Kai Dahms - www.unsplash.com

Gaforrja blu – Një rrezik i shtuar apo një burim i ri për ekosistemet tona?

Gaforrja blu është pjesë e ekosistemeve tona prej më shumë se 15 vjetësh. Një informacion i tillë është bërë i ditur nga raportimet e peshkatarëve. Kjo krustace, emërtimi shkencor i së cilës është Callinectessapidus, është një banore e zonave tropikale. Me ndihmën e anijeve transoqeanike të transportit, ky lloj u përhap nga brigjet lindore të Amerikës në drejtim të brigjeve evropiane. Aftësia e saj e lartë për t’u përshtatur në habitatet e reja, ritmi i lartë i riprodhimit si dhe ndryshimet klimatike kanë ndikuar në përhapjen e shpejtë të këtij lloji në të gjithë Mesdheun.

Raportime të vazhdueshme kanë evidentuar përhapjen e këtij lloji në të gjithë hapësirën bregdetare të vendit tonë, duke preferuar më tepër grykëderdhjet e lumenjve dhe lagunat bregdetare. Në këto habitate ku ujërat e ëmbla bashkohen me ato të kripura, ky lloj gjen kushtet optimale për t’u zhvilluar.

Megjithatë gaforrja blu është bërë një shqetësim i vazhdueshëm për peshkatarët, kryesisht ato artizanalë, të cilët kanë shprehur shqetësime për dëmtime të rrjetave të peshkimit por gjithashtu edhe për largim të peshqve nga zonat e tyre të peshkimit, si pasojë e konkurrencës nga ky lloj i ri pushtues.

Duket se gaforrja blu ka prishur balancat ndërmjet popullatave vendase duke çuar edhe në zhdukjen e disa prej tyre. Sipas shkencëtareve peshkimi intensiv është e vetmja mënyrë për ta kontrolluar këtë specie. Në vendin tonë, studiues të Departamentit të Akuakulturës dhe Peshkimit, kanë evidentuar praninë edhe të llojeve të tjera jo-vendase, por asnjë prej tyre sipas të dhënave nuk ka arritur që të ketë impaktin e gaforres blu.

Problematika e lidhur me gaforren blu është e pranishme në të gjithë Mesdheun, por ndërkohë që përballemi me pasojat e këtij pushtuesi të ri, vende të ndryshme kanë filluar ta shohin këtë gaforre si një burim të ri ushqimi. Në bashkëpunim me industrinë e kulinarisë, peshkatarët kanë filluar ta shfrytëzojnë gaforren si një burim të ri përfitimi nëpërmjet tregtisë.

Eksportimi drejt vendeve të tjera, kryesisht Azisë, është një opsion të cilin disa vende mesdhetare po e shfrytëzojnë më së miri, madje çmimi i shitjes ka pësuar rritje dhe është cilësuar mjaft fitimprurës për peshkatarët dhe për këtë arsye ato kujdesen të mos e dëmtojnë popullatën e gaforreve.

Por nëse në vende të tjera të Mesdheut kjo gaforre po kthehet në një burim të ri të përfitimeve ekonomike, në vendin tonë kërkesa për këtë produkt dhe çmimi i shitjes së saj mbeten akoma në nivele të ulëta.

E ndërkohë që përpiqemi t’i japim përgjigje pyetjes nëse gaforrja blu është një rrezik më tepër apo një burim i ri në ekosistemet tona, prania e saj është tashmë një realitet dhe kushtet për të patur sukses në shpërndarjen e saj në brigjet tona janë shumë të mira. Sipas ekspertëve zgjidhja më e mirë për momentin duket të jetë mbështetja e peshkatarëve për peshkimin intensiv të këtij lloji deri në momentin që ato do të arrijnë të zhvillojnë tregun e shitjes së saj.

 

Elvis Kamberi
Departamenti i Akuakulturës dhe Peshkimit, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: