A mundet një qen të dallojë ngjyrat?

A jeni bërë kurioz ndonjëherë se çfarë ngjyrash shikon qeni juaj? Më herët shumica e veterinerëve mendonin se qentë shikonin bardhë e zi dhe në fakt, shumica prej nesh mendojnë ende se qentë nuk mund t’i shikojnë ngjyrat. Por kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë.

Qentë kanë një spektër vizioni ku ata mund të shohin hijen e blusë, të verdhës dhe grisë. Por ndërkaq nuk mund të krahasohet vizioni i tyre me atë të njeriut, sepse njerëzit shikojnë një spektër më të gjerë ngjyrash.

Kuptimi i shikimit të qenit

Për shkak të disa arsyeve biologjike që qentë kanë dhe një karakteristikë e tillë i referohet faktit se ato kanë vetëm dy tipe të qelizave të receptorëve të ngjyrës, krahasuar me njeriun që ka tre, bota e një qeni është kryesisht më pak e ndritshme sesa e njeriut. Ngjyrat që qentë shohin, i ngjajnë disi botës ku vetëm bluja dhe e verdha përjashtohet dhe pjesa tjetër e saj është grija. Megjithëse ka ndryshime në hijen e grisë, të verdhës dhe blusë, shikimi i tyre nuk është i aftë të perceptojë të kuqen, lejlanë, rozën dhe jeshilen. Ata kanë një shikim dikromatik që i lejon të shohin vetëm tre ngjyra.

Sidoqoftë, nuk duhen nënvlerësuar aftësitë e tyre, përkundrazi, qentë kanë aftësi më të mirë të shohin gjërat në errësirë dhe janë të aftë të zbulojnë lëvizjen më lehtë sesa njeriu. Përveç kësaj, qentë janë më efikasë në kuptimin e hijeve të ndryshme të grisë. Fusha e tyre e gjerë e shikimit i lejon ata të shohin gjëra (objekte) në 240 gradë,  krahasuar me këndin 180 gradë tek njeriu.

 

Dr. Gerta Dhamo
Departamenti i Moduleve Klinike, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.

Na Ndiqni në: