cocoparisienne - www.pixabay.com

Kultura e ullirit në Belsh dhe disa këshilla për kultivuesit e kësaj kulture

Bashkia Belsh ka një sipërfaqe toke prej 21.5000 ha në total dhe 3% të saj e zënë 85 liqenet karstike, megjithatë aktiviteti kryesor i banorëve të kësaj bashkie është bujqësia. Vlen të përmendet se disa nga kulturat kryesore bujqësore të mbjella në Belsh janë: ulliri, vreshtaria, bimët medicinale, duhani, gruri etj, por vitet e fundit duket se kultura e ullirit është ajo që zë vendin kryesor dhe është kultura kryesore e ekonomisë bujqësore për shumë familje dhe fermerë të Belshit. Sipas statistikave të zonës, ulliri kultivohet nga rreth 5748 familje, në një sipërfaqe prej 1820 ha në të gjithë bashkinë. Po sipas të dhënave zyrtare rezulton se janë mbjellë rreth 623 420 rrënjë ullinj në të gjithë bashkinë Belsh.

Ndër fshatrat që kanë më shumë sipërfaqe të mbjellë me ullinj janë Hardhiasi dhe Çerraga, fshatra të njësisë administrative Fierzë dhe me mbi 45 000 rrënjë të mbjella.

Përpos problematikave që paraqesin kultivarë të ndryshëm, stina e nxehtë dhe thatësira e tejzgjatur që ka prekur vendin, kanë shtuar edhe më tepër problemet për bimën e ullirit duke i shkaktuar gjendje stresi.

Edhe pse ulliri është një ndër kulturat drufrutore që i reziston më shumë kushteve të thatësirë, në kushtet aktuale atmosferike dhe në situata si këto që po përjetojmë, me temperatura shumë të larta në mbi 40 gradë Celcius dhe me mungesa të theksuara të reshjeve të shiut, sigurisht duhet trajtuar me kujdes dhe kërkon vëmendje të veçantë. Për këtë kulturë duhet menduar e vepruar sa më shpejt me ujitje sipas mundësive dhe është i nevojshëm përdorimi i metodave alternative si proçesi i mulçirimit. Kjo metodë konsiston në punimin dhe të mbajturit të pastër nga barishtet e egra dhe mbulimin e të gjithë nënkurorës së ullirit me bimësi spontane të korrur. Ekspertët sugjerojnë se është mirë që të krijohet një shtresë me barishte 15 deri në 20 cm trashësi.

Përsa i përket mizës së ullirit (një ndër problemet kryesore të ullirit) është mirë të mos shqetësoheni në këtë periudhë pasi ky dëmtues është i pranishëm në ullishtet tona por ka ndërprerë aktivitetin biologjik.

Kujdesuni për vaditjen e ullishteve të vitit të parë dhe të dytë sepse pa i vaditur jo më pak se 2 herë gjatë gushtit do të keni tharje të fidanëve.

 

Denis Agolli
Drejtor i Bujqësisë dhe Kadastrës në bashkinë Belsh

Na Ndiqni në: