Çfarë është Imazhimi Satelitor (Remote Sensing)?

Imazhimi satelitor i njohur ndryshe si teledeteksioni apo marrja e imazheve nga larg, mund të kategorizohet si shkencë, art, teknikë apo teknologji që ka si produkt thelbësor, imazhet shifrore satelitore. Në këtë kuptim termat “teledeteksion’’ (TD), “imazhet satelitore’’ (IS) dhe remote sensing (RS),  në çfarëdolloj forme që ato paraqiten, nënkuptojnë ‘’Imazhim Satelitor’’. Nëse do ta përkufizonim këtë terminologji atëherë me “teledeteksion’’ ose “remote sensing’’ do të kuptonim shkencën (edhe artin), teknikën dhe teknologjinë e përftimit të të dhënave, paraqitjes dhe njohjes së informacionit mbi sipërfaqen fizike të tokës dhe të objekteve mbi të, pa qenë në kontakt të drejtpërdrejtë fizik me to.

Një gjë e tillë mundësohet me anë të “kapjes” të ndijimeve (skanimit) dhe regjistrimit të energjisë së rrezatimit të reflektuar dhe të emetuar nga objektet në/mbi sipërfaqen e tokës dhe më pas të përpunimit, analizimit dhe përdorimit të informacionit të përftuar.

Në mënyrë të thjeshtuar, ky proces realizohet me anë të sistemeve të përftimit të imazheve që nga ana e tyre, ndërtohen duke u bazuar në shtatë komponentë të cilët janë:

Skema parimore e sistemeve Teledetektive

A) Burimi i energjisë së ndriçimit (dritës)
B) Radiacioni dhe atmosfera
C) Ndërveprimi me objektin (targetin) mbi sipërfaqen e tokës
D) Regjistrimi i energjisë nga sensorët (ndijuesit)
E) Transmetimi, përftimi i regjistrimit dhe përpunimi
F) Interpretimi dhe analizimi
G) Zbatimi ose përdorimi

A) Burimi i energjisë së ndriçimit (dritës) – Kërkesa e parë për realizimin e procesit të përftimit të imazheve satelitore (RS) është ekzistenca e një burimi drite, i cili ndriçon ose dërgon valë elektromagnetike tek një objekt (target) për të cilin interesohemi ta njohim në mënyrë elektronike.

B) Radiacioni dhe atmosfera – Energjia elektromagnetike (EM) nga burimi i dritës deri në objekt në sipërfaqen e tokës, duke kaluar nëpër atmosferën që rrethon tokën, bie në kontakt dhe ndërvepron me këtë atmosferë përgjatë një fraksioni të sekondës. Ky ndërveprim dhe bashkëveprim bën që kjo energji të pësojë ndryshime (deformime), të cilat në procesin e përpunimit të imazheve satelitore merren parasysh si korrektura atmosferike.

C) Ndërveprimi me objektin (targetin) mbi sipërfaqen e tokës – Energjia elektromagnetike që bartet nga vala radiative, sapo bie në kontakt me objektin, bashkëvepron me të në varësi të cilësive të objektit dhe të radiacionit që bie mbi të.

D) Regjistrimi i energjisë nga sensorët (ndijuesit )- Energjia rrezatuese që bie mbi objekt, reflektohet prej tij dhe komponenti i kërkuar për ta kapur dhe regjistruar këtë radiacion elektromagnetik të reflektuar, është sensori ose ndijuesi.

E) Transmetimi, përftimi i regjistrimit dhe përpunimi – Energjia rezatuese e reflektuar dhe e regjistruar nga sensori, më pas duhet të transmetohet në formë elektronike në një stacion marrës dhe përpunues në Tokë. Të dhënat dhe informacioni i mbërritur pas transformimeve, përpunohen duke dhëne imazhe në letër (hardcopy) ose në format shifror.

F) Interpretimi dhe analizimi – Pas përpunimeve të proçedimit, imazhi satelitor duhet dhe mund të interpretohet në formë vizuale, shifrore ose elektronike, me qëllim që të bëhet e mundur nxjerrja e informacionit mbi objektin e radiatuar apo të ndriçuar.

G) Zbatimi ose përdorimi – Objektivi përfundimtar në teledeteksion arrihet atëhere kur kemi mundësi apo jemi në gjendje t’i përdorim të dhënat dhe informacionet që kemi perftuar mbi objektet apo mbi sipërfaqen e Tokës, ku është bazuar ky proces, me qëllim që të njihen vetë objektet apo Toka, veçoritë dhe karakteristikat e tyre si dhe të zgjidhen probleme të veçanta që lidhen me të.

Rëndësia e imazheve satelitore

 Me anë të të dhënave dhe informacioneve të imazheve satelitore janë realizuar dhe kryer studime të shumta si për shembull monitorimi i fenomeneve dhe ndryshimeve që ndodhin në sipërfaqen e Tokës. Tashmë është plotësisht i vërtetuar roli i përdorimit të imazheve satelitore për hartografimin dhe rilevime topo-hartografike në nivel botëror dhe rajonal. Futja e teknologjive teledetektive, adaptimi dhe përdorimi i imazheve satelitore, po ashtu dhe rezultateve që janë përftuar deri më tani, mbështetet dhe nxitet nga qeveritë si dhe nga industria private kryesisht në vendet e zhvilluara në mbarë botën. Kjo bëhet për arsyen e thjeshtë se imazhet satelitore të përpunuara, të analizuara dhe të interpretuara jane një burim i rëndësishëm për informacionin shumëdimensional mbi Tokën dhe objektet që ndodhen mbi të. Imazhet satelitore japin mbulesa me informacione të rëndësishme, ofrojnë mundësi hartografimi dhe klasifikimi të objekteve në sipërfaqen e Tokës, siç janë p.sh: vegjetacioni, dherat, ujërat dhe pyjet (duke prodhuar diagramë të kurbave reflektuese për vegjetacionin, dherat, ujin etj).

Pak histori

Për sa u përket sistemeve Teledetektive apo Remote Sensing, si sistem i parë njihet Landsat-1, që u lëshua nga NASA dhe UGCS (Shërbimi Gjeologjik Amerikan) në SHBA. Vite me vonë, Landsat-1 u pasua nga Landsat-2, 3, 4, 5……., 8.  Këto sisteme u quajtën sisteme të Landsat. Instrumenti i përdorur si dedektor ishte MMS-ja (Multi Spectral Scanner), një skaner me pasqyrë lëkundëse. Rezolucioni ndaj objekteve tokësore ishte 80 m. Kështu, sensori ndijues ose sensorial MSS ishte me 4 kanale ose banda të përshtatura për kërkime periodike kohore mbi sipërfaqen e tokës. Me kohë, në platformën Landsat u dizenjua dhe një sistem tjetër  dedektues i quajtur TM (Thematic Mapper: Hartografim Tematik). Ky sistem u prodhua duke përdorur parimin e pasqyrës lëkundëse me modifikime për ta ndarë rrezatimin (reflektimin) që vinte nga toka, në shtatë banda. Në vijim ilustrohen me pamje dhe të dhëna disa misione Landsat, të lëshuara në orbitë gjatë 30 viteve të fundit.

Landsat 1-3: 1972-1983
Landsat 4-5: 1982-në vazhdim
Landsat 7: 1999-në vazhdim

Disa zbatime

NASA’s Earth Observatory

Imazh satelitor përpara (majtas) dhe pas (djathtas) përmbytjes përgjat lumit Rus (Russian River) në Mars 2019, nga Landsat-8 (Përgjegjës për imazhin: NASA’s Earth Observatory)

NASA’s Earth Observatory

Imazhe me ngjyra, infra të kuqe (majtas) dhe natyrale (djathtas) nga Landsat duke treguar përmasat dhe ashpërsinë e zjarrit në kompleksin Charlton, Washington 2014.(Përgjegjës për imazhin: NASA’s Earth Observatory)

 

Olsid Mema
Departamenti i Shkencave Agronomike, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Imazhet satelitor (Teledeteksioni),Gezim Gjata
Introduction to Remote Sensing, Fifth Edition,James B.Campbell, and Randolph H.Wynne
Foundamentals of Remote Sensing, Canada Center of Remote Sensing

Na Ndiqni në: