Me sukses po vijon sezoni i provimeve të semestrit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, i cili ka nisur zyrtarisht në datën 18 shkurt. Zëvendës rektori për mësimin në UBT, Prof. ASOC. Dr. Ilir Kapaj saktëson se në zbatim të udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë ky sezon është shtyrë me një javë më tepër nga sa ishte planifikuar dhe do të përfundojë në javën e katërt të muajit mars. Për shkaqe të diktuara nga pandemia e COVID 19, provimet për sezonin e dimrit në universitetin më të madh në vend, do të zhvillohen të alternuara.
Një pjesë e provimeve, për lëndë/module që janë të mundshme, po zhvillohen dhe do të vijojnë të zhvillohen online dhe pjesa tjetër po zhvillohen në auditorët e universitetit. Përafërsisht është përcaktuar që rreth 20% e totalit të provimeve në nivel universiteti të zhvillohen online dhe rreth 80% në auditor. Përsa i përket zbatimit të masave anticovid nëpër auditorë gjatë sezonit të provimeve, Prof. Kapaj garanton se janë marrë të gjitha masat që të respektohen protokollet e miratuara anticovid.
Në këtë kuadër, administrata e universitetit dhe administratorët e fakulteteve përkatës, janë angazhuar maksimalisht që studentët të jenë të pajisur me maska në sallat e provimeve, ndërsa realizohet gjithashtu procesi i matjes së temperaturës në hyrje të secilës godinë ku realizohen provimet. Gjithashtu janë siguruar dezinfektantët në hyrje të godinave. Në kuadër të respektimit të këtyre masave rektorati ka marrë vendim që për çdo seancë provimi të mos ketë më tepër së 15 studentë të pranishëm në sallë.
Lidhur me mundësitë e studentëve për të patur akses në provimet online, zv/rektori Kapaj thotë se përgjithësisht studentët e kanë një mundësi të tillë me përjashtime të rralla. Në këto raste, sipas tij, studentëve do t’u krijohet një mundësi e dytë për të marrë pjesë në provim online ose në auditor sipas rastit. Ndër të tjera Prof. Kapaj shton se plani i realizimit të provimeve për këtë semestër është pritur mirë nga ana e studentëve. Sipas tij, shumica prej tyre kanë kërkuar që provimet të realizohen në auditor dhe kjo është arsyeja se përse pjesën më të madhe të provimeve UBT ka zgjedhur ta realizojë në auditor duke respektuar dhe zbatuar në çdo rast protokollet e masave anticovid.
Alma Janka