“Erozioni” në Etikën Bujqësore është një artikull modest e ndërgjegjësues dhe mundëson diskutime dhe dhënie mendimesh për një fushë pak të adresuar, siç është etika bujqësore.
Kjo tematikë do të ndahet në 4 artikuj me të cilët do të njiheni në vijimësi. Në median online UBgreen.al do të mund të lexoni në ndarjet e sipërpërmendura temat e mëposhtme:
- Koncepte të përgjithshme për etikën bujqësore
- Çështje të etikës bujqësore që shtrohen për diskutim në aspektin global
- Disa situata dilematike etike të natyrës social – ekonomike e mjedisore në vendin tonë
- Sfidat për të ardhmen
Drejtësia është parimi që mbulon dimensionin institucional të etikës dhe përfshirjen e konsideratave etike në të gjitha programet, politikat, standartet dhe vendimet duke kontribuar në këtë mënyrë, në përmirësimin e jetës në zonat rurale/urbane dhe mbrojtjen e mjedisi. Përveç drejtësisë edhe parlamenti luan një rol shumë të rëndësishëm.
(Referuar EGE, 2008)
Sigurimi i ushqimit dhe qëndrueshmëria janë çështje heterogjene që përfshijnë ndërveprimin e shumë faktorëve në mënyrë që të mund të gjenden zgjidhje efektive. Në këtë ndërveprim faktori etik merr një peshë të konsiderueshme.
Disa prej sfidave më të rëndësishme, të gjithëpranuara, mund të rendisim:
-Sigurimi i ushqimit:
Etika nuk mund të përjashtohet si kriter në të gjithë proçesin e arritjes së ‘’Food security’’, në mënyrë të qëndrueshme.
– Bujqësia e qëndrueshme.
Sfida etike: Të argumentosh për një detyrim që duhet për të arritur një bujqësi të qëndrueshme dhe të identifikosh problemet, nëse ky detyrim bie ndesh me detyrimet e tjera morale dhe t’i zgjidhësh ato në përputhje me rrethanat. (Grimm, H, 2015). Parimi i bujqësisë së qëndrueshme pranohet gjerësisht në një nivel abstrakt dhe ekziston një gamë e gjerë përkufizimesh reciprokisht të papajtueshme të këtij termi, nëse merren parasysh detajet.
-Teknologjitë.
Sigurimi i ushqimit, siguria ushqimore dhe qëndrueshmëria janë prioritetet e para dhe parimet udhëzuese të cilave çdo teknologji bujqësore, duhet t’u përmbahet.
-Etika profesionale
-“Ju duhet të kryeni ato veprime të cilat do të shiheshin të duhura nga një panel objektiv i kolegëve tuaj profesionistë”
-Fleksibiliteti në etikën bujqësore
Etika duhet të jetë më fleksibël: Sfida qëndron në atë që etika duhet të respektojë vendimet e konsumatorëve në kuptimin substancial, por njëkohësisht duhet të kërkojë kompromise në raste të situatave dilematike. Kjo përfshin një sërë aktorësh që janë të angazhuar në sferën e bujqësisë dhe ushqimit si fermerë, agrobiznese, ekstensionistë, kërkues, ligjvënës, punonjës publikë, konsumatorë etj. Lipset të gjenden mënyra për të përfshirë dhe rritur ndikimin e konsumatorëve në zinxhirin ushqimor.
– Kërkimi bujqësor.
Çështjet etike në kërkimin bujqësor marrin një vlerë të veçantë. Roli i bujqësisë në shoqëri bën që kërkimi bujqësor krahasuar me llojet e tjera të kërkimit, të jetë më tepër i prirur të kryejë një shërbim publik. Gjithësesi etika utilitare me gjithë pikat e dobëta dhe të forta të saj, ofron modele për të vlerësuar përgjegjësitë morale të vendimeve në kërkimin bujqësor, të përputhura me bilancin kosto dhe përfitime që i takojnë publikut në përgjithësi.
-Ndryshimi i klimës
Ndryshimi i klimës, përsa i përket bujqësisë paraqet një sfidë të rëndë etike pasi ajo konsiderohet njëkohësisht “pjesë dhe zgjidhje e problemit” për ndryshimet klimatike.
UNESCO në 2017 miratoi një deklaratë të parimeve etike në lidhje me ndryshimin e klimës, ku ndër të tjera thuhet se etika përbën thelbin e çdo angazhimi dhe si forcë mobilizuese ajo mund të lehtësojë gjykimet, të zgjidhë konflikte interesash, të përcaktojë përparësitë, të lidhë teorinë me praktikën, parimet e përgjithshme me vullnetin politik dhe vetëdijen globale me veprimet lokale.
-Ekonomia e gjelbër
Në kohën e sotme përkufizimi modern i termave ‘’ekonomi e gjelbër’’ dhe ‘’zhvillim rural’’ përcaktohet si zhvillim integral, shumësektorial dhe i qëndrueshëm i zonave rurale.
Në një kohë krize të rëndë ekonomike, shkaktuar edhe nga Covid-19 dhe në situatën e një ndotje të rëndë të mjedisit, sfida është: Të shihen mundësitë për të shtuar vëmendjen dhe investimet në fushën e Sipërmarrjes së Ekonomisë së Gjelbër.
(Pranohet se kjo sipërmarrje lidh përfitimet mjedisore me përfitimet ekonomike në nivelin makroekonomik si rritja e PBB-së dhe pasurisë kombëtare, krijimi i vendeve të reja të punës dhe ulja e varfërisë e pabarazisë.)
Sot në botë, aktorët kryesorë të fushës së bujqësisë dhe gjithë zinxhirit të ushqimit, pranojnë nevojën për të përcaktuar një bazë të re të përbashkët të qëndrueshmërisë, që përfshin specifikimin e vlerave sociale, ekonomike dhe mjedisore dhe megjithëse “hendeku” i diskutimeve është ngushtuar, ekzistojnë tensione dhe polarizime se si ‘’food security’’ mund të arrihet në mënyrë të qëndrueshme.
Pranimi se etika nuk mund të përjashtohet si kriter në gjithë këtë proces, sjell nota optimiste dhe konsiderohet përparim i madh në përcaktimin e kushteve në të cilën duhen zhvilluar negociatat midis palëve me interesa të kundërta. (Ëilkinson.J, Global food security, 2015).
Etikat janë lënë në përgjegjësinë e çdo personi. Etika personale është subjektive ndërsa etika profesionale është objektive. Por me gjithë rëndësinë dhe vëmendjen e madhe që lipset t’i kushtohet etikës në fushën e bujqësisë dhe problemeve me të cilat përballemi nga mungesa e insitucionalizimit të saj, pranohet që akoma nuk është arritur një “dakortësi” për një “Kod të Etikës’’ në bujqësi.
Si të institucionalizohet etika në sistemin e bujqësisë dhe ushqimit mbetet për t’u përcaktuar. Mangësia e një kodi etik në bujqësi nuk është vetëm problem i yni, por edhe i shumë vendeve të tjera.
Në kushtet aktuale të zhvillimit të bujqësisë sonë dhe të sfidave me të cilat ajo duhet të përballet në rrugën drejt integrimit europian dhe kërkesave që duhen plotësuar për thithjen e fondeve të BE, duke ditur rëndësinë dhe pasojat e mungesës së një kodi etik, një sërë pyetjesh shtrohen për fillimin e këtij procesi: Së pari, cila do të jetë struktura përgjegjëse që mund të marrë drejtimin e hartimit të një dokumenti të tillë dhe më pas çfarë modelesh do të ishin më të adaptueshme??
A do të kenë mundësinë prodhuesit tanë të zhvillojnë një kod etik që do të përcaktonte fermerë dhe agrobiznese “profesionistë” dhe si do të duhet të formulohet ky kod në mënyrë që të jetë realisht funksional.? (Lasley.P & Hallam.A)
Dhe së fundmi, a është koha për të ndërmarrë një iniciativë të tillë dhe nëse po, si duhet filluar? Përgjigjen sigurisht duhet ta japin një sërë aktorësh të përfshirë por gjithësesi është fakt se erozioni në etikën bujqësore është tashmë një realitet i cili ka kontribuar në humbjen e besimit dhe sigurisë tek konsumatori.
Ky erozion “bën thirrje” për vendosje rregullash dhe zbatim të tyre. Një kod i etikës mund të rivendosë besimin …dhe bujqësia mund të shihet si lider në ndjekjen e standardit më të lartë etik. (EGE to European Commission)
A është etike që me kaq vonesë shpalosim erozionin në etikën bujqësore dhe a do të jetë etike, nëse këto konsiderata që diskutohen do të mbyllen në “sirtaret e artikujve”, që bëjnë gjumin letargjik?
Prof. Dr. Tatjana DISHNICA
Departamenti i Mjedisi dhe Burimeve Natyrore, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.
Referencat;
• Dishnica.T ‘” Etika bujqësore, dilema dhe sfida”. Simpozium, “Etika dhe roli i saj në kërkimin shkencor” Akademia e Shkencave, 18 maj, 2018.
• EGE (European Group of Ethics in Science and New Technologies to European Commission) “Ethics of Modern Developments in agricultural technologies” Brussels, 2008,
• Grimm.H, Ethical issues in Agriculture, 2011
• Evelien M. de Olde & Vladislav Valentinov “The Moral Complexity of Agriculture: A Challenge for Corporate Social Responsibility,” 2019
• Mahesh.A; Jayanta.K “Agricultural Ethics” ICAR-IARI, 2017
• Lasley.P & Hallam.A, (Applied Ethics in Agriculture) 2011
• Chrispeels.M Maarteen &Mandoli.D (University of California, San Diego, 2003) Agricultural Ethics.
• Advocate Ethical, 2019
• Warso.Z. Ethic assessment in different fields Agricultural Research, Helsinki Foundation for Human Rights (Poland), 2015
• FAO” The report of panel of Eminent Expert of ethics in food and agriculture” 2007
• Wilkinson.J, Global food security, 2015
• Gardiner, S. Opinion: Why the climate change is an ethical problem? 2016
• José Graziano da Silva, FAO, 2015 Takimi i Ministrave të Bujqësisë G20
• Sources: BP Statistical Review of World Energy. Statista