Kultivues të ullirit, është koha për të përdorur grackat ekologjike (Eco-Trap) për kontrollin e mizës së ullirit (Bactrocera oleae).

Vitet e fundit në mjaft vende që kultivojnë ullirin ka filluar të përdoret një teknikë e re për kontrollin e mizës ullirit duke realizuar kapjet masive të këtij dëmtuesi. Qëllimi i kësaj metode është të eliminojë insektet e rritura të mizës dhe kryesisht femrat duke reduktuar në këtë mënyrë vendosjen e vezëve dhe duke parandaluar infeksionet.

Metoda konsiston në vendosjen në ullishte, të grackave të cilat përmbajnë insekticide. Këto gracka janë të përbëra nga një qese me madhësi 15×20 cm të mbushura me karbonat amoni (ushqyes tërheqës për mizën e ullirit) si dhe të pajisura me një kapsulë e cili përmban ferromon seksual për tërheqjen e dëmtuesit. Mizat e tërhequra në këtë mënyrë bien në kontakt me insekticidin dhe ngordhin. Në ullinjtë me kurorë jo të madhe rekomandohet të bëhet vendosja e grackave (Eco-Trap) 1 për çdo 2 pemë duke ulur në mënyrë të ndjeshme edhe koston e përdorimit të tyre. Në pemë ulliri me kurorë të madhe rekomandohet 1 qese Eko-Trap/pemë.

Kjo metodë kontrolli është e përshtatshme për ruajtjen e  mjedisit dhe rekomandohet të përdoret kryesisht në ullishtet të cilat do të drejtohen nga bujqësia biologjike.

Dinamika e popullatës së mizës së ullirit dhe agresiviteti i saj është në korelacion të ngushtë me faktorët:

  • klimatikë
  • temperaturë
  • lagështi

Kështu, gjatë muajit qershor dhe korrik në kushtet e vendit tonë temperaturat janë të larta dhe ndikojnë në frenimin e dinamikës së dëmtuesit. Temperaturat më të larta se 32o C shkaktojnë një mortalitet të konsiderueshëm të larvave, ndërprerje të aktivitetit riprodhues të insekteve të rritura si dhe zhvillimit të vezës.

Vëmendje të veçantë duhet t’i kushtohet duke filluar që nga ditët e para të muajit gusht e në vazhdimësi.

Kur dhe si duhet të instalohen grackat ekologjike (kurthet Eco-Trap)?

Qeset Eco-Trap duhet të vendosen në mesin e kurorës  së ullirit në një lartësi rreth 2 metra. Është mirë që ato të vendosen në hije, në anën jug – perëndimore të ullirit duke evituar rënien direkt të rrezeve të diellit.

Kurthet nuk duhet të jenë në kontakt me degëzat, gjethet ose frutat e ullirit.

Me qëllim që të realizohet një shpërndarje optimale e substancave tërheqëse, në fazën e instalimit të kurtheve në fushë, është e nevojshme që me anë të një teli ose gjilpëre të bëhet një vrimë e vogël me diametër 1mm në kapsulën me ferromon (pa e shpuar kapsulën në të dy anët). Dy vrima hapen gjithashtu në pjesën e sipërme të qeskave të mbushura me kripën e amonit duke i shpuar ato në të dy anët. Në varësi të kushteve klimatike efekti i Eco-Trap zgjat rreth 2-3 muaj.

Koha më e përshtatshme është fundi i gushtit deri në ditët e para të shtatorit.

Kujdes:

  • Të hapen dy vrima në pjesën e sipërme të qeskës në të dyja anët
  • Mos harroni të shponi me një tel të hollë kapsulën e ferromonit në njërën anë.

Demostrim fushor për luftën biologjike ndaj mizës së ullirit


 

Prof. Dr. Shpend Shahini
Përgjegjës i Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: