithës, por edhe në mjeljen e lopëve me gjire sa më të pastra.
Faktorët ambientalë kryesorë që kontribuojnë në rritjen e incidencës së mastitit janë:
· Mënyra e mbajtjes së lopëve në stallë.
Kontakti i ngushtë midis lopëve rrit rrezikun e kontaminimit fekal dhe të dëmtimeve traumatike të thithës.
· Niveli i lagështisë.
Lagështia e rritur sjell një shumim më të madh bakterial dhe një rrezik më të madh të përhapjes së infeksioneve nëpërmjet feçeve. Një faktor ambiental, me rrezik për kontaminimin e thithave të gjirit të lopëve nga patogjenë ambientalë, është mbajtja e lidhur e lopëve në tufë. Ky rrezik është veçanërisht i zhvilluar:
Ø Gjatë mjeljes, kur goditjet mbi majën e thithës prodhojnë një fluks prapakthyes të qumështit në kanal (papilor); megjithatë një përgatitje e përshtatshme e gjirit në paramjelje ndihmon për kapërcyer këtë rrezik.
Ø Në 30 minutat e para pas mjeljes, para se sfinkteri i thithës të rimbyllet plotësisht.
Të tjerë faktorë ambientalë mund të ndikojnë në infeksionin e gjirit në mënyrë më pak indirekte, si:
· Stalla të tejmbushura dhe shtretër (vendqëndrime) të papërshtatshëm, mund të shkaktojnë dëmtime traumatike të thithave të gjirit.
· Konsumi i racioneve ushqimore që çon në bërjen e feçeve me konsistencë të butë (të lëngëshme) duke rritur rrezikun e kontaminimit të thithave.
· Ekspozimi i lopëve në të ftohtë dhe në korente ajri, sidomos kur thithat janë të lagështa, mund të çojë në dëmtime të lëkurës së thithës dhe në shfaqjen e plasaritjeve. Kjo do të rriste rrezikun e infektimit nga Staph. aureus dhe Strept. dysgalactiae.
· Një mjedis i papërshtatshëm, psh. futja e një mëshqere në një box të tejmbushur ose vendosja në një shtrat të papërshtashëm, do të sillte një stres të fortë për kafshën duke favorizuar shfaqjen e infeksionit.
Sfidat e së ardhmes
Reduktimi i rrezikut tw infeksionit nga mastiti përfaqëson një sfidë konkrete për veterinarinë.
Është e domosdoshme të mbahen në nivel optimal të gjithë parametrat në stallë. Sistemet për monitorimin e mastitit dhe cilësisë së qumështit si dhe mjelja mekanike, përfaqësojnë sfida të reja teknologjike. Të tjera sfida lindin nga nevoja për të kuptuar gjithmonë e më mirë mekanizmat patogjene dhe epidemiologjike të mastitit dhe faktorët që modulojnë përgjigjet imunitare të gjedhit, për të ndërhyrë që të rrisim aftësinë mbrojtëse të gjirit. Për shembull, nga totali i mastiteve
të shkaktuara nga Koliformet, më pak se 10 % e infeksionit, në periudhën e tharjes evolon në mastit klinik. Me fjalë të tjera, mbi 90 % e të gjithë infeksioneve nga Koliformet shkojnë drejt vetëshërimit dhe kjo si pasojë e mbrojtjes imunitare.
Edhe epidemiologjia e mastitit po ndryshon.
Në shumë raste Strep. uberis, në mbarështimin e gjedhit, përfaqëson tani formën më të përgjithshme të mastitit klinik të rikthyeshëm. Ai (strep. uberis) që konsiderohej një mikroorganizëm ambiental aksidental, tani tregon që ka aftësi si kontagjioze edhe ambientale.
Përsa i përket E. Coli, 10 % e rasteve klinike nga Koliformet janë infeksione kronike persistente dhe infeksione të periudhës së tharjes, që zhvillohen në mastite klinike nga fillimi deri në gjysëm të laktacionit. Mastiti nga specie të Pseudomonias po bëhet mbizotërues në stallë, në mënyrë të shpejtë. Ndërsa vwrehet pakësimi i infeksioneve nga Stp. aureus, infeksionet nga stafilokokët koagulozë negativë (CNS) janë në rritje, në zhvillim dhe në disa raste evolojnë në infeksione klinike. Shkaktarët CNS, konsiderohen si shkaktarë të infeksionit subklinik naë mushqerat barsa.
Nga Natalia Shoshi