Rreziku i mbetjeve të antibiotikëve në qumësht; përdorimi i metodave të shpejta për zbulimin e tyre

RREZIKU PËR INDUSTRINË E QUMËSHTIT DHE SHËNDETIN PUBLIK

Siguria ushqimore, i konsideron mbetjet e antibiotikëve si ndotës kimikë të cilët, përveçse janë të dëmshëm për konsumatorin final si substanca farmakologjikisht aktive, gjithashtu mund të shkaktojnë gjendje të antibiotiko-rezistencës, por edhe manifestime të fenomeneve alergjike në konsumatorë e ndjeshëm. Në industrinë e qumështit, prania e mbetjeve të antibiotikëve, në varësi të substancës, sasisë së saj dhe ndjeshmërisë specifike të shtameve fermentative, mund të shkaktojë një problem teknologjik, duke penguar aktivitetin e mikro-organizmave starter për transformimin e qumështit në derivate të tij.

Qumështi që përmban mbetje të substancave aktive farmakologjike përtej kufijve të mbetjeve maksimale (MRL që përfaqëson përqëndrimin maksimal të një mbetjeje të një substance  farmakologjikisht aktive) duhet të konsiderohet një produkt i dëmshëm dhe nuk mund të hollohet, por duhet të destinohet të asgjësohet nën kontrollin veterinar. Prandaj, nëse nga njëra anë problemi i mbetjeve të antibiotikëve është i një natyre teknologjike, nga ana tjetër kemi një problem të sigurisë ushqimore për faktin se këto mbetje potencialisht mund të çojnë në përzgjedhjen e shtameve patogjene rezistente, duke kontribuar më tej në probleme të njohura si antibiotiko–rezistenca.

Këto mbetje mund të jenë të pranishme për shkak të gabimeve në administrimin tek kafsha që do të trajtohet, të tilla si dozimi i tepruar, afati i kohëzgjatjes së terapisë krahasuar me atë të treguar në fletëpalosjen e produktit medicinal të përdorur, ose për mosrespektimin e kohës së pezullimit.

Qumështi i lopëve me mastite të trajtuara me antibiotikë nuk mund të dorëzohet në një fabrikë qumështi për shkak të rrezikut edhe të pranisë së mbetjeve të antibiotikëve. Sidoqoftë, lopët e trajtuara duhet të vazhdojnë të milen dhe herë pas here ky qumësht mund të përzihet gabimisht me atë të lopëve të shëndetshme, duke kontaminuar kështu të gjithë qumështin e masës. Nëse në një tank (çisternë), nga një fermer grumbullohet qumësht i kontaminuar me mbetje të antibiotikëve dhe ky do të përzihet me qumështin e disa tufave (femave) të tjera, atëherë do të kontaminohet e gjithë masa e qumështit.

Për më tepër, testet për mbetjet e antibiotikëve zakonisht nuk kryhen derisa cisterna e qumështit të mbërrijë në pikën e grumbullimit/fabrikën qumështit. Nëse përmbajtja e qumështit është e kontaminuar dhe vjen nga një tufë lopësh edhe pse me një numër të vogël krerësh të trajtuar, e gjithë ngarkesa duhet të hidhet poshtë dhe çisterna duhet t’i nënshtrohet një pastrimi të veçantë, duke shkaktuar kështu vonesa në grumbullimin pasues të qumështit.

Kostot për qumështin me mbetje antibiotikësh janë të mëdha, prandaj është i nevojshëm parandalimi i kësaj situate duke testuar mbetjet e antibiotikëve para se qumështi të grumbullohet nga autocisterna dhe të dorëzohet në fabrikat e qumështit.

Testimi i rregullt i cilësisë së qumështit të papërpunuar është një instrument i rëndësishëm për zhvillimin e sektorit të qumështit dhe mbrojtjen e konsumatorit. Kështu fermerët mund të përcaktojnë me kosto të ulët nëse qumështi i kafshëve që i janë nënshtruar terapisë farmakologjike mund të furnizojë industrinë e qumështit. Kjo garanton siguri më të madhe si për fermerët ashtu edhe për konsumatorët.

Parandaloni mbetjet e antibiotikëve në qumësht

Udhëzime për prodhimin e qumështit pa mbetje antibiotike

  • Parandalimi i sëmundjes për të minimizuar përdorimin e antibiotikëve.
  • Mbani tufën në shëndet të mirë, përdorni praktikat e mira të menaxhimit të fermës.
  • Diagnostikoni krerët e sëmurë në mënyrë të hershme dhe me saktësi dhe ndërmerrni masa të menjëhershme.
  • Evidentoni, shënoni dhe izoloni lopët e trajtuara nga ato që do të milen.

Përdorimi i testeve të shpejta për zbulimin e mbetjeve antibotike në qumësht

Zbulimi i pranisë së Beta lactameve në qumësht

Në mbështetje të Direktivës 96/23 KE dhe Rregullores nr. 142, dt. 26.03.2008, të Ministrit të MBUMK, « Në lidhje me masat për të monitoruar mbetjet në produktet me origjinë shtazore » bëhen monitorime të vazhdueshme për përcaktimin e mbetjeve të mësipërme edhe në qumësht .

AuroFlow™ Beta‐lactam Strip Test është nje sistem diagnostikues i shpejtë, i cili bazohet në teknikën e rrjedhjes laterale të mostrës në stripe (shirita) dhe dedektimin e antibiotikëve në qumësht. Testi konsiston në lidhjen e proteinës nëpërmjet një teknike të re, e cila eleminon nevojën e bllokut ngrohës. Protokolli i thjeshtuar i analizës tregohet në Figurën 1. Për shkak se ky kit nuk kërkon pajisje të tjera shtesë, është tepër praktik dhe i përshtatshëm për pikat e grumbullimit, fermat apo fabrikat e qumështit.

Avantazhe të përdorimit:

  • Ndjeshmëri e analizës në përputhje me standartet e EU për dedektimin e 13 antibiotikëve të grupit të beta-lactameve
  • Marrja e rezultatit të shpejtë në vetëm 7 minuta.
  • Nuk kërkon përpunim paraprak për ngrohjen e mostrës.
  • Rezultate lehtësisht të interpretueshme në mënyrë vizuale ose me lexues.
  • Zbulon prezencën e antibiotikëve në nivele më të ulta se ato të MRL (Tabela 1)

Figura 1. Aplikimi i Procedurës Auro Flow Strip Test.

Interpretimi i rezultateve

Kur sinjali në vijën‐T është më intensive se në vijën‐C do të thotë që mostra e dhënë nuk përmban antibiotikë të grupit të beta‐lactamve. Nëse sinjali në vijën‐C është njëlloj intensive ose më shumë intensive sesa në vijën–T atëherë mostra e qumështit përmban këto grupe antibiotike (Figura 2).

Figura 2. Interpretimi i rezultateve në strisha AuroFlow

Krahasimi me MRL

Ndjeshmëria e kiteve AuroFlow Beta‐lactam Strip Test është në përputhje me standartet e EU për grupin e 13 beta‐lactameve duke na ofruar një tablo të plotë të mbetjeve të antibiotikëve në qumësht.

Tabela 1. MRL për beta‐lactamet si dhe limitet e dedektimit nga kitet e AuroFlow Beta‐Lactam

Prandaj, Testi AuroFlow BT Combo Strip përfaqëson zgjidhjen ideale për të gjithë industrinë e qumështit, kompanitë e transportit të qumështit, fermerët, laboratorët e analizave të qumështit dhe këdo që dëshiron të kontrollojë shpejt gjurmët e frenuesve në qumësht, pa pasur nevojë për infrastukturë laboratorike.

 

Prof. Asoc. Fatmira Shehu
Departamenti Shëndetit Publik Veterinar, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.

Na Ndiqni në: