DCIM100MEDIADJI_0117.JPG

Programe studimi të nivelit bachelor dhe master në degën Arkitekturë Peizazhi

Programi i Arkitekturës së Peizazhit në Universitetin Bujqësor të Tiranës mbështetet në trashëgiminë unike të këtij universiteti si universiteti më i vjetër dhe i klasifikuar si më i miri në Shqipëri, me një zhvillim të gjerë të shkencave të jetës, mjedisore, teknologjike  e sociale të cilat qëndrojnë edhe në themelet e këtij profesioni. Nëpërmjet programeve të arkitekturës së peizazhit synohet që të krijohet një mjedis të mësuari në të cilin pedagogët, stafi dhe studentët të mund të përparojnë disiplinën dhe profesionin e arkitektit të peizazhit përmes zbulimeve krijuese, vlerësimit kritik dhe transmetimit të njohurive. Metoda e të mësuarit është interdisiplinore dhe thekson ndjeshmërinë mjedisore duke krijuar njëkohësisht cilësinë më të lartë të mundëshme të jetës për njerëzit përmes projektimit të peizazhit, planifikimit, politikave, ruajtjes dhe manaxhimit. Kjo realizohet përmes një programi të integruar të kërkimit dhe njohjes, mësimdhënies dhe të nxënit, shërbimeve publike dhe praktikës profesionale.

Ky program synon të ofrojë një shërbim arsimor në nivelin më të lartë në fushën e arkitekturës së peizazhit nëpërmjet një kurrikule koherente me nevojat e tregut. Vendet ku punojnë arkitektët e peizazhit janë hapësirat publike; mushkëritë e gjelbra të qyteteve tona, parqet dhe sheshet, kopshtet dhe vendet historike etj. Pjesë e punës së arkitektëve të peizazhit janë mbështetja e parqeve kombëtare dhe e rezervateve natyrore, duke trajtuar çështje të mëdha aktuale si sfidat e biodiversitetit, mbrojtja e specieve dhe habitateve, mbrojtja e ligatinave dhe përshtatja me ndryshimet klimatike. Karriera publike në arkitekturë peizazhi përfshin pozicione në institucionet planifikuese rajonale, të qarqeve dhe bashkive dhe në agjencitë e parqeve,  rekreacionit dhe transportit. Angazhimi në sektorin privat përfshin përgatitjen e projekteve rekreativë, rezidencialë, komercialë, institucionalë dhe industrialë, si dhe planet e përgjithshme të qendrave të reja të banimit. Pjesë e rëndësishme e rolit të të diplomuarve në arkitekturë peizazhi janë edhe mbrojtja mjedisore, restaurimet historike dhe përpjekjet për rekuperimin e zonave të degraduara dhe të ndotura.

Na Ndiqni në: