www.pixabay.com

Fermerë, është kohë për krasitje…

Për shkak të kushteve atmosferike, klimës apo faktorëve të tjerë rrethanorë, sektori i bujqësisë jo pak herë përballet me vështirësi apo probleme nga më të ndryshmet. Procese të caktuara të këtij sektori kryhen në periudha të caktuara kohore dhe sipas disa protokolleve të hartuara e të diktuara nga ekspertë, nga përvoja ndër vite e më shumë por edhe nga shërbimet që kërkohen specifikisht.

Një ndër to, është edhe procesi i krasitjes, shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e kultivimit të një sërë kultivarësh. Profesor Petrit Ramaj nga Departamenti i Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit në UBT shpjegon në detaje procesin e krasitjes, problematikat që lidhen me të, aspektet e rëndësishme që duhet të dinë fermerët dhe jo vetëm, shërbimet respektive, qëllimet e krasitjes, metodat që duhen aplikuar, kohën kur duhet kryer ajo e të tjera informacione të domosdoshme.

Ai i vjen në ndihmë lexuesit duke dhënë një sërë sugjerimesh se ç’duhet bërë nëse ka kaluar koha e duhur e krasitjes, si duhet kultivuar e plehëruar toka, ujitja e të tjera procese si këto. Lufta kundër dëmtuesve dhe sëmundje është një tjetër ekspertizë e prof. Ramaj i cili tregon se pas krasitjes duhet të aplikohet spërkatja dimërore për parandalimin e zhvillimit të dëmtuesve dhe sëmundjeve.

Sipas tij është e rëndësishme të mos nënvlerësohet spërkatja dimërore, sidomos për ato specie dhe ato parcela, ku vitin paraardhës ka patur probleme entomologjike dhe fitopatologjike. Ramaj thotë se krasitja e pemëve frutore gjetherënëse bëhet gjatë periudhës së dimrit (gjatë qetësisë dimërore të pemëve) nga dhjetori në shkurt dhe patjetër para se sythat të fillojnë të bymehen dhe të fillojë vegjetacioni i ri. Meqenëse krasitja mund të nxisë çeljen e sythave, është mirë që në zonat e ftohta të prekura nga ngricat e vona, krasitja bëhet nga fundi i qetësisë dimërore (fundi i shkurtit deri në fillim të marsit), për sa kohë që sythat nuk janë fryrë ende.

Ai shpjegon më tej se gjatë muajit mars vazhdon normalisht krasitja e agrumeve dhe ullirit. Këtë vit, për arsye të pandemisë dhe rreshjeve të muajit shkurt, mund të mos ketë përfunduar gjatë shkurtit krasitja e pemëve gjetherënëse dhe e vreshtit. Kësisoj, krasitja mund të vazhdojë më vonë se afatet normale edhe në zonat e ngrohta. Por çfarë duhet të kemi parasysh në krasitjet jashtë afateve të cilat ai i etiketon si “krasitje të vonuara”? Këto përgjigje dhe shumë të tjera mund t’i mësoni duke lexuar materialin e përgatitur nga Prof. Petrit Ramaj.

Na Ndiqni në: