Agjencia Kombëtare e Pyjeve organizoi sot në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës aktivitetin përfundimtar për prezantimin e rezultateve të Inventarit Kombëtar të Pyjeve dhe Kullotave në Shqipëri. Ky seminar kombëtar u zhvillua në kuadër të prezantimit të rezultateve të IKPK- së 2018, vazhdimësia dhe qëndrueshmëria e procesit. Në të morën pjesë përfaqësues të MTM, të BB-së, të AKP-së, AKZM-së, Rektori, dekanë e pedagogë të FSHP/UBT-së, specialistë të huaj e shqiptarë për pyjet etj.
Ish-Drejtoria e Pyjeve në AKM (sot pjesë e Agjencisë Kombëtare të Pyjeve), në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në kuadër të Projektit të Shërbimeve Mjedisore ka realizuar grumbullimin e informacionit dhe prodhimin e rezultateve të IKPK 2018, mbështetur teknikisht nga konsulenca Suedeze (Universiteti Bujqësor i Uppsala, Agjencia Suedeze e Pyjeve) dhe Fakulteti i Shkencave Pyjore, Tiranë. Seminari pati si qëllim njohjen e aktorëve kryesorë të interesuar me rezultatet përfundimtare të Inventarit Kombëtar të Pyjeve dhe Kullotave 2018.
Në fjalën e tij të përshëndetjes, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucionit që ai drejton se UBT do të mirëpresë gjthmonë aktivitete të tilla në dobi të të gjithëve dhe se stafi i këtij universiteti është gjithmonë i gatshëm për bashkëpunime, veçanërisht me aktorë që luajnë një rol esencial në jetën e çdokujt.
Sipas tij masat e mara nga qeveria shqiptare për sektorin pyjor kanë qenë efektive dhe kjo vihet re nga të dhënat më të fundit të inventarizimit kombëtar të pyjeve, megjithatë mbetet ende shumë për të bërë në këtë drejtim, pasi çështjet mjedisore zënë një vend shumë të rëndësishëm në sektorin bujqësor.
Duke qenë se UBT, sipas rektorit Sallaku, është i lidhur ngushtësisht më sektorin pyjor, ashtu sikundër edhe me sektorë të tjerë të rëndësishëm të bujqësisë, ai tha së ky institucion është gati jo vetëm për të dhënë kontribut real për veprimtari të tilla, por edhe të jetë një partner i rëndëishëm i qeverisë dhe aktorëve të tjerë të interesuar për nismat që do të ndërmerren për sektorin pyjor në vend.
Në fjalën e tij, Prof. Sallaku sugjeroi se Shqipëria duhet të ndërmarrë një aksion të madh për pyllëzimin dhe rritjen e sipërfaqeve të gjelbërta.
Ndërkaq zv/ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Almira Xhembulla në fjalën e saj foli për rëndësinë që ka Inventarizimi Kombëtar i Pyjeve dhe Kullotave në vend dhe se evidencat janë çelësi për t’i drejtuar pyjet drejt zhvillimit të qëndrueshëm. Sipas saj inventarizimi i pyjeve ka shumë rëndësi pasi siguron informacionin më të fundit dhe më të saktë të burimeve pyjore me qëllim menaxhimin e qëndrueshëm të tyre; mbledhja e informacioneve ka për qëllim vendosjen e standarteve të unifikuara dhe gjithashtu inventari i pyjeve siguron ndihmon vendim-marrësit e niveleve të ndryshme në hartimin e politikave më të drejta, planifikimin strategjik, në veprimet operacionale dhe monitorimin e kushteve aktuale të pyjeve.
Më tej zv/ministrja Xhembulla theksoi se pyjet janë shumë të rëndësishëm dhe jetësore për ekosistemet botërore duke kontribuuar për zhvillimin e ekonomive të gjelbra, lëndës drusore, për ushqim, ngrohje e mjekime për më shumë se1/3 e popullsisë në botë. Po sipas saj pyjet janë sistemi bazë mbështetës i jetës tonë ndaj duhet patur gjithmonë kujdes të veçantë për to.
I pranishëm në këtë event të rëndësishëm, dekani i Fakultetit të Shkencave Pyjore, Leonidha Peri shprehu gjithashtu gatishmërinë e këtij fakulteti për të kontribuuar seriozisht në zhvillimin e sektorit të pyjeve dhe kullotave, si në rastin e bashkëpunimit me me MTM dhe AKP për realizimin e Inventarit Kombëtar të Pyjeve. Ai shprehu kënaqësinë që Banka Botërore pranoi propozimin e FSHP kur u hartua projekti që inventari të realizohej sipas qasjes ‘’learning by doing’’, qasje e cila sipas Perit siguron më mirë rritjen e kapaciteteve institucionale.
Ai shtoi se FSHP dha një kontribut të shquar në proces duke realizuar studimin për hartimin e ekuacioneve të volumit për një specie pyjore pilot siç ishte Bredhi i Maqedonisë.
Sipas Inventarit Kombëtar të Pyjeve në Shqipëri IKPK-2018 është konkluduar se Shqipëria ka rreth 2/3 e territorit të mbuluar me pyje e kullota; vendi ynë është i pajisur me pyje të rinj që shihen si potencial për rritjen e përfitimeve mjedisore dhe ekonomike në të ardhmen; realizimi i IKPk-së sipas kuadrit ligjor siguron të dhënat e vazhdueshme në aspektin kohor për hartimin e strategjive dhe politikave të zhvillimit të sektorit të pyjeve dhe kullotave në Shqipëri dhe se qëndrueshmëria e procesit të IKKP-së kërkon krijimin e një strukture të përhershme për kryerjen e inventarit.