LindaSaitos - www.pixabay.com

Zonat e mbrojtura dhe potencialet e zhvillimit të tyre

Vlerat ekonomike të zonave të mbrojtura të Shqipërisë

Zonat e mbrojtura të kategorive të ndryshme mbulojnë mbi 17% të sipërfaqes së Shqipërisë. Ekzistojnë mbi 750 zona të mbrojtura, duke përfshirë edhe monumente të natyrës. Sipërfaqja e përgjithshme e zonave të mbrojtura në Shqipëri është rreth 456,000 ha. Megjithëse shumica e tyre janë krijuar fillimisht për të mbrojtur habitatet natyrore, kafshët e egra, ose më rishtazi, biodiversitetin, ato pritet të ofrojnë gjithnjë e më shumë përfitime më të gjera për shoqërinë njerëzore.
Aktivitetet kryesore që gjenerojnë përfitime ekonomike (kryesisht përfitime të vogla ekonomike) brenda zonave të mbrojtura janë kullotja e bagëtive, prodhimi i mjaltit, mbledhja e bimëve medicinale dhe turizmi (Figura 1). Ruajtja e natyrës renditet si aktivitet që çon në gjenerimin e të ardhurave për shkak se aktorët i konsiderojnë zonat e mbrojtura si vende ku vlerat natyrore, kultura dhe vlerat specifike të zonës janë elemente kyç për promovimin e turizmit.

Vlerat më të larta ekonomike lidhen me përdorimin e ujit (hidrocentrale, ambalazhimi i ujit në shishe dhe ndërmarrjeve bashkiake të furnizimit me ujë), të cilat pasohen nga kullotja e bagëtive (produktet e bulmetit), turizmi dhe aktivitetet e kalimit të kohës së lirë.

Pjesa më e madhe e të ardhurave në këto zona vijnë nga ofrimi i shërbimeve /provisioning services të tilla si prodhimi i ushqimeve, lëndët e para , uji dhe burimet medicinale. Shërbimet rregullatore/regulating services, të tilla si lehtësimi i ndryshimeve klimatike, parandalimi i përmbytjeve dhe stabilizimi i tokës nuk raportohen të njihen si me vlerë ekonomike në ndonjërën nga zonat e mbrojtura. Kjo reflekton situatën aktuale, pasi autoritetet e menaxhimit të zonave të mbrojtura, banorët vendas ose bashkitë nuk gjenerojnë aktualisht ndonjë përfitim ekonomik nga kontribuimi për ruajtjen e shërbimeve të ekosistemit rregullator.

Koncepti i pagesave për shërbimet e ekosistemit (PES) është një mekanizëm financiar relativisht i ri, ku përfituesit e shërbimeve të ekosistemit ofrojnë stimuj ekonomikë (vullnetarë ose të kërkuara me ligj) për ofruesit e shërbimit. Në Shqipëri, të tillë mekanizma nuk janë të zhvilluara si duhet. Ekzistojnë disa skema mbështetëse për zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme, kryesisht për prodhimin organik dhe kullimin në nivel kombëtar, por nuk ka një skemë specifike që i dedikohet posaçërisht zonave të mbrojtura.

Figura . Lista e vlerave ekonomike dhe krahasimi midis vlerave ekonomike kryesore dhe të vogla në 13 zona të mbrojtura të vlerësuara në Shqipëri.

Aktivitetet kryesore me përfitime ekonomike në zonat e mbrojtura

Turizmi

Turizmi dhe aktivitetet e kohës së lirë janë vlerësuar me një nga rezultatet më të larta për vlerat e vogla ekonomike.

Grupet e ndryshme të aktorëve mund të mos kenë njohuri të mjaftueshme mbi të ardhurat aktuale që gjeneron turizmi në zonat e mbrojtura. Në katër parqet kombëtare që theksuan rëndësinë e madhe ekonomike të turizmit, të ardhurat nga aktivitetet e lidhura me turizmin kanë shkuar drejt sektorit të biznesit lokal (në Butrint, Valbonë dhe Dajt) dhe komunitetit lokal (në Valbonë dhe Theth).

Zonat natyrore dhe rurale në Shqipëri ofrojnë mundësi për zhvillimin e turizmit rural, malor, ekoturizmit dhe agroturizmit, si dhe aktivitete të ndryshme në natyrë. Disa nga shembujt janë: rafting (Osum, Berat, Vjosë), parashutizmi (Parku Kombëtar i Llogarasë), ngjitja e malit me biçikletë (Parku Kombëtar i Dajtit), peshkimi (liqeni i Shkodrës, liqeni i Prespës, liqeni i Pogradecit), ecjet e gjata (trekking), ngjitja e malit, ecjet dhe shëtitjet me kuaj me shalë në parqet kombëtare si Valbona dhe Thethi. Disa prej këtyre aktiviteteve janë arsyet kryesore që i tërheqin turistët ndërkombëtarë në zonat e mbrojtura. Është organizuar një numër mbresëlënës turnesh në zonat malore të Shqipërisë, të tilla si në Alpet e Veriut (Parku Kombëtar i Thethit, Vermosh-Lepushës, Parku Kombëtar Valbonë dhe Tropojë), zonës malore të Tiranës (Parku Kombëtar i Dajtit) dhe Korçës (Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës), kodrat e Elbasanit dhe Librazhdit (Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë), Tomorrit, Parkut Kombëtar të Llogarasë, Karaburunit dhe zonës malore të Gjirokastrës dhe Përmetit. Numri i turistëve është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

Investimet e fundit në infrastrukturën fizike të Shqipërisë kanë ushtruar ndikim mbi rritjen e turizmit në Alpet Shqiptare. Autostrada e re Milot-Kukës dhe rruga e saposhtruar për në Valbonë, mundësojnë akses më të lehtë në rajon. Donatorët (kryesisht GIZ-i) po punojnë me autoritetet dhe komunitetet lokale për zhvillimin e standardeve dhe protokolleve për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në zonë.

Përveç kësaj, krijimi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) ka ngritur profilin e zonave të mbrojtura të Shqipërisë. Që prej krijimit të AKZM-së (në vitin 2015), qytetarët vendas dhe të huaj po njihen gjithnjë e më tepër me konceptin e zonave të mbrojtura dhe po mësojnë më shumë për zonat e mbrojtura të Shqipërisë.

Turizmi në zonat e mbrojtura të Shqipërisë është ende në zhvillim e sipër. ZM-të e Shqipërisë nuk kanë kapacitete në personel ose në strukturë organizative për të zhvilluar turizmin e qëndrueshëm në mënyrë efektive. ARZM-të nuk kanë në strukturat e tyre ekspertë turizmi. Në këtë mënyrë, pavarësisht progresit të kohëve të fundit, numri i vizitorëve në ZM-të e Shqipërisë është ende i ulët, po të krahasohet me destinacionet e tjera turistike të Shqipërisë, si për shembull zonat bregdetare. AKZM-ja po investon për përmirësimin e kapaciteteve dhe infrastrukturës së saj. ARZM-të kanë ndërtuar dhe tani menaxhojnë shtatë qendra vizitorësh/ pika informuese dhe po ndërmerren veprime për të përmirësuar infrastrukturën turistike (të tilla si shtigje, shenja, kulla vrojtimi dhe vende pushimi) në disa parqe.

Bimët medicinale

Flora e Shqipërisë është shumë e pasur sidomos në bimë medicinale, aromatike dhe erëza. Rreth 30% e të gjitha specieve bimore evropiane gjenden në Shqipëri, ndërsa 27 lloje dhe 15 nënspecie janë endemike[2]. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se rreth 95% e bimëve mjekësore dhe aromatike në Shqipëri eksportohen në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Zonat ku palët e interesit e njohin mbledhjen e bimëve medicinale si burim të rëndësishëm të të ardhurave ekonomike për njerëzit që jetojnë në këtë zonë janë: Prespa dhe Dajti, Shebenik-Jabllanica, Tomorri, Valbona, Qafë-Shtama, Bredhi i Drenovës, Llogaraja, Thethi, dhe Valbona. Bimët medicinale dhe aromatike (BMA) janë një nga produktet më të rëndësishme që eksportohen nga mbjellja e bimëve medicinale dhe erëzave është një aktivitet që përfshin familje të tëra, sidomos gratë: rreth 50% e fuqisë punëtore përbëhet nga femra, 30% nga fëmijë (të të dy gjinive) dhe 20% nga burrat, ndërsa bujqësia mbetet aktivitet i dominuar nga meshkujt. Vlerësimet aktuale tregojnë se në sektorin e bimëve medicinale janë të përfshira mbi 100,000 familje. Në Shqipërinë e Veriut, vlerësohet se rritja e bimëve medicinale dhe aromatike përbën rreth 35% të të ardhurave familjare. Ekzistojnë katër fshatra brenda zonës së Parkut Kombëtar të Valbonës, ku ka rreth 400-500 njerëz të përfshirë në këtë aktivitet. Në të njëjtën kohë, mungesa e organizimit në nivel rural dhe kolektiv vazhdon të pengojë në mënyrë të konsiderueshme përmirësimet në kontrollin e cilësisë, veçanërisht në lidhje me trajtimin pas mbledhjes. Përveç kësaj, potenciali për ndikim negativ në mjedis mbetet shumë real.

 

Prof. Assoc. Anila Boshnjaku
Departamenti i Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural, Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.

 

Materiali është bazuar në PABAT Albania, document i cili është përgatitur nga një grup autorësh (përfshirë Anila Boshnjaku) në kuadër të projektit të WWF Adria.
[2]Shpërndarja, prodhimi, statusi potencial dhe ruajtës i pesëmbëdhjetë bimëve kryesore botanike në Shqipëri: vlerësim i shpejtë,” Projekti i Bimëve dhe Erëzave, USAID IFDC/AAATA, dhjetor 2003.

Na Ndiqni në: