Përvoja shqiptare në grumbullimin e bimëve aromatike e mjekësore para viteve 90-të

Në vendin tonë ekziston një traditë që në kohët e hershme për grumbullimin dhe përpunimin e bimëve aromatike e mjekësore sidomos në rrethet; Malësi e Madhe, Kukës, Dibër, Elbasan, Berat, Skrapar, Përmet dhe Gjirokastër. Studiuesja angleze Edith Durham, në disa prej shkrimeve të saj ka folur për banorët e zonave të veriut dhe të jugut të cilët shquheshin për mjekimin e plagëve me bimë mjekësore.

Në vitin 1977 u krijua Instituti i Mjekësisë Popullore, i cili merrej me shumë kërkime e studime për zhvillimin e njohurive për bimët aromatike e mjekësore dhe të metodave e praktikave të mjekësisë popullore. Falë punës për kërkimin shkencor në këtë fushë, në shumë farmaci aktualisht tregtohen një sërë bimësh me vlera të larta kurative dhe të efekshme për shërimin e shumë sëmundjeve.

Grumbullimi, tregëtimi dhe përdorimi i bimëve aromatike e mjekësore në vendin tonë është mjaft i hershëm dhe eksporti i tyre ka filluar rreth fundvitit 60-të, të shekullit të kaluar.

Në këtë kohë, puna për grumbullimin dhe mbarështimin e bimëve aromatike e mjekësore ishte e organizuar në shkallë rrethi në të gjithë territorin e vendit. Shfrytëzimi i tyre bëhej i kontrolluar dhe tregtimi në tregjet botërore ishte në nivele të larta.Deri në vitin 1990, eksportoheshin rreth 50-60 mijë ton duke shfrytëzuar rreth 165 specie mjekësore dhe aromatike, taninë dhe esenca të florës spontane dhe të kultivuara. Në këtë periudhë nisi gjithashtu edhe kultivimi i rreth 10 bimëve mjekësore dhe aromatike dhe sipërfaqet e mbjella me to, ishin më shumë se 3000 ha, të shpërndara në disa zona të vendit të specializuara në kultivimin e bimëve të tilla.

Thuajse në çdo rreth u krijuan ndërmarrjet e grumbullim-përpunimit dhe ndërmarrjet pyjore si dhe disa ndërmarrje përpunimi ku ishin instaluar distilatorë për distilimin e bimëve mjekësore. Rrjeti i furnizimit në periudhën e komunizmit ishte i organizuar shumë mirë përmes kompanisë së vetme shtetërore që ishte Albanian Import Export (AlbImpEx), administruar nga qeveria e cila kryente lidhjet mes tregjeve botërore për shitjen e bimëve mjekësore dhe erëzave. Gjatë kësaj periudhe vlera e eksporteve shkonte rreth 60-70 milionë USD në vit. Deri në vitin 1990, Shqipëria ka qenë një nga eksportuesit më të mëdhenj të bimëve etero-vajore dhe mjekësore të egra në Evropë.

Për të zgjeruar e rritur më shumë kujdesin ndaj këtyre bimëve, në vitin 1988 nga ish-Instituti i Kërkimeve të Pyjeve dhe Kullotave u realizua Inventari Kombëtar për të gjitha speciet që grumbulloheshin si te egra në vendin tonë. Inventari ka përshkruar llojet që rriten në vendin tonë, përhapjen e tyre në zonat fitoklimatike të përshtatshme, prodhimtarinë potenciale dhe mundësitë e të ardhurave nga këto bimë nëse do të shfrytëzoheshin e të mbarështoheshin me kritere shkencore.

 

Prof. Dr. Alban Ibraliu
Pedagog në Departamentin e Shkencave Agronomike, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: