Teknologjitë mbrojtëse prej dëmtimit nga ngricat, të pemëve frutore, vreshtave dhe bimëve subtropikale

Ndonëse aktualisht vendi është ndikuar nga kushte të qëndrueshme atmosferike me masa ajrore të thata, një pjesë e konsiderueshme e territorit shqiptar, po përjeton temperatura mjaft të ulëta, acar dhe ngrica. Të ftohtin dhe pasojat e një moti me temperatura nën zero gradë, nuk i ndjen dhe i përjeton vetëm njeriu si qënia më e përkryer frymore, por po aq të ndjeshme ndaj fenomeneve të tilla atmosferike, janë edhe bimët, pjesë e një bote aq të larmishme e plot varietete.

Por çfarë thonë specialistët për bimët dhe raportin e tyre me të ftohtin/ngricat?

Prof. Dr. Endrit Kullaj, pjesë e departamentit të ‘’Hortikulturës dhe arkitekturës së peisazhit’’ në UBT, shpjegon në detaje një sërë procesesh e problematikash që ndërlidhen me këtë aspekt gjithëpërfshirës.

Ngricat janë përgjegjëse për më shumë dëme se të gjithë insektet, sëmundjet, brejtësit dhe barërat e padëshirueshme së bashku. Në dimrat e 1984 – 85 dhe 1986 – 87 në vendet e Evropës perëndimore dhe lindore u thanë miliona pemë. Ngricat pranverore janë dukuritë klimatike negative më të shpeshta që ndikojnë mbi prodhimtarinë e pemëve frutore dhe kufizojnë përhapjen e specieve dhe kultivarëve në zona të caktuara. Ngricat pranverore zakonisht ndodhin në netët e qeta gjatë orëve të fundit të natës dhe të para të mëngjesit, me qiej të kthjellët dhe pak erë. Këto quhen ngrica rrezatuese për shkak të rrezatimit të nxehtësisë nga toka dhe bimët për në qiellin pa re që ul temperaturat në shtresat më të ulëta të ajrit (2 – 3 m nga toka). Me rënien e temperaturave ajri i ftohtë grumbullohet në fushëgropa dhe për shkak të mungesës së erës, nuk shpërhapet. Sa më e fortë dhe e zgjatur ngrica, aq më e thellë bëhet shtresa e të ftohtit. Ngricat rrezatuese janë një shkak madhor për t’u shqetësuar në shumicën e rajoneve të prodhimit të drufrutorëve të klimës së butë. Ngricat mund të jenë të ardhura, në rastin kur vijnë masa të mëdha ajri të ftohtë nga zonat polare, të cilat shpesh e mbajnë temperaturën nën zero edhe gjatë ditës. Në fund, ngricat mund të vijnë edhe nga avullimi që ndodh kur bimët janë të njomura dhe lagështia relative është aq e ulët sa të përcaktojë një avullim të fortë që tërheq me shpejtësi nxehtësinë nga bimët.

Figura 1. Dëmtimi i sythit lulor

Ngricat dimërore, që mund të dëmtojnë bimët tropikale dhe nëntropikale, zakonisht nuk kanë ndikim mbi llojet drufrutore të klimës së butë në ato rajone që kanë klimë relativisht të butë. Megjithatë, pasi sythat gjethorë (drunorë, vegjetativë) dhe lulorë (frutor, gjenerativ) fillojnë të fryhen në pranverë, temperaturat nën 0°C mund të jenë dëmtuese. Në çeljen e sythit, kur nis të duket ngjyra e petlave, llojet

drufrutore të klimës së butë shpesh tolerojnë temperatura  nga -3 deri -5°C. Lulet që janë duke u hapur mund t’u bëjnë ballë temperaturave prej -2 deri -3°C, ndërsa në lulëzim të plotë, temperatura që variojnë nën -2 deri -3°C mund të ngordhin vezoren, e duke qenë se frutat janë formuar, ato mund të dëmtohen ose të ngordhin nga temperaturat nën -1 deri -2°C. E rëndësishme është kohëzgjatja e ekspozimit; periudha të shkurtra mund të mos bëjnë dëm, por periudha të gjata prej 30 minutash apo më shumë zakonisht do të shkaktojnë dëmtim.

Këto temperatura dëmtuese janë të vlefshme për pjesën dërrmuese të pemëve frutore. Speciet më të ndjeshme midis pemëve frutore bërthamore janë pjeshka dhe kajsia, të ndjekura nga dardha dhe molla. Arrat, mjedrat dhe luleshtrydhet janë të ndjeshme ndaj temperaturave ndërmjet -1 dhe -2°C nga periudha e fryrjes së sythave e më pas. Rrushtë e serezit (Ribes nigrum L.) dhe rrushtë e frëngut (Ribes uva-crispa L.) duket se janë më tolerantë ndaj ngricave dhe lulet mund t’u mbijetojnë temperaturave -3 deri -4°C. Boronicat janë edhe më tolerante (afro -5°C), ndërkohë që lulet e lajthisë janë në gjendje të përballojnë -5°C.

Zakonisht lulet janë më të ndjeshme ndaj dëmtimit prej ngricave se sa gjethet. Megjithatë, tek aktinidja dhe hardhia, sythi i cili çel në pranverë prodhon një lastar gjethor (vegjetativ). Lulet shfaqen në atë lastar vetëm disa javë më vonë. Kësisoj, një ngricë që ndodh pas çeljes së sythit do t’a thajë tërë lastarin dhe ndërkohë që një lastar i ri mund të dalë nga baza e lastarit të vjetër, është pashmangshmërisht më pak frytifikues. Për aktinidën, janë kritike temperatura -1.5 deri -2.0°C ose më të ulëta; hardhia mund të tolerojë temperatura pakëz më të ulëta (-2 deri -3°C).

Toleranca ndaj ngricave dhe qëndrueshmëria ndaj të ftohtit të dimrit

Figura 2. Dëmtimi nga ngricat i degëzave të dardhës

Dëmtimi nga i ftohti dimëror i pjesëve drunore vjen nga tkurrja e protoplazmës të qelizave me daljen e ujit në hapësirat ndërqelizore. Bimët e goditura shfaqin në pranverë një fillim të aktivitetit vegjetativ të ndjekur nga një tharje e shpejtë që shfaqet kur shterrojnë rezervat ekzistuese në degët e veçanta, atëherë kur janë prekur indet përçuese. Në kushte të barabarta, pjesët më të ndjeshme të pemës janë ato që janë drunjëzuar dobët, siç ndodh kur vjeshta ka një ecuri të lagësht me një temperaturë të butë. Zgjatja e tepërt e aktivitetit vegjetativ e shkaktuar nga ujitje të vonuara mund të favorizojë këtë predispozicion ndaj dëmit.

Veç ndjeshmërisë së veçantë të species dhe kultivarit që ka një bazë gjenetike dhe përshtatshmërie, ndjeshmëria më e madhe apo më e vogël e luleve ndaj uljeve të temperaturave pranverore varet nga kushtet fiziologjike të pemës, nga toka ku gjendet (përgjithësisht pemët në toka argjilore janë më të ndjeshme ndaj atyre në toka pa strukturë ose ranore), nga lagështia ajrore dhe nga faza e hapjes në të cilën ndodhen lulet.

Pasojat ekonomike të dëmtimit nga ngrica mund të jenë të rënda. Një ngricë e rëndë mund të shkatërrojë të gjithë frutat, ndërsa një ngricë e lehtë mund të zvogëlojë në mënyrë të konsiderueshme prodhimin. Nëse ngrica ndodh pasi fryti është formuar por nuk është aq e rëndë sa të depërtojë tek farërat, fryti i dëmtuar mund të mos rrëzohet por dëmtimi i indit tulor mund të shkaktojë shenja ose deformime që zgjasin deri në pjekje. Ato pemë frutore të cilat lulëzojnë herët në pranverë, siç janë bajamet dhe kajsitë, janë natyrshëm më të rrezikuara se sa ato që lulëzojnë më vonë, si për shembull mollët. Cilado qoftë metoda e kontrollit të ngricës së përdorur, ajo nuk duhet ndërprerë deri sa temperatura jashtë zonës së mbrojtur të rritet disa gradë mbi nivelin e rrezikut.

Përdorimi i spërkatësve

Nëse një syth lulor është vazhdimisht i mbuluar nga uji gjatë procesit të ngrirjes, indet e atij sythi nuk do të bien nën 0°C. Kjo vjen si pasojë e nxehtësisë latente të ngrirjes, pra duke kaluar nga gjendja e lëngët në të ngurtë, uji çliron nxehtësi (80 kcal për litër). Me fjalë të tjera, mund të ketë akull që mbulon lulen por për sa kohë që është i pranishëm ujë i pangrirë, temperatura nuk do të bjerë nën 0°C. Duke qenë se kjo temperaturë nuk është dëmtuese për indet e llojeve drufrutore të klimës së butë, spërkatja mbi pemë gjatë periudhës së ngricave mund të jetë një mënyrë efektive për të parandaluar dëmtimin nga ngricat. Spërkatësit mbi kurorë vendosen në pemëtore dhe pipëzat (sprucatorët) regjistrohen për të shpërndarë 3.8 mm/h.  Kjo është e mjaftueshme për të përballuar një ngricë ku temperaturat bien në -6 ose -7°C. Duhet mbajtur parasysh se sistemi i furnizimit të ujit duhet të jetë në gjendje për ruajtur një lagie të pemëve në tërë bllokun. Spërkatësit nën kurorë e mjegullojnë ujin duke krijuar një mjegull të vërtetë që kufizon humbjen e nxehtësisë nga toka; për më tepër, një pjesë e mjegullës kondensohet dhe ngrin në tokë duke çliruar nxehtësi.

Nëse toka është e mbuluar me bimësi, ndikimi pozitiv shtohet në përpjesëtim me sasinë e akullit që formohet mbi bar. Për spërkatjen mbi kurorë nevojiten sasi më të mëdha uji sesa për mjegullimin nën kurorë; gjithsesi, në rastin e parë mund të mbrojmë pemëtoren nga ngrica që i tejkalojnë -4°C. Nga ana tjetër, ujitja mbi kurorë presupozon një terren me kullim të mirë për të shmangur krijimin e kushteve të rrezikshme të asfiksimit të rrënjëve. Për të përcaktuar se kur duhet të fillojë përpjekja për të përballur ngricën nëpërmjet spërkatësve, kultivuesit duhet të instalojnë një termometër me rezervuar të lagët pranë pjesës fundore të zonës frytifikuese. Spërkatësit duhet të ndizen kur temperatura arrin nivelin kritik për atë specie drufrutore, zakonisht -1°C. Në të kundërt, ato mund të automatizohen për t’u ndezur në temperatura të paracaktuara.

Foto 3. Përdororimi I spërkatjes mbi kurorë të një blloku me mollë për të shmangur dëmtimin nga ngrica. Të njëjtë spërkatës (shihedhës) mund të përdoren edhe për ujitjen e pemëtores.

Nëse toka është e mbuluar me bimësi, ndikimi pozitiv shtohet në përpjesëtim me sasinë e akullit që formohet mbi bar. Për spërkatjen mbi kurorë nevojiten sasi më të mëdha uji sesa për mjegullimin nën kurorë; gjithsesi, në rastin e parë mund të mbrojmë pemëtoren nga ngrica që i tejkalojnë -4°C. Nga ana tjetër, ujitja mbi kurorë presupozon një terren me kullim të mirë për të shmangur krijimin e kushteve të rrezikshme të asfiksimit të rrënjëve. Për të përcaktuar se kur duhet të fillojë përpjekja për të përballur ngricën nëpërmjet spërkatësve, kultivuesit duhet të instalojnë një termometër me rezervuar të lagët pranë pjesës fundore të zonës frytifikuese. Spërkatësit duhet të ndizen kur temperatura arrin nivelin kritik për atë specie drufrutore, zakonisht -1°C. Në të kundërt, ato mund të automatizohen për t’u ndezur në temperatura të paracaktuara.

Këshilluesit, konsulentët apo tregtarët e pajisjeve ujitëse janë në gjendje të këshillojnë për instalimin dhe vënien në përdorim të tyre. Të tillë spërkatës mund të jenë në gjendje të përdoren njëkohësisht edhe për ujitje, edhe pse për këtë qëllim duhet të instalohen pipëza me një kapacitet më të lartë si dhe të merren masa për ta ndarë bllokun në zona ujitje që përputhen me kapacitetin e sistemit të furnizimit me ujë. Për më tepër, sigurisht që ekzistojnë situata ku problemet e sëmundjeve verore do të pengojnë ujitjen nga sipër pemëve. Ekzistojnë disa disavantazhe të rëndësishme për përdorimin e spërkatësve nga sipër pemëve për mbrojtjen nga ngrica.  Duke qenë se spërkatjet nuk mund të ndërpriten deri sa temperaturat e ajrit rriten në nivele jongrirëse, një rrezik madhor i pemëve ose hardhive mund të jetë thyerja e degëve të shkaktuara nga grumbulli i akullit. Në vendmbjelljet që nuk janë të kulluara mirë, mund të shfaqet problemi i përmbytjes dhe nga kjo mund të shfaqen probleme të sëmundjeve të rrënjëve.

Figura 4. Përdorimi i ujitjes mbi krye kundra dëmtimit prej ngricave të pemëve të dardhës gjatë periudhës së fillimit të lulëzimit.

Përdorimi i ventilatorëve ose makinave të erës

Temperatura e ajrit në një natë me ngricë rritet me rritjen e lartësisë mbi tokë. Kësisoj, një temperaturë ajri prej -2°C në 1 m mund të shoqërohet nga një temperaturë prej +2°C në 20 m. Kufiri ndërmjet temperaturave dëmtuese dhe jodëmtuese emërtohet ‘shtresa përmbysëse’ termike dhe nëse të dy shtresat mund të përzihen, mund të rezultojnë temperatura jodëmtuese. Ventilatorët e mëdhenj (që shpesh i quajmë makinat e erës dhe që përbëhen nga një helikë e montuar në një shtyllë 10 – 12 m), të pozicionuar në mënyrë strategjike në pjesë të bllokut që kanë më shumë gjasa të vuajnë nga dëmi i ngricës, ose ventilatorë më të vegjël të shpërndarë njëtrajtësisht në tërë bllokun, mund të përballojnë me efikasitet situatat me ngrica të lehta. Ventilatorët përziejnë ajrin e ftohtë në sipërfaqen e tokës me atë më të ngrohtë që ndodhet duke filluar nga 2 – 3 m nga toka. Që kjo teknikë të jetë efektive, shtresa përmbysëse duhet të ndodhë mjaftueshëm pranë tokës. Është e vështirë të arrijmë kontroll të ngricave me shumicën e ventilatorëve nëse shtresa përmbysëse është më e madhe se 20 m. Makinat e mëdha të erës janë në gjendje të mbrojnë deri në afro 3 ha çdonjëra dhe e rrisin temperaturën me 2 – 3°C. Një tjetër metodë është përdorimi i helikopterëve për të arritur të njëjtin ndikim. Këto janë të shtrenjta për t’u kontraktuar por kultivuesi shmang investimin e lartë kapital të një makine ere. Ventilatorët dhe helikopterët duhet të vihen në punë menjëherë sapo temperaturat bien në nivel kritik për llojin e pemës frutore.

 Përdorimi i aparateve djegës    

Veçanërisht në të kaluarën, pemëtoret mbroheshin më së shumti nga ngricat duke ngrohur ajrin me aparate djegës të tipave të ndryshëm, që nga fuçi metalike që djegin naftë e deri në ngrohëse të mëdha që djegin propan, të vendosura në mënyrë strategjike në tërë pemëtoren ose vreshtin. Ato ndizen kur temperaturat bien në nivele kritike. Ato mund të jenë shumë efekti-ve por mbajtja e tyre është e kushtueshme, e pakëndshme dhe kërkon punë intensive për t’u menaxhuar dhe disa mo-dele mund të çojnë në ndotje serioze të ajrit. Kësisoj, ato përdoren kryesisht në zona ose mezoklima ku spërkatja nga lart është e pamundur ose makinat e erës nuk janë efektive. Llogaritet që për 1 ha pemëtore nevojiten 1000 – 1200 djegës në natë dhe rreth 200 kg gaz. Hollësitë që lidhen me madhësinë e tyre, lëndën djegëse, shpërndarjen dhe funksionimin merren më saktë nga tregtarët e tyre, shërbimet këshillimore ose prodhuesit e tjerë.

 Menaxhimi i bimësisë

Toka e cila është e zhveshur prej barërave të padëshirueshme, e njomë (por jo e përmbytur) dhe mesatarisht e ngjeshur, do të priret të përthithë e të mbajë më shumë nxehtësi gjatë ditës dhe e riemeton atë në ajrin e ftohtë sipërfaqësor gjatë natës sesa do të bënte një vendmbjellje me bar të kositur shkurt ose një tjetër me rritje të madhe të barërave të padëshirueshme. Në netët e ftohta, kjo mund të nënkuptojë një ndryshim prej 1 – 3°C në temperaturën e ajrit në zonën e frytifikimit të pemës ose hardhisë dhe mund të bëjë ndryshimin ndërmjet dëmit të rëndë, dëmit të lehtë apo aspak.

Prof. Dr. Endrit Kullaj
Departamenti i Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

 

Na Ndiqni në: