Konteksti i tregtisë bujqësore ndërkombëtare gjatë viteve të fundit po evidenton nga njëra anë një rritje të konkurrencës globale në tregjet kryesore të eksportit me vendet në zhvillim dhe nga ana tjetër paqëndrueshmëri në këto tregje. Tregtia e produkteve bujqësore dhe blegtorale i është nënshtruar një konkurence globale në rritje dhe intensifikimi të konkurrencës në lidhje me çmimin dhe cilësinë e produktit, ndërsa detyron prodhuesit bujqësorë për të arritur një diferencim më të madh të produkteve të tyre në lidhje me konkurrentët, pozicionimin e tyre në segmente tregu më fitimprurëse për të siguruar pjesën e tyre të tregut.
Regjistrimi i produktit si tregues gjeografik (TGJ) e jep këtë mundësi, pasi produkti mund të etiketohet dhe të promovohet për cilësitë që ai bart. TGJ është një markë kolektive që menaxhohet nga prodhuesit dhe aktorë të tjerë të zinxhirit të vlerës por nga ana tjetër, duke qënë pjesë e trashëgimisë kulturore, mbrojtja e tij sigurohet nga shteti. Gjatë disa viteve të fundit, TGJ kanë stimuluar një interesim të madh të prodhuesve, kërkuesve shkencorë, politikëbërësve, organizatave joqeveritare, etj. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në Shqipëri, ku janë mbështetur disa iniciativa për ngritjen dhe regjistrimin e markës “tregues gjeografik”.
Çfarë është një tregues gjeografik?
Sipas përkufizimit të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), një “tregues gjeografik” është “një shenjë”, e cila identifikon një produkt/mall me origjinë në territorin e një vendi ose një rajoni apo lokaliteti, ku një cilësi e caktuar, reputacion ose karakteristikë tjetër e produktit i atribuohet në thelb origjinës së tij gjeografike”. Treguesit gjeografike (TGJ) janë emra që janë përdorur për të identifikuar dhe tregtuar produkte bujqësore dhe ushqimore, verëra apo dhe produkte të tjera të bëra tradicionalisht të tilla siç janë edhe produktet artizanale.
Shembuj të këtyre produkteve mund të jenë lloje të ndryshme kafeje apo produkte si, “Champagne”, “Parmigiano Reggiano”, “Scotch” apo edhe “Tequila” në tregjet ndërkombëtare si dhe produkte shqiptare të tilla si; mishi i kecave të Hasit, djathi i Gjirokastrës, jufkat e Dibrës, fiku i thatë i Roshnikut, etj. Këto produkte i kanë rrënjët thellë në një mjedis të caktuar gjeografik dhe kulturor. Cilësitë unike dhe karakteristikat e produkteve të tilla varen thelbësisht nga origjina e tyre gjeografike, nga kushtet klimaterike, nga përbërja e tokës, njohuritë e njerëzve dhe faktorë të tjerë.
Një nga këto produkte është edhe mishi i kecave të Hasit që ka një reputacion të mirë ndër konsumatorët e kësaj kategorie. Ky reputacion i referohet zonës së Hasit ku prodhohet ky mish, si edhe rracës së dhive të Hasit, mjaft të njohura për përshtatjen me klimën e ashpër dhe terrenin e kësaj zone. Emri “kec Hasi” për konsumatorin nënkupton mish të shijshëm të rritur në kullota të pasura natyrore.
Megjithatë ky reputacion nuk përkthehet automatikisht në vlerë më të lartë në treg, për arsye të keqpërdorimit të tij nga prodhues dhe tregtarë të ndryshëm. Në mënyrë që fermerët të shpërblehen për produktin e tyre, duhen shmangur spekulimet me emrin e produktit dhe nga ana tjetër, duhet të garantohen konsumatorët që produkti që blejnë është pikërisht ai që kërkojnë.
Po si regjistrohet një tregues gjeografik? Si u regjistrua marka “kecat e Hasit” si tregues gjeografik?
Regjistrimi si “Tregues Gjeografik” kërkon të përmbushen disa kushte. Së pari, duhet të demonstrohet dhe dokumentohet që ky produkt është i veçantë dhe dallon nga produkte të tjerë, pra që reputacioni i tij të mos pretendohet nga prodhues dhe produkte të tjera të ngjashme.
Për këtë qëllim, në rastin e “kecave të Hasit” u realizua studimi gjenetik i racës së dhive të Hasit, me synim evidentimin e dallimit me raca dhe populacione të tjera; u bë karakterizimi fenotipik i saj mbi bazën e matjeve trupore, parametrave të zhvillimit si dhe karakteristikave të tjera të pamjes së jashtme si ngjyra e mantelit, forma e veshëve, si dhe u realizuan analiza të mishit të kecave, për të evidentuar përbërjen e mishit, përmbajtjen në proteinë dhe yndyrë, etj. Së dyti, u evidentuan veçoritë e praktikave të mbarështrimit, si një element tjetër i tipicitetit, që e lidh këtë produkt me njerëzit dhe kulturën e tyre pastorale.
Së treti, u evidentua lidhja e produktit me territorin. Për këtë qëllim u studiuan dhe evidentuan veçoritë e terrenit ku mbarështrohet dhia e Hasit, përbërja e kullotave, etj., duke evidentuar kështu veçoritë e territorit dhe dallimet e tij me territore të tjera në zonat përreth dhe më gjerë. Në përfundim të këtij procesi, u përcaktuan kufijtë e territorit që do të mbulojë marka “Tregues Gjeografik”, pra të territorit ku do të prodhohet produkti, si kusht përcaktues për marrjen e markës.
I gjithë ky proces realizohet me një bashkëpunim të fermerëve dhe aktorëve lokalë të interesuar dhe me specialistë dhe ekspertë të fushave përkatëse. Grupi i aktorëve u organizua në një shoqatë, e cila formuloi edhe kriteret që duhet të plotësojë çdo prodhues për të garantuar Treguesin Gjeografik “Kecat e Hasit”.
Kriteret për produktin, pra standarti i produktit u përcaktua dhe miratua nga vetë grupi i aktorëve, në një dokument që quhet “Kodi i Praktikës” dhe që është i detyrueshëm të zbatohet për çdo produkt që do të përdorë markën. Aktorët lokalë të organizuar në shoqatë kanë për detyrë të ndjekin respektimin e kritereve të markës, pra “Kodin e Praktikës” si dhe të organizojnë kontrollin në të gjithë anëtarët për zbatimin e tij. Regjistrimi i markës “Kecat e Hasit”, i dha një shtysë marketimit të mishit të kecave dhe u reflektua në një rritje të çmimit të shitjes me rreth 10%.
A mund të regjistrohen produkte të tjera blegtorale?
Sot, në mbarë botën dhe veçanërisht në vendet e zhvilluara europiane përdorimi i markës “Tregues Gjeografik”, është bërë një element mjaft i rëndësishëm marketimi. Shqipëria ka një pasuri produktesh tradicionale si djathra, verëra e produkte të agropërpunimit, të cilat mund të marrin vlera shtesë në treg nëse regjistrohen me markën “Tregues Gjeografik”. Kjo vlerë është akoma më e madhe nëse këto produkte eksportohen në vendet Evropiane, ku konsumatori e vlerëson mjaft brandimin me këtë markë.
Prof. Asoc. Petrit Dobi
Departamenti i Prodhimit Shtazor, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.