Tenja e ullirit është një dëmtues që shkakton dëme të konsiderueshme në kulturën e ullirit dhe po afrohet koha per te patur nje kujdes te veçante ne ullishtet tona.
Tërheqim vëmendjen kultivuesve te kësaj bime, të mos e neglizhojnë ketë dëmtues.
- Humbet prodhimin si rezultat i dëmit nga larva
- Dëmtohet lulja nga larvat e breznisë antofage
- Dëmtohet fruti i ullirit nga larvat karpofage
- Dëmtohen gjethet nga larvat filofage
Insekti i rritur është një flutur e vogël me gjatësi 5-6.5 mm dhe me hapjen e
krahëve me një gjerësi 12-15 mm, ngjyrë gri me reflekse të argjendta dhe me disa
njolla të zeza mbi krahët e sipërm.
Veza është e vogël rreth gjysëm milimetri me formë të sheshtë. Ngjyra në fillim është e bardhë, më vonë zverdhet duke marrë së fundi një ngjyrë kafe, e cila tregon praninë e larvës në brendësi të saj.
Larva, e porsa çelur ka një gjatësi 0.6 mm me një ngyrë kafe të hapur. Larva e
rritur ka gjatësi 7- 8 mm. Mbi larvën me ngjyrë kafe të hapur evidentohet koka me një ngjyrë më të errët si dhe 2 shirita me ngjyrë ulliri në pjesën dorsale si dhe 2 shirita të verdhë në pjesën anësore të trupit.
Krizalida, ajo ka gjatësi 5 mm me ngjyrë kafe dhe gjëndet e mbështjellur brenda një mëshikëze me ngjyre gri.
Kontrollit të tenjës së ullirit
Kurthe me ferromone
Kontrolli i dëmtuesit mbi bazën e biologjisë së insektit dhe dendësisë së popullatës jep mundësi për të patur një monitorim si dhe një kampionim për të bërë të mundur ecurinë dhe vlerësimin e dëmit nga ky dëmtues.
Monitorimi dhe kufiri kritik
Përdorimi i kurtheve me ferromone është i nevojshëm për të përcaktuar momentin për trajtim kimik. Instalimi i kurtheve me ferromone 3 për ha bëhet gjatë muajit maj sapo fillojnë fluturimet e breznisë antofage (lulet).
Ndërhyrjet agronomike
Ndikimi i përzierjes së Varieteteve
Prania e disa varieteteve të ullirit që lulëzojnë herët ose kultivarëve për tavolinë me fruta të mëdhenj janë tërheqës për tenjën e ullirit duke qenë joshës për vendosjen e vezëve.
Ndikimi i krasitjes
Krasitja duke ndikuar mbi numrin e luleve dhe të ullinjve në pemë kushtëzon përqindjen e ullinjve mbi të cilat depozitohen vezët e tenjë së ullirit. Sa më pak fruta ndodhen në një ulli aq më e lartë është përqindja e frutave në të cilën vendosen vezët e tenjës.
Kujdes!
Rreziku është më i lartë në ullinjtë e krasitur rëndë.
Pesha e frutit influencon në rrëzimet e shtatorit, si rrjedhojë krasitjet e rënda kanë si rezultat një rritje të madhe të peshës së frutit.
Ndikimi i zgjedhjes së kultivarit
Në përgjithësi ullinjtë kokërr vogel janë më rezistentë se ato kokërrmadh.
Mjetet e ndërhyrjes kimike
Zakonisht përdoren lëndë aktive me veprim citotropik për të bllokuar larvat e reja të cilat sapo kanë depërtuar në brendësi të kokrrës së ullirit.
Rekomandim!
Për kontrollin e këtij dëmtuesi të përdoret Rotenoni si dhe vajrat mineralë të bardha në dozën 1 %.
Trajtimi me Bacillus thuringiensis kundër breznisë antofage, vajra mineral të bardha 1% dhe Derris eliptica.
Vlen të theksohet se përdorimi i Bacillus Thuringiensis Berliner ka treguar një ngordhshmëri të lartë në larvat e reja që ndodhen në lule, duke reduktuar shkallën e infeksionit në brezninë pasardhëse dhe pa pasur efekte sekondare ndaj armiqve natyralë.
Ndërhyrja kimike realizohet me prezencën e larvave që sapo depërtojnë kokrrën e ullirit.
Gjatë kësaj kohe merren kampione të frutave të ullirit për të verifikuar prezencën e vezëve e të larvave me qëllim që përcaktohet përqindja e infeksionit.
Kufiri kritik:
Për ullinjtë për tavolinë 5-7 % e infeksionit (shuma e vezëve dhe larvave që sapo kanë depërtuar në kokërr).
Për ullinjtë për vaj 10-15 % e infeksionit (shuma e vezëve dhe larvave që sapo kanë depërtuar në kokërr).
Ndikimi i temperaturës
Temperatura minimale është 12-13oC ndërsa temperatura optimale 25-30oC. Temperatura ka influencë në vezëvendosje. Zhvillimi normal i vezës në temperaturë 18o C, temperatura mbi 27-28oC ngadalësojnë zhvillimin duke shkaktuar shpesh herë ngordhshmërinë e vezëve të breznisë karpofage.
Temperaturat e larta vrasin larvat e breznisë karpofage (frutin).
Prof. Dr. Shpend Shahini
Përgjegjës i Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.