Leguminozet, batha kokërr dhe kashta e saj si një burim ushqimi alternativ për ripërtypësit.

Leguminozet, batha kokërr dhe kashta e saj si një burim ushqimi alternativ për ripërtypësit.

Legumet njihen për vetitë e tyre ushqyese por gjithashtu edhe për përmbajtjen e komponimeve funksionale të cilat mund të çojnë në përmirësimin e shëndetit përveç funksionit normal të të ushqyerit. Batha kokërr përfaqëson pjesën më të madhe të ushqimeve leguminoze dhe përbën një burim të madh proteinash, energjisë dhe mineraleve. Nisur nga këto fakte, ajo ka përdorim të gjerë në të ushqyerin e njerëzve e sidomos në Lindjen e Mesme, por gjithashtu edhe në të ushqyerin e kafshëve. Legumet (familja: Fabaceae) renditen në vend të dytë si bimët me rëndësi më të madhe nutricionale si për njerëzit ashtu edhe për kafshët. Legumet njihen për përmbajtjen e tyre jo vetëm të nutrientëve por gjithashtu edhe të komponimeve funksionale, të cilat mund të ndikojnë në përmirësimin e shëndetit përveç funksionit normal si ushqyes të organizimit. Megjithatë kërkimet shkencore duhet të fokusohen mbi biodisponibilitetin e mikronutrientëve dhe bioefektivitetin e jo-nutrientëve, në rritjen e rolit të bimëve leguminoze si ushqime funksionale dhe në konfirmimin e rolit të tyre si bimë që përmirësojnë shëndetin dhe parandalojnë sëmundje të ndryshme. Përveç faktit se bimët leguminoze janë një burim i shkëlqyer i proteinave, ato gjithashtu janë të pasura në minerale dhe elementë gjurmë si magnez, kalium, kalcium, hekur, zink dhe bakër. Disa nga këta elementë shtesë si hekur, zink dhe bakër, luajnë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e shëndetit, si për shembull ruajtjen e integritetit të mukozës gastrointestinale dhe përmirësimin e reagimit imun ndaj infeksioneve. Proteinat e kokrrave të leguminozës, veçanërisht kokrrat e sojës, kanë demostruar një rol të rëndësishëm në reduktimin e kolesterolit të pranishëm në organizëm duke përbërë komponentë të fuqishëm bioaktivë. Kërkime dhe shumë studime të kohëve të fundit, kanë nënvizuar për të disatën herë një sërë vetish që kanë bimët leguminoze në rritjen dhe përmirësimin e shëndetit dhe njëkohësisht një sërë kërkimesh të tjera po kryhen mbi bioaktivitetin e këtyre bimëve. Komponimet fenolike të tyre, duke përfshirë këtu kategorinë e flavonoideve, janë studiuar gjerësisht. Të dyja grupet si polifenolet me polimerizim të lartë, që janë taninat ashtu edhe polifenolet me peshë molekulare më të vogël (acidet fenolike, flavonoidet) kanë rezultuar të jenë të pranishme. Për një numër të madh të fenoleve, është gjetur një lidhje e fortë e tyre me proteinat e pranishme në kokrrat e legumeve, por janë të nevojshme të ndërmerren studime të mëtejshme mbi aktivitetin e komponimeve fenolike jo-nutritivë të pranishëm në to. Gjithsesi, ekziston informacion i mjaftueshëm shkencor për të rekomanduar rritjen e konsumit të bimëve leguminoze të pasura me komponime bioaktive që përmirësojnë shëndetin edhe mirëqënien e organizmit.

Në Shqipëri batha kokërr potencialisht mund të jetë një burim alternativ proteinik i rëndësishëm në të ushqyerit e monogastrikëve dhe ripërtypësve. Megjithatë, batha kokërr përmban një numër metabolitësh sekondarë siç janë komponimet fenolike të cilat për vite me radhë janë konsideruar si antiushqyesë, por një sërë studimesh të mëvonshme kanë shfaqur efektet e tyre pozitive në organizmin e kafshëve duke i konsideruar ata si mikroushqyes (Manach, Scalbert et al, 2004; Pandey and Rizvi, 2009; Scalbert, Johnson et al, 2005; Prasad, 2015; Benkeblia, 2012). Interesi për identifikimin dhe sasinë e komponimeve fenolike të pranishme tek batha është rritur duke u nisur nga efektet e tyre biologjike pozitive në shëndet (Vinson, Jang et al, 1995). Për më tepër, aktiviteti antioksidant i komponimeve fenolike, ka vetinë që të parandalojë disa sëmundje dhe të përmirësojë performancën prodhuese të kafshëve (Kahkonen, Hopia et al, 1999; Miller, Rigelhof et al, 2000). Batha kokërr ka përmbajtje më të ulët të proteinës, metioninës dhe cisteinës në krahasim me sojën, por përmbajtje më të lartë të lizinës dhe amidonit (Palander, 2006) dhe degradim ruminal më të lartë të proteinës (Goelema, 1998). Disa studime kanë treguar efektet pozitive të përfshirjes së bathës kokërr në dietën e lopëve (Mordenti, 2007) dhe dhenve (Liponi, 2009). Vlerat ushqyese të saj kanë shfaqur variacion më shumë si pasojë e kultivarit sesa nga metodat e kultivimit të tyre (Bjerg, 1988).

 

Nertila Dalipaj
Dep. I lendeve paraklinike, FMV

 

Na Ndiqni në: