Kontributi i Evropës në plastikën e oqeaneve

(Në këtë studim rajonal të publikuar në Nature Sustainability, kontributi është dhënë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës)

Në studimin e ri publikuar në prestigjiozen e portofolit “Nature” (Nature Sustainability) del qartë se vendet me ekonomi të zhvilluara renditen midis kontribuesëve më të mëdhenj të mbetjeve plastike që derdhen nga lumenjtë e Evropës në oqean. Pjesa më e madhe e objekteve prej plastike, me origjinë nga toka, përshkojnë lumenj të shumtë të vegjël, përrenj dhe derdhje sipërfaqësore përgjatë brigjeve të populluara. Monitorimi i kryer me një bashkëpunim të gjerë të 42 lumenjve në 11 vënde përgjatë Evropës, siguron bazën e të dhënave më të pasur të mbetjeve pluskuese makro në lumenj, të cilat furnizojnë oqeanin.

Lumenjtë janë mjeti kryesor i transferimit të mbetjeve të prodhuara nga njerëzimi me destinacion oqeanin. Ky studim i ri tregon se vendet e Evropës lëshojnë më shumë se 600 milion objekte makrombetjesh pluskuese (> 2.5 cm) në një vit të vetëm. Plastika është përbërësi kryesor i të tilla makro-mbetjeve pluskuese të observuara në lumenjtë e Evropës. Tetë prej 10 nga këto objekte janë të përbëra nga plastika, përfshirë këtu shishet, paketimet (mbështjelljet e ushqimit) dhe qeseve. Gati 40% e tyre janë të përfaqësuara nga copëza plastike (fragmente të objekteve më të mëdha) dhe kjo nënkupton se shumë prej objekteve të plastikës fillojnë të fragmentarizohen në basenet lumore, përpara se të arrijnë oqeanin.

Turqia, një vend euroaziatik me ekonomi me të ardhura sipër mesatares, përfaqëson kontribuesin kryesor (17%) në listën e vendeve të përfshira në këtë studim. Më e rëndësishmja është se vendet me të ardhura të niveleve të larta, të përfaqësuara nga Italia, Britania e Madhe, Spanja dhe Greqia, përbëjnë 5 kontribuesit kryesorë, ku të gjitha së bashku furnizojnë me 64% të të gjitha makrombetjeve, nëpërmjet lumenjve, oqeanet.

Vlerësimi ynë demonstroi se vendet që supozohen të kenë strategjitë më të mira të menaxhimit të mbetjeve, nuk janë të afta të ndalojnë ndotjen nga plastika, duke krijuar mundësi që këto mbetje mos të përshkojnë lumenjtë dhe të arrijnë në det.

Kjo është duke ndodhur në një skenar ku ekonomitë me të ardhura të shumta janë duke lehtësuar presionin në sistemet përkatëse, duke mundësuar eksportin e plastikës drejt vendeve të treta.

Duke ndjekur kufizimet e Kinës në importin e plastikës në 2017, Turqia doli në skenë si një prej vendeve më të mëdha si destinacion ndaj së cilës eksportohen mbetjet e plastikës së Evropës. Kohët e fundit, OJF-të kanë raportuar se një pjesë e mirë e mbetjeve plastike të Britanisë së Madhe shkojnë dhe groposen apo digjen në Turqi, në vend që të riciklohen. Vendet e ekonomive të fuqishme tregojnë të jenë gjeneruesit më të mëdhenj të mbetjeve plastike për frymë dhe eksporti i tyre është një rrugëtim i zakonshëm për mbetjet e tyre plastike me cilësi të ulët.

Pse lumenjtë e mëdhenj lëshojnë më pak mbetje në oqean në krahasim me ata më të vegjëlit?

Në Evropë, rreth 70% e mbetjeve vjetore që shkarkohen, shkojnë e kanalizohen në basene të shumta e “të vogla” bregdetare (psh, me basen ujëmbledhës më të vogël se 100 km2). Autorët e studimit e shpjegojnë këtë gjetje bazuar në dy argumenta dhe për më shumë lexoni studimin në gjuhën angleze.

Studimi bazohet në database-in më të pasur me të dhëna lidhur me makrombetjet pluskuese të lumenjve, si inpute të oqeaneve. Më shumë se 700 datasete të monitorimit në terren u krijuan nga grumbullimi i të dhënave me origjinë nga 42 lumenj të 11 vendeve të Evropës (si Danubi, Rhône, Vistula dhe Douro) deri tek lumenj shumë të vegjël. Vetë lumi i Danubit përbëhet nga rreth 700 diga dhe pengesa, të cilat vështirësojnë transportin e makrombetjeve drejt brigjeve. Sasi të mëdha të plastikës qëndrojnë të kapura pas digave, përgjatë strukturave të betonizuara të lumenjve apo të ngecura në vegjetacionin e lumit, duke pritur të fragmentarizohen përpara se të vazhdojnë rrugëtimin drejt oqeanit, në forma më të vogla apo si mikroplastikë. Mobiliteti i demonstruar dhe qëndrueshmëria e lartë e plastikës shërben si thirrje për masa të fokusuara në reduktimin e burimeve që e leshojnë atë në lumenj.

Ekipi studimor që qëndron pas këtij studimit të kryesuar nga Daniel González dhe Andrés Cózar, përbëhet nga 22 institucione të 12 vendeve, ku Shqipëria përfaësohet nga Universiteti Bujqësor i Tiranës.

 

Përgjegjësi i Departamentit të Akuakulturës dhe Peshkimit

Prof.Asoc. Dr. Rigers BAKIU (bashkëautor në këtë studim)

Na Ndiqni në: