LoboStudioHamburg - Pixabay.com

Media sociale, një instrument i dobishëm për proçesin e rekrutimit

Fenomeni i mediave sociale ka çelur rrugë të reja të komunikimit dhe ka revolucionarizuar mënyrën se si njerëzit shkëmbejnë informacion. Për më tepër përdorimi i mediave sociale ka bërë të mundur shkëmbimin e informacionit në një kohë të shpejtë dhe pa kosto, ndaj dhe është vlerësuar si një mundësi e vlefshme në proçesin e rekrutimit.

Proçesi i rekrutimit konsiderohet shumë i rëndësishëm sa i përket suksesit të një kompanie. Në të kaluarën, rekrutimi i punonjësve kryhej duke përdorur instrumentat tradicionalë si reklamimi në mediat lokale, punësimi nëpërmjet agjentëve të rekrutimit apo shpallja e njoftimit në faqen e internetit të kompanisë.

Në vitet e fundit përdorimi i mediave sociale e ka transformuar proçesin e rekrutimit për shumë kompani në mbarë botën. Sipas Russel dhe Stutz (2014), “Media sociale mund të jetë një instrument i fuqishëm që një kompani mund ta përdorë për të krijuar avantazh”.

Çfarë kuptojmë me Media Sociale: Mediat Sociale janë platforma të bazuara në teknologjinë e informacionit dhe që shërbejnë për të nxitur komunikimin dhe bashkëveprimin ndërpersonal duke përdorur shërbimin e internetit.

Sipas Ward (2010), media sociale është një lloj media online e cila përshpejton komunikimin në formë bashkëbisedimi, përkundrejt medias konvencionale e cila nuk e lejon lexuesin të ndërhyjë për të krijuar material apo përmbajtje.

Arsyet e përdorimit të mediave sociale në proçesin e rekrutimit:  Ka shumë autorë të cilët kanë hulumtuar përdorimin e mediave sociale në proçesin e rekrutimit.

Hauptman dhe Steger (2013) theksojnë se: “Në terma profesionalë, mediat sociale mund të konsiderohen si relativisht të thjeshta dhe aspak të kushtueshme. Mediat Sociale mund të jenë veçanërisht të dobishme në menaxhimin e burimeve njerëzore sidomos në proçesin e rekrutimit të punonjësve dhe promovimin e proçesit të të mësuarit në nivel individi, ekipi apo organizate”.

Redman dhe Wilkinson (2009) besojnë se arsyeja kryesore për t’u fokusuar te mediat sociale si një instrument për rekrutimin është “kosto e ulët dhe shpejtësia e lartë”.

Hunt (2010) thekson se “kompanitë të cilat nuk përfshijnë mediat sociale si një instrument rekrutimi rrezikojnë të humbasin kandidatë cilësorë kundrejt konkurentëve të cilët përdorin këto instrumenta”.

Sipas të dhënave nga DataReportal në janar të vitit 2021 rezulton se rreth 53.6% e popullsise së botës janë përdorues aktivë të mediave sociale.

Në Shqipëri në janar 2021, rezultojnë rreth 1.6 milionë individë apo rreth 55.6% e popullsisë, të cilët janë aktivë në mediat sociale. Rreth 98.8% e përdoruesve të medias sociale aksesojnë llogaritë e tyre nëpërmjet telefonit, gjë që tregon për aksesin e shpejtë të përdoruesve ndaj informacionit të përcjellë nëpërmjet mediave sociale, si dhe vihet re një rritje prej 14.3% e përdoruesve të mediave sociale, krahasuar me vitin 2020.

Sipas një studimi të kryer nga Shoqata për Burimet Njerëzore (2015) i cili hulumtonte mediat sociale që përdoren më shumë nga rekrutuesit në botë, rezultoi se platformat LinkedIn, Facebook dhe Tëitter janë mediat sociale më të përdorshme prej tyre.

Rekrutimi nëpërmjet mediave sociale është një trend në rritje të shpejtë në mbarë botën në vitet e fundit. Krahasuar me mënyrat tradicionale të rekrutimit, përdorimi i mediave sociale mund të sigurojë një interes më të madh, pasi kompanitë mund të përcjellin njoftimin e tyre tek një numër shumë më i madh kandidatësh potencialë si dhe përdorimi i mediave sociale është një mënyrë informimi pa kosto për vendin e lirë të punës, krahasuar me kostot e larta për reklamim në median e shkruar apo vizive.

Ndaj në ditët e sotme, me përhapjen masive të mediave sociale, nevojitet që menaxhimi i burimeve njerëzore si edhe rekrutuesit të jenë shumë proaktivë në qasjen e tyre për identifikimin dhe angazhimin e talenteve duke përdorur platforma të ndryshme të mediave sociale.

 

Dr. Amalia Tola
Departamenti Drejtim Agrobzinesi, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.

koment

  • S’është ndonjë artikull kushedi se cfarë se rekrutimi paraqitet si një cështje më komplekse dhe nuk mund të lidhet gjithmonë me faktin se sa një individ është i dhënë ndaj rrjeteve sociale,apo si kompanitë komunikojnë vendet vakante,lajmërime etj.Kjo varet nga burimet njerëzore që përdorin aftësitë komunikuese dhe të ndërveprimit social,për të pasur një çasje me rekrutuesit e rinj,si me prani fizike ose virtualisht.

Na Ndiqni në: