“Erozioni” në Etikën Bujqësore është një artikull modest e ndërgjegjësues dhe mundëson diskutime dhe dhënie mendimesh për një fushë pak të adresuar, siç është etika bujqësore.
Kjo tematikë do të ndahet në 4 artikuj me të cilët do të njiheni në vijimësi. Në median online UBgreen.al do të mund të lexoni në ndarjet e sipërpërmendura temat e mëposhtme:
- Koncepte të përgjithshme për etikën bujqësore
- Çështje të etikës bujqësore që shtrohen për diskutim në aspektin global
- Disa situata dilematike etike të natyrës social – ekonomike e mjedisore në vendin tonë
- Sfidat për të ardhmen
“Erozioni” në etikën bujqësore
“Every day our society pays a heavy price, both emotionally and economically, for the consequences of unethical behavior” – Michael Josephson
“Çdo ditë shoqëria jonë paguan një cmim të lartë, emocionalisht dhe ekonomikisht, si pasojë e sjelljeve joetike” – Michael Josephson.
Në kuptimin e përgjithshëm, baza e etikës, kuptimi dhe funksionet e saj kanë të bëjnë me studimin e “Good and Bad” (të mirës dhe të keqes), të drejtës dhe të gabuarës, ndërsa standartet etike kanë të bëjnë me kriteret që ndihmojnë diferencimin e së drejtës nga e gabuara.
Por veçanërisht në fushën e bujqësisë, kjo ndarje “me thikë”, është tejet e vështirë, pasi ndërthur “situata dilematike” të cilat duhet të marrin në konsideratë jo vetëm një sërë aspektesh social-ekonomike, mjedisore e politike, por gjithashtu interesa dhe kërkesa të aktorëve të përfshirë, të cilat shpesh janë të kundërta. Në këtë kuptim, të ndash etikën nga jo etikja, të drejtën nga e gabuara apo edhe t’i japësh “Çezarit atë që i takon”, është mjaft e vështirë.
Bujqësia karakterizohet nga praktika që përfshijnë sisteme sociale dhe ekologjike dhe parë në këtë këndvështrim, çështjet etike në këtë fushë marrin rëndësi të vecantë.
Referuar ekspertëve, bujqësia është bërë një çështje shqetësuese morale për shkak të “mospërputhjes” së:
-Furnizimeve globale me ushqime, përballë nevojave të popullsisë
– Efekteve të sistemeve intensive të prodhimit, bioteknologjive moderne bujqësore për mirëqenien e njerëzve dhe kafshëve, përballë cënimit të qëndrueshmërisë së mjedisit në shkallë globale
Vlerat etike si vlera e ushqimit, rritja e mirëqenies, shëndeti i njeriut, burimet natyrore dhe natyra, futen në preambulën e Kushtetutës së FAO-s. Për arsye të universalitetit të shqetësimeve etike të lidhura me bujqësinë & ushqimin dhe ndikimit të tyre në jetën e miliona njerëzve, çështjet etike janë në fokusin e një serë organizatash ndërkombëtare. Në vitin 2000, FAO ngriti panelin e “Ekspertëve Eminentë” për etikën në bujqësi dhe ushqim. Një serë organizatash të tjera kanë përfshirë çështjet etike në fushën e bujqësisë si EGFAR; CGIAR; EUROSAFE etj, ndërsa Food Ethic Council është një nga të paktat organizata që kryen vlerësime etike të zhvillimeve në fushën e bujqësisë dhe ushqimit dhe ka hartuar Ethical Matrix për këtë qëllim. Kjo Matricë Etike në shtyllat kryesore të saj përmbledh respektin për: fermerët, qytetarët; shëndetin e kafshëve; mjedisin me qëllim mirëqenie, autonomi dhe drejtësi.
Një nga synimet dhe fushat prioritare, të komunikimit në KE me titull, “A decent life for all: from vision to collective action”, tregon më së miri rëndësinë që marrin sot çështjet etike në aspektin social dhe rolin e veprimit kolektiv.
Prodhimi, përpunimi, magazinimi, shpërndarja e ushqimit dhe produkteve bujqësore, përgjithësisht pranohen si pjesë rutinë e jetës sonë dhe si të tilla ato janë adresuar rrallë në sferën e etikës. Pra, ato duhen konsideruar mjete jo vetëm të një natyre teknike, ekonomike apo politike por në thelb edhe etike. Në këtë kontekst, etika në bujqësi është e lidhur direkt me përfshirjen e parimeve etike në politikën bujqësore (qoftë tradicionale ose inovative) si dhe me respektimin e dinjitetit njerëzor dhe drejtësisë, dy parime themelore etike që duhet të zbatohen për prodhimin dhe shpërndarjen e produkteve ushqimore. Referuar, EGE (Grupi Europian i Etikës. BE)
Autorë të ndryshëm, bëjnë dallimin midis etikës në bujqësi dhe etikës bujqësore.
Ndërsa e para ka tendencë të ndjekë konceptin tradicional të teorisë morale, pra formulon parimet morale për t’i zbatuar ato në fushën e bujqësisë, e dyta është qasje që përfshin politikat publike.
Në këtë kuptim, ky diskutim i hapur nëpërmjet këtij artikulli të ndarë në katër pjesë, është përpjekur në mënyrë modeste të trajtojë vetëm disa aspekte, të cilat ndonëse ndërthurin të dy qasjet e mësipërme, fokusi është tek etika bujqësore.
Referuar Warso. Z. “Ethic assessment in different fields Agricultural Research” 2015: “Roli i Etikës bujqësore nuk është të përcaktojë politikat në nivel kombëtar apo ndërkombëtar, por më tepër të bëhet një mënyrë për të vlerësuar nëse politikat specifike të propozuara janë etikisht të pranueshme. Koncepti që vendos pikën e takimit të përbashkët midis etikës bujqësore dhe politikës publike dhe që drejton debatin aktual, duhet të jetë “Bujqësia e qëndrueshme”.
Diapazoni i problemeve etike që prekin sistemin e bujqësisë dhe ushqimit sot në botë, është shumë i gjerë dhe ndër më kryesoret renditen: Sigurimi i ushqimit në të gjitha nivelet/ global, kombëtar, individual dhe siguria ushqimore; Qëndrueshmëria e burimeve; Teknologjitë e reja; Mbrojtja e tokës dhe ujit; Humbja e biodiversitetit; OMGJ në BE; Biokarburantet; Shpërdorimi i ushqimit; Trajtimi i kafshëve; Përdorimi i pesticideve; Menaxhimi i fermës; Financimi i kërkimit/brain drain; Zakonet ushqimore/stili i jetesës; Marrëveshjet tregetare dhe mundësi të barabarta, në një tregti globale; Shkëmbimi i informacionit, etj.
Problemet e mësipërme janë sot në rendin e diskutimeve të gjera publike dhe analizave akademike.
Qëllimi i bujqësisë nuk është thjesht të maksimizojë prodhimin dhe përfitueshmërinë, por të optimizojë përgjatë një game shumë komplekse të prodhimit, zhvillimin rural, mjedisor, shoqëror dhe si rezultat, konsumin ushqimor. (Bos et al, 2013)
Një sistem etik i bujqësisë dhe ushqimit synon së pari reduktim/eliminim gradual të varfërisë, prodhime dhe shpërndarje efiçente, në mënyrë që efektiviteti të matet në kontekstin e barazisë dhe drejtësisë si dhe “ripozicionim” nga tregtia e lirë drejt një sistemi komercial të bazuar në parime etike.
Etika e bujqësisë dhe ushqimit duket që po merr vrull “Pas një gjysëm shekulli neglizhencë” ku jo vetëm ekspertë të fushave të ndryshme por edhe publiku në zinxhirin prodhim, shpërndarje dhe konsum i ushqimit, ka kthyer vëmendjen drejt arsyetimeve etike.
Në dekadat e fundit modernizimi i bujqësisë në vendet perëndimore ka kontribuar jo vetëm në një rritje të shpejtë të prodhimit të ushqimit por edhe në shqetësime të mëdha mjedisore e shoqërore, shumë prej të cilave janë të “ngërthyera” nga debate e polemika që në një pjesë të mirë të tyre, realisht paraqiten të bllokuara duke sjellë një kompleksitet moral.
Shënim: Për këtë, në pjesën e dytë dhe të tretë të këtij artikulli, për disa çështje të “nxehta” që ndërthurin aspekte etike të natyrës social -ekonomike e mjedisore, do të jepen në mënyrë të thjeshtë, pa hyrë në detaje shkencore, vlerësime të ekspertëve, debate, dilema si dhe disa konsiderata modeste, të cilat besoj se hapin mundësinë për diskutime apo dhënie mendimesh midis nesh.
Prof. Dr. Tatjana DISHNICA
Departamenti i Mjedisi dhe Burimeve Natyrore, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.