Skitterphoto - www.pixabay.com

Sigurimi bujqësor në Shqipëri dhe nevoja për ndërhyrje për të mënjanuar një dështim tregu

Rëndësia e shërbimit të sigurimit

Dëmet që vijnë si pasojë e luhatjeve të kushteve të motit, katastrofave natyrore, dëmtuesve dhe sëmundjeve të kafshëve dhe bimëve kanë qenë gjithmonë të rëndësishme për ecurinë e aktivitetit bujqësor dhe blegtoral dhe arritjen e konkurueshmërisë. Disa nga këto ngjarje janë me impakt specifik të lartë në bujqësi. Ato përbëjnë një grup ngjarjesh të pavarura por edhe të lidhura me njëra-tjetrën. Për të menaxhuar risqet me të cilat ballafaqohen, fermerët mund të ndjekin një sërë strategjish, duke përfshirë masat në fermë si: diversifikimi apo përzgjedhja e varieteteve më rezistente, kryerjen e investimeve për mbrojtjen nga lloje të caktuara rrreziku dhe ndjekjen e strategjisë për ndarjen e rrezikut me të tjerët. Kjo e fundit është pagesa e një sigurimi për një rrezik të caktuar në një skemë sigurimesh. Si e tillë është një strategji e mirënjohur për minimizimin e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore me të cilat fermerët mund të transferojnë rrezikun duke u mbuluar nga pagesa për dëmin prej kompanisë së sigurimeve.

Shërbimet e mbulimit të dëmit në këmbim të pagesës së primit të sigurimeve ofrohen në një treg sigurimesh. Tregje të tilla janë kudo prezente por shpesh në rastin e vendeve në zhvillim nuk janë të zhvilluara sa duhet. Problemi kryesor është krijimi i një kërkese për shërbimin. Kërkesa shpesh zbehet për shkak të çmimit të ofruar nga kompanitë e sigurimeve. Shpesh ky çmim është i lartë përderisa propabiliteti i ndodhisë së një ngjarjeje të caktuar është i lartë apo për shkak se numri i paguesve të pritshëm të këtij shërbimi është i ulët. Kjo shpesh kërcënon pasjen e një grupi të gjerë paguesish i cili mundëson transferimin e rrezikut nga një palë paguese e paprekur drejt një pale paguese të prekur nga një ngjarje e rëndë.

Nga pikëpamja e politikave mbështetëse të fermës, ofrimi i subvencioneve që mbulojnë një pjesë të çmimit mund të mundësojë përputhjen midis çmimit të ofruar nga kompanitë e sigurimit dhe çmimit të kërkuar nga fermerët. Ndërhyrje të tilla mundësojnë fermerët të njihen me të mirat e shërbimit të sigurimit duke forcuar kështu themelet e këtij tregu të brishtë dhe siguruar mbarëvajtjen e funksionimit në kohë. Pra ndërhyrjet mbështetëse që subvencionojnë një pjesë të primit të rrezikut mund të adresojnë dështimet e tregut të sigurimeve.

Politikat e menaxhimi të rrezikut në Politikën e Përbashkët Bujqësore (PPB) të BE-së

Politika e Përbashkët Bujqësore (PBB) përmban disa masa specifike që quhen instrumente të menaxhimit të rrezikut të cilat adresojnë problemet e risqeve natyrore në bujqësi. Ekzistojnë gjithashtu edhe një numër masash dhe pagesash direkte ose indirekte të tjera të cilat gjithashtu influencojnë tek ekspozimi i fermerëve ndaj rrezikut në bujqësi. Në PPB 2014-2020, masat e menaxhimit të rrezikut në ferma ofrohen si programe për të stabilizuar tregjet e produkteve kundër çrregullimeve të mëdha të çmimeve (Shtylla 1) dhe programe direkte të lidhura me menaxhimin e rrezikut (Shtylla 2). Masat mbi menaxhimin e rrezikut i përkasin Prioritetit 3 të Shtyllës 2 të PPB-së nën titullin “Parandalimi dhe menaxhimi i rrezikut të fermës” dhe  bashkëfinancohen nga shtetet anëtare (OECD, 2017). Ato ndahen në dy qasje: a) subvencionimi i primit të sigurimit kundrejt fatkeqësive natyrore; dhe b) mbështetje nëpërmjet fondeve të përbashkëta, të hartuara për të kompensuar humbjet për dëme jo të pritshme që nuk mbulohen nga kompanitë e sigurimeve. Grupi i parë i masave të menaxhimit të rrezikut (shiko nenin 37 Rregullorja e BE Nr 1305/2013) inkurajon pjesëmarrjen e fermerëve në skemat e sigurimit. Nëpërmjet tyre, fermerëve u sigurohet nxitje për të marrë pjesë në skema të sigurimit të bimëve, kafshëve dhe kulturave bujqësore kundër humbjeve ekonomike të shkaktuara nga ngjarje të pafavorshme klimatike, sëmundje kafshësh ose bimësh, infektimi nga dëmtuesit ose ndonjë incidenti mjedisor. Mbështetja mbulon deri në 65% të primit të sigurimit, zakonisht brenda shtresës së rrezikut të tregut në kuadër të menaxhimit të rrezikut të OECD (OECD, 2017). Grupi tjetër i masave u ofron mbështetje fermerëve deri në 65% të kostove të pranueshme të mbuluara nga fondet e përbashkëta (shiko nenin 38 të Rregullores së BE Nr. 1305/2013). Këto fonde janë subvencionuar për kompensimin e humbjeve ekonomike që vijnë nga ngjarje jashtë kontrollit të fermerit, të tilla si ngjarje të pafavorshme klimatike ose mjedisore ose sëmundje të kafshëve ose bimëve. Ky grup masash përfshin gjithashtu subvencione për kompensimin e rënieve drastike të të ardhurave të fermerëve/fermave (shiko nenin 39 të Rregullores së BE Nr 1305/2013).

Sipas EC (2017) në Europë kanë marrë pjesë në këto skema rreth 645,000 ferma në dymbëdhjetë vende partnere ku janë shpërndarë rreth 1.7% e totalit të fondeve të Programit të Zhvillimit Rural të PPB. Përveç rastit të Italisë për të cilën fondi shkon rreth 7.6% të totalit të shpërndarë, vendet e tjera përdorin më pak se 4% të fondeve të Programit të Zhvillimit Rural të PPB.

Shërbimi i sigurimit bujqësor në Shqipëri

Rregullimi i tregut të sigurimeve mbështetet nga Ligji Nr. 9267 i datës 29 korrik, 2004 “Për veprimtarinë e sigurimit, risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurim” ku sigurimi bujqësor mund të praktikohet, në mungesë të një rregulloreje specifike për sigurimin bujqësor, nën klasën e sigurimeve ndaj pronës si ai i klasës 8 që specifikon sigurimin e pasurisë kundër “forcave të zjarrit dhe natyrës” dhe klasës 9 që specifikon sigurimin e pasurisë kundër “breshërit, ngricave ose ndonjë ngjarjeje të ngjashme”.

Sigurimi bujqësor është thuajse i pazhvilluar në Shqipëri. Raste të tilla të sigurimeve bujqësore janë ato me rrezik më të ulët krahasuar me të lashtat fushore ose sigurimet e pemëtoreve. Logjika e mbulimit të rrezikut tek kompanitë e sigurimeve është që të ofrohen produkte që mbulojnë rreziqe të rralla katastrofike që janë me kosto më të ulët për klientët. Kjo kombinuar me mundësinë e kufizuar të fermerëve dhe popullatës në përgjithësi ka sjellë shumë pak eksperienca të shënuara të mbulimit të rreziqeve në bujqësi. Numri i klientëve të sektorit bujqësor është i pakët, kryesisht ato që lidhen me investime kapitale të financuara nga banka. Ata përqendrohen në pak ferma në sektorin e gjedhit (kryesisht lopët) dhe sigurimin e pak serrave përreth qyteteve të mëdha. Produktet që ofrohen janë kryesisht të karakterit të detyrueshme (p.sh sigurimi i automjeteve, sigurimi i pronave që janë nën kreditim), ç’ka kushtëzon dhe zhvillimin e sektorit.

Sipas një vlerësimi të kryer disa vite më parë nga Shynkarenk (2010) tregohet se kompanitë e sigurimeve duke konsideruar klientët bujqësorë me rrezik të lartë, shpesh ngurojnë të ofrojnë sigurime bujqësore. Për të kapërcyer këtë situatë janë tentuar ndërhyrje. Në vitin 2018, Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare (AMF) së bashku me grupet e interesit përfunduan hartimin e projektit të mikro-sigurimit “Akses në Iniciativën e Sigurimeve” (A2ii), një projekt për sigurimet vullnetare gjithëpërfshirëse i cili synonte zhvillimin e produkteve të mikrosigurimeve të fokusuara në fushën e bujqësisë (AMF, 2018). Një projekt tjetër me titullin “Inclusive Insurance Innovation” tentoi gjithashtu hartimin e produkteve për mbulimin e dëmeve në serra me prim 4%.

Kompanitë kryesore tashmë e kuptojnë që me zhvillimin e disa nënsektorëve lind nevoja për ngritjen e portofoleve specifike të linjës së sigurimeve bujqësore, megjithëse kjo duhet të lehtësohet nga politika të tjera si lehtësime ligjore apo mbështetje buxhetore.

Në një seminar të kryer në Universitetin Bujqësor të Tiranës në vitin 2020 me temë “Zhvillimet në sektorin bujqësor – Midis ndryshimit të klimës dhe Integrimit Evropian” në diskutime midis përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), përfaqësuesve të Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë dhe stafit akademik u shqyrtuan disa sfida në lidhje me politikat mbështetëse drejt mbulimit të humbjeve nga rreziku. Përfaqësuesit e Shoqatës së Siguruesve treguan tentativa për të krijuar produkte për sigurimet në bujqësi si sigurim i perimeve në serra nga përmbytjet, breshëri, stuhitë, ngrica për rajonet: Berat, Elbasan, Fier, Durrës, Tiranë, Shkodër dhe Vlorë. Në këtë produkt i cili koordinohej nga Shoqata e Siguruesve mendohej që të kishte kontribut me 50% nga MBZHR të cilat mund t’i ofronin shoqërive të sigurimit, një produkt i cili do t’u prezantohej fermerëve nga AZHBR-ja. Qeveria u mendua si aktori kryesor nëpërmjet subvecionimit të primit të sigurimit me 100% subvencion për vitin e parë, 80% në të dytin dhe 60% në të tretin ku pjesa e mbetur paguhej nga fermeri. Shuma e siguruar mendohej të ishte 1 milionë lekë dhe vlera mesatare e primit 5% (osë 50 mijë lekë) më një numër fermerësh që varionte nga 3,750 fermerë në 5,000 fermërë të përfshirë ose fond total 150 milionë lekë deri në 250 milionë lekë në vit.

Në vitin 2018 pas disa përpjekjesh MBZHR nëpërmjet Fondit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural ofroi si masë mbulimine çmimit të sigurimit vjetor me 50% të vlerës, por me tavan të primit jo më të lartë se 4% të vlerës së asetit të siguruar. Kjo masë nuk pati disbursime për shkak të mungesës së aplikimeve nga fermerët por edhe ngurimit të kompanive për të ofruar produkte konkrete. Pjesëmarrësit në seminar përmendën dështimin e zbatimit të masës për mbulimin e primit si një dështim koordinimi. Përfaqësuesit e Shoqatës së Siguruesve përmendën faktin që MBZHR dhe AZHBR nuk treguan mbështetje konkrete në buxhetim, ndërsa përfaqësues të MBZHR u ankuan se kompanitë e sigurimeve nuk promovuan produktin sa duhet. Ajo që kuptohej qartë sipas pjesmarrësve ishte mungesa e koordinimit të qartë ku në njërën anë kompanitë të tregonin qartë produktin dhe në anën tjetër AZHBR të jepte informacion për masën buxhetore për pagesën e primit.

Gjithësesi sipas pjesëmarrësve nga stafi akademik u theksua se dështime të tilla për masat e mbulimit të produktit priten të ndodhin për sa kohë primi dhe përballueshmëria e pagesës ose gatishmëria për të paguar, nuk bazohen në evidenca. Nisur nga kjo mungesë, në kuadër të një punimi doktorature në Departamentin e Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural të dizertantes Bitila Zhuli nën drejtimin e Prof. Assoc. Dr. Edvin Zhllima (autorë të këtij artikulli), nëpërmjet kryerjes së një ankete tek fermerët e agrumeve dhe vreshtarët e bashkisë Konispol, u vu re se fermerët perceptojnë si rreziqe më të rëndësishme breshërin, ngricën dhe thatësirën për nga shpështësia dhe impakti i dëmtimit. Gjithashtu rezultoi se fermerët kanë një gatishmëri për të paguar për shërbime sigurimi që vaiojnë sipas llojit të produktit të mbjellë. Rreth një e katërta e vreshtarëve nuk pranojnë të paguajnë sigurime në bujqësi, ndërsa sa i përket kultivuesve të mandarinave, më pak se 10% e tyre kanë të njëjtin mendim. Rreth 50% e vreshtarëve janë të gatshëm të blejnë siguracion që garanton 70% të vlerës së dëmit nëse do të duhej të paguanin 1.5% të të ardhurave; ndërsa 64 % e fermerëve të mandarinës janë të gatshëm të blejnë siguracion që garanton 75% të vlerës së dëmit nëse do të duhej të paguanin 2% të të ardhurave nga bujqësia.

Faktorët kryesorë që ndikojnë në gatishmërinë për të paguar produkt sigurimi janë aksesi në këshillim bujqësor dhe eksperiencat e mëparshme me kompanitë e sigurimit në sigurimin e makinave. Aksesi në këshillim dhe sipërfaqja e mbjellë lidhen negativisht me mundësinë për të treguar gatishmëri për të paguar. Duket qartë se të tillë fermerë priren të kryejnë investime mbrojtëse të cilat i shohin më të rëndësishme krahasuar me blerjen e një shërbimi sigurimi. Ndërkohë besimit ndaj institucioneve që ofrojnë prime sigurimi dhe përpjesa e të ardhurave nga bujqësia priren pozitivisht me mundësinë për të treguar gatishmëri për të paguar. Gjithashtu frekuenca e ndodhisë së një ngjarjeje klimaterike me dëm të lartë në prodhim e rrit mundësinë e fermerit për të patur gatishmëri për të paguar.

Rekomandime

Shqipëria aktualisht nuk ka një program të subvencionimit të sigurimeve bujqësore dhe i mungon një rregullore specifike dhe kontrata të specifikuara për sigurimet në bujqësi. Kështu, përfshirja sistematike e masave për mbështetjen e primit në sigurimet bujqësore në programet e mbështetjes së Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, jo vetëm që do sillte një sjellje më proaktive të fermerëve drejt tregut së shërbimeve, por do të krijonte rregullime institucionale që sjellin rregullim të mëtejshëm të praktikës së sigurimit bujqësor.

MBZHR në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, Autoritetin e Mbikqyrjes së Financave dhe Shoqatës së Siguruesve mund të kontribuojnë në hartimin e një produkti sigurimi i cili përfshin mbulimin e disa lloje rreziqesh. Puna për mbështetjen buxhetore mund të shoqërohet me rritjen e njohurive të fermerëve nga një anë dhe rritjen e kapaciteteve të specialistëve të sigurimeve në kompanitë dhe plotësimin me dokumente të tjera udhëzuese përcaktimin e humbjeve, llogaritjen e normës së primit dhe kushtet e aplikimit, etj, nga ana tjetër. Në këtë kuadër Agjencitë Rajonale të Këshillimit Bujqësor mund të luajnë një rol kryesor në ndërgjegjësimin e fermerëve dhe operatorëve të tjerë bujqësorë.

Të tjera fatkeqësi natyrore që nuk janë të mbulueshme prej kompanive të sigurimit për shkak të frekuencës së lartë të ndodhisë në një rajon të caktuar mund të mbështeten me anë të krijimit të fondeve të përbashkëta për ngjarjet klimatike të pafavorshme. Konkretisht përmbytjet e ndodhura në pjesën perëndimore të vendit, në mungesë të investimeve infrastrukturore që reduktojnë ato, sjellin nevojën e fondeve të mbulimit. E njëjta situatë është e nevojshme në shfaqjen e epidemive dhe sëmundjeve masive të kafshëve ose bimëve që nuk janë pjesë e zoonozave, pra sëmundjeve që transmetohen nga kafshët tek njerëzit apo sëmundjeve të zakonshme. Ky grup masash do të kërkonte mbulimin e dëmit deri në 65% të kostove të pranueshme të mbuluara nga fondet e përbashkëta (shiko nenin 38 të rregullores së BE nr. 1305/2013). Qëllimi është kompesimi për rëniet drastike të të ardhurave të fermerëve/fermave (shiko nenin 39 të rregullores së BE nr. 1305/2013). Në afatin e gjatë duhet të krijohen instrumenta të cilat rrisin mundësinë për investime në përballimin e goditjeve klimaterike si në nivel rajonal ashtu edhe në nivel ferme. Mundësimi i mbështetjes buxhetore në infrastrukturë mbrojtëse ndaj thatësirës dhe përmbytjeve nëpërmjet sistemeve ujitëse ashtu edhe kulluese dhe në përdorimin e inputeve dhe logjistikës së efektshme kundër breshërit, ngricës dhe thatësirës janë të domosdoshme për të përballuar sfidat që po sjell ndryshimi i klimës.

 

Prof. Assoc. Dr. Edvin Zhllima
Pedagog në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Departamenti i Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural, UBT

Na Ndiqni në: