Alejandro Piñero Amerio - www.unsplash.com

Valorizimi i algave si plehërues organik duke nxitur restaurimin e ekosistemeve të ndjeshme ujore

22 Prill 2021 EARTHDAY.ORG 2021, “Restore Our Earth” përkon me periudhën kur Kombet e Bashkuara lobuan për restaurimin e ekosistemeve dhe është një thirrje për veprim për të ruajtur dhe rivendosur mjedisin në kushte më optimale duke përdorur zgjidhje natyrore, teknologji, arsim dhe veprim qytetar (EARTHDAY, 2021).

Nisur nga kjo nismë, një ndër fenomenet që duhet adresuar dhe që sjell humbje të mëdha ekonomike, mjedisore dhe sociale është eutrofikimi. Eutrofikimi është një fenomen i ndotjes së ujit, shkaktuar nga sasia eksesive e azotit (NO3), fosforit (PO43-) dhe ushqyesve të tjerë të bimëve. Ekosistemet ujore ndoten me këto makroelementë që furnizohen nga burime pikësore (shkarkime të patrajtuara, urbane, industriale e blegtorale, nga ujërat e venddepozitimit të mbetjeve) dhe jopikësore të ndotjes që kryesisht konsiderohet aktiviteti bujqësor me inputet sintetike apo mbetjet organike të fermave blegtorale

 

Figura 1:  Kontributorët e procesit të eutrofikimit. ©foto nga Stockholm Resilience Centre

Me gjithë masat e marra për instalimin e impianteve të trajtimit të ujërave për të reduktuar ndotjen nga burimet pikësore apo hartimit të planeve të menaxhimit të balanceve të ushqyesëve në bujqësi, problemi i eutrofikimit mbetet ende i pazgjidhur edhe në vendin tonë.

Në shumë studime mbi statusin trofik të liqeneve të Shkodrës, Ohrit apo të Prespës (të mbrojtura nga kuadri ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar) rezulton që këto sisteme ujore kalojnë periudha të stresit nga pikëpamja e parametrave kimikë dhe biotikë që mund të ndikojnë në uljen e biodiversitetit në sezone ku procesi zhvillohet vrullshëm dhe në tërësi, nëse në periudha të zgjatura të rritjes së temperaturës mesatare, zhvillimi i procesit kontrollon biodiversitetin e sistemit ujor në disa raste në menyrë të pakthyeshme.

Një ndër bioindikatorët që tregojnë këtë shqetësim është ai që karakterizon dhe nivelin trofik të tyre; algat florizuese apo blu të gjelbërta. Algat janë produket primare të eutrofizimit dhe ekziston një shumëllojshmëri e tyre e evidentuar në liqenet e sipërpërmendura. Por ajo që vlen të theksohet se prania e tyre kushtëzohet nga makroelementë të tretur në ujë në raportin (C:N:P:Si) si dhe temperatura dhe të gjithë këto elementë kanë bërë që zhvillimi i tyre të jetë më intensiv gjate periudhës së fundit të pranverës deri në vjeshtën e vonë. Efektet në sistemet ujore nga prezenca e tyre evidentohen në:

  • Ulje të oksigjenit të tretur, i nevojshëm për frymëmarrjen e organizmave ujorë
  • Rritje të biomasës së fitoplangtonit i cili kontrollon sistemin nga lart poshtë
  • Ulje të transparencës së ujit
  • Ulje të biodiversitetit ujor nga konsumi i oksigjenit të tretur
  • Zhvillim të proceseve të degradimit anaerobik që sjell dhe çlirimin e CH4

Zhvillimi i algave në disa raste mund të jenë i dëmshëm (HABs) pasi krijon kushtet e hipoksisë që ndikon gjithashtu në humbjen e azotit nëpërmjet denitrifikimit, një gaz me efekt serë nga ana tjetër, i treti për nga rëndësia pas CO2 dhe CH4.

Figura 2: a) Gjiri i Meksikës nga Griffis et al., 2013 b) Popullatat e alave nga ©NASA 2011

Një ndër mënyrat se si mund të përmirësohet problemi, është duke përdorur restaurimin e ekosistemeve ujore, si proces që dikton vlerësimin e tyre për t’u përdorur si biomasë në sektorë të tjerë zhvillimi, si ushqimi dhe bujqësia. Për ushqimin tashmë ka aplikim të gjerë si super – food (shembull konkret Spirulina).

Ndërkaq do të trajtojmë një aspekt tjetër që lidhet me përdorimin e saj si plehërim organik në bujqësi. Plehrat organikë ose bio-plehrat janë një nga alternativat të cilat janë miqësore me mjedisin, me kosto efektive dhe rrisin cilësinë e tokës pa degraduar ekosistemin. Plehrat organikë nga algat konsiderohen si një alternativë e mundshme ndaj plehrave sintetike të zakonshëm, pasi ato janë të pasura me makroelementë, mikroelementë dhe disa rregullatorë të rritjes, etj. të cilat ndihmojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e rritjes dhe rendimentit të bimëve. Për më tepër, prania e algave çon në uljen e erozionit nga rregullimi i kapacitetit ujëmbajtës në tokë.

 

Erdona Demiraj, PhD
Departamenti i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: