stevepb - Pixabay.com

Shmangia e tatimit mbi të ardhurat

Një sistem i mirë i taksave dhe tatimeve, shpërndarja e drejtë e barrës tatimore ka qenë dhe mbetet një ndër shqetësimet kryesore të administratës tatimore dhe ligjvënësve për hartimin e zbatimin e politikave të ndryshme tatimore të shtrira në kohë. Qëllimi primar i çdo qeverie është maksimizimi i funksionit të mirëqenies sociale, e cila arrihet me anë të mbledhjes së të ardhurave tatimore dhe shpërndarjes së tyre në mënyrën më efiçiente, për të mirat publike. Një ndër tatimet e rëndësishme është dhe tatimi mbi të ardhurat personale, i njohur shkurt si TAP. Bashkë me TAP lindin edhe disa pyetje në dilemën e “Maksimizimit të të ardhurave personale”.

Pyetje të cilat gjithësecili prej nesh mund t’ia ketë bërë të paktën një herë vetes përpara se të bierë në kompromisin e të deklaruarit një page më të ulet, për një tatim më të ulët, apo të gjetjes së “hendeqeve” në ligj për të arritur qëllimin përfundimtar, “më shumë të ardhura, më pak tatim”. Ndërkohë nëse tatimi mbi të ardhurat do të ishte më i ulët, të gjithë bien në unanimitet që shmangia do të ishte më e ulët, por e pranishme sidoqoftë.

Ky punim lidhet ngushtësisht me taksimin progresiv, me shmangien tatimore, me tatimpaguesit që kanë maksimizuar të ardhurat e tyre, duke kontribuar në një tatim më të ulët mbi të ardhurat.

Qeveria ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndryshuar dhe rritur bazën e tatueshme, por para kësaj duam të theksojmë dy nga relacionet lidhur me ndryshime në ligjin 8438, ku i pari lidhet me një ndryshim në tatimin mbi të ardhurat e vitit 2014. Prej tri vitesh nga zbatimi i deklaratës së të ardhurave personale të individit, vërehet se kjo reformë nuk ka arritur ende efektin e dëshirueshëm. Administrata tatimore është duke ndërmarrë një plan të posaçëm pune për kategorizimin e individëve me risk të lartë, të cilët rezultojnë mosdeklarues, i cili u vu dhe më tepër në zbatim në vitin 2021 dhe dërgimin e letrave, apo dhe fushatën në rrjete sociale e në media, krahas faqes së tatimeve.d

Tatimi mbi të ardhurat personale është i ndarë në fasha, ku për paga të niveleve të ndryshme rritet progresivisht norma e tatimit, ndërkohë nga ana tjeter tatim-fitimi që nga 2020 ka vetëm dy fasha, 0% për të ardhura deri në 14 000 000 dhe 15% mbi këtë nivel. Nisur nga ky ndryshim ligjor, nga rritja e xhiros së tatueshme, ekzistojnë shumë raste të cilat duke bërë një analizë kosto-përfitim, me qëllim maksimizimin e fitimit, zgjedhin të regjistrohen si persona fizikë, në mënyrë që të paguajnë vetëm sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të të vetëpunësuarit (duke qenë se shumica prej tyre deklaron pagë minimale e cila tatohet me 0% tatim mbi të ardhurat personale), por në kushte “normale” do të tatohej me 13 a 23%, nëse do të ishte në statusin e të punësuarit në një subjekt. Raste të tilla, të cilat janë shmangie e pastër tatimi, janë të lehta për tu identifikuar, por jo të lehta për tu ndjekur apo për tu “ndëshkuar”.

Pasi u intervistuan 20 tatimpagues të regjistruar vitin e fundit si persona fizikë, për të shmangur pagesën e tatimit mbi fitimin u nxorrën këto rezultate:

1- Profesionet më të prekura që aplikojnë këtë lloj metode shmangieje vihen re të jenë: IT dhe Auditues/Auditues ligjorë, pa lënë pas të dypunësuarit, të cilët kanë një karakteristikë të veçantë në lidhje me profesionin.

2- Të pyetur rreth eksperiencës si tatimpagues, 55% e tyre ishin të punësuar nga 5-10 vite dhe 75% janë regjistruar në 1-2 vitet e fundit si PF, ç’ka tregon që kanë kaluar një fazë të mirë si të punësuar e më pas, lidhur ngushtësisht dhe me rritjen e pagës, vjetërsinë në profesion dhe eskperiencën, i ka “detyruar” ata të shmangin tatimin mbi të ardhurat personale në këtë formë.

3- Përpos target-grupit shumë të ulët në numër, arritëm dhe të nxjerrim një mesatare rreth pagës që merrnin si të punësuar, pra mbi të cilën u mbahej tatim mbi të ardhurat personale, 60% e tyre varionte në një interval 250.000-400.000 lekë. Të pyetur nëse vazhdojnë t’i ofrojnë të njëjtin shërbim subjektit ku më parë reultonin të punësuar, 90% e tyre është përgjigjur me PO, pavarësisht se disa prej tyre e kanë zgjedhur diapazonin e klientëve të tyre.

Siç mund të pritej, lidhur dhe me profesionin e të intervistuarve, më shumë se 70% e tyre ishin referuar këshillave dhe konsultave të marra nga miq që bënin të njëjtën gjë. Pra nuk kemi të bëjmë me një fenomen të mbyllur, por me një të përhapur gjerë në masë dhe të aplikuar nga shumë persona të tjerë. Nëse do të merrnim në analizë një pagë prej 150.000 lekësh, e cila po të tatohej në mënyrë progresive, në vit do të paguante rreth (15.600*12muaj=187.200lekë), ndërkohë si i vetëpunësuar me një pagë minimale prej 30.000 lekësh në muaj TAP është 0 lekë. Pra, e gjitha shkon si përfitim për individin. Lidhur me këtë analizë, 35% e të anketuarve kishin një përfitim nga 250.000-300.000 lekë në vit, e cila gjithashtu është humbje për administratën tatimore.

Një fenomen i tillë është i rrezikshëm pasi lidhet ngushtësisht me tatimin progresiv dhe po sjell pasoja të tilla si:

  1. Shtrembërim i tregut, si pasojë e regjistrimit si persona fizikë të atyre që realisht nuk janë subjekte e nuk gëzojnë atributet për t’u krahasuar me të tillë
  2. Shtim fiktiv i lulëzimit të biznesve dhe ecurisë së ekonomisë
  3. Rënie e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale
  4. Nëndeklarim i pagave etj.

 

Msc. Florinda Zherri
Departamenti Financë Kontabilitet, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.

Na Ndiqni në: