Pixabay - animalhealthexpress.com

Patologjitë e thundrave në gjedhë dhe kujdesi për mirëmbajtjen e tyre

Rëndësia dhe Qëllimi

Ferma moderne është një sipërmarrje ekonomike dhe si e tillë, maksimizimin e fitimeve dhe minimizimin e kostove ka si objektivat e saj kryesore. Planimetria e stallave të sotme dhe organizimi i proceseve të punës janë të orientuara drejt rritjes së rendimentit, por rendja vetëm drejt rendimenteve sa më të larta ka pasoja negative për shëndetin e kafshës. Kushtet e mbajtjes në regjim stallor të lopëve sot nuk janë aspak të ngjashme me kushtet natyrore për të cilat ato kanë evoluar ndër mijëra vjet. Çdo fermer duhet të ketë të qartë se shëndeti i lopëve është çelësi drejt rendimenteve të larta dhe suksesit në biznesin e tij. Problemet e thundrave sjellin ulje të ndjeshme të rendimentit. Çdo fermer duhet të kujdeset për menaxhimin e tyre në mënyrë të rregullt dhe efiçente. Thundrat janë indikatorë, në një lloj mënyre ato janë “një matës biologjik i kilometrazhit të lopës”.

Faktorët thelbësore që ndikojnë në shëndetin e thundrave janë:

  • Rendimenti, metabolizmi dhe të ushqyerit
  • Sistemi i mbajtjes, kushtet në stallë dhe mënyra e sjelljes
  • Gjenetika, pëmirësimi rracor
  • Kujdesi ndaj thundrave

Çdo gabim i bërë në një nga këto faktorë shkakton dëmtime të rënda. Pasojat janë dhembje për kafshën dhe humbje ekonomike për fermerin. Sëmundjet e thundrave dhe të gjymtyrëve janë faktori nr.3 që shkakton skartimin e lopës me rreth 20% të rasteve, pas shterpësisë dhe sëmundjeve të gjirit. Humbjet në rendiment nga sëmundjet e thundrave në një fermë qumështi janë shumë të mëdha. Ato përbëhen nga kostot e dukshme dhe të padukshme. Në varësi të rendimentit ato shkojnë deri në 350 euro për çdo lopë në vit. Pasojat për fermën janë:

  • Ulje e rendimentit të qumështit
  • Rënie e aktivitetit seksual pasi kafshët nuk ndjehen mirë (më pak shenja afshi, periudhë e zgjatur midis dy pjelljeve)
  • Rënie në peshë
  • Shpenzime të larta qumështi nëpërmjet zgjatjes së periudhes së shërbimit.
  • Kosto më të larta të fuqisë punëtore për menaxhimin dhe trajtimin e gjedhit me problem thundrash.
  • Përqindje më të larta të skartimeve
  • Kostoja e blerjes së kafshëve të reja – përqindje të larta remonti
  • Kostoja e trajtimit veteriner dhe medikamentet

Njohuri të përgjithshme

Paretet korneale të thundrës në lopë rriten afërsisht 6-8 mm në muaj. Nëse konsumimi i tyre është më i vogël se rritja, atëherë lindin deformime dhe forma jo normale të thundrës. Në rastin e deformimeve nuk ndryshon vetëm forma e thundrës por edhe vendosja (mbështetja) e gjymtyrës. Pesha e trupit nuk bie më në sipërfaqen mbështetëse të thundrave, por zhvendoset në pjesën e butë të thundrës (pulvinet).

Për prerjen korrekte të thundrave duhen mbajtur parasysh këto parime:

  • Duhen kryer rregullisht para se të shfaqen probleme
  • Duhen kryer 2-3 herë në vit
  • Prerja duhet të realizohet nga profesionistë

Te thundrat e prera keq, pesha e trupit zhvendoset në pjesën e jashtme të thundrës në këmbët e pasme dhe në pjesën e brendshme të thundrës në këmbët e përparme. Në këto raste lindin dhembje nga shtypja kur lopët qëndrojnë në këmbë dhe çalojnë më shumë kur ato janë në lëvizje. Lopët që kanë dhembje te thundrat qëndrojnë shtrirë për një kohë më të gjatë dhe shfaqin anoreksi. Kjo sjell edhe uljen e rendimentit të kafshës. Përveç rënies së rendimentit të qumështit janë vërejtur edhe probleme me cilësinë dhe përmbajtjen e qelizave somatike në qumësht.

Nuk bëhet fjalë në asnjë mënyrë për prerjen radikale të gjithë thundrës, por duhet të tregohet kujdes që pas prerjes, pesha e trupit të shpërndahet njëtrajtësisht mbi thundra. Në fermat me rritje ekstensive duhet ruajtur patjetër një trashësi prej rreth 5 mm e shollës së tabanit. Kjo është e rëndësishme për lëvizjet në natyrë, lëndina dhe në stallë.

Disa nga patologjitë e thundrave në gjedhë

Nekroza infektive e pjesës midis dy thundrave të gjedhit

Shkaktaret e nekrozës infektive të pjesës së ndërmjetme të thundrave janë bakteret anaerobe Fusobacterium Necrophorum dhe Bacteroides Melaninogenicus. Ajo karakterizohet nga fillimi i menjëhershëm i enjtjes infektive si dhe përskuqja sipërfaqësore e lëkurës në zonën e ndërmjetme të thundrës. Nëse nuk trajtohet apo në raste trajtimi të pamjaftueshëm mund të deportojë në kyçet e thundrës. Përhapja e bakterieve nëpërmjet gjakut në mëlçi, shpretkë dhe mushkëri është gjithashtu e mundur.

Tylom (Limax)

Lëkurë e ashpër që krijohet në hapësirën ndërgishtore në thundrat e hapura. Këto shkaktohen nga dobësia e kushtëzuar gjenetikisht e ligamenteve, shumë shpesh e lidhur me lartësinë e ulët të kyçit të thundrës dhe thundrën e pozicionuar me kënd shumë të thyer ose nga përkujdesja e gabuar e thundrave. Enjtjet dhe problemet midis thundrave janë gjithmonë nën ndikimin e faktorëve acarues mekanikë e kimiko-bakterialë që shkaktojnë plagë ose infeksione. Tylom e infektuar duhet t‘i nënshtrohet operacionit, në rastet më të lehta mjafton një përkujdesje funksionale e thundrave.

Dermatitis interdigitalis

Është thuajse një shkallë më e përparuar e kalbëzimit të kurorës në kushtet johigjenike të stallës. Në kushtet e një lagështie të lartë në stallë, lëkura midis dy gishtave infektohet nga një shtresë bakteriesh dhe qelizash me erë të keqe dhe konsistencë të butë.

Phlegmone midis thundrave

Pas plagosjes së lëkurës midis thundrave krijohen infeksione me bakterie qelbëzuese, të cilat shpesh kanë një zhvillim shumë dramatik (brenda pak orësh temperaturë e lartë, paralizë dhe fryrje të të gjithë pjesës së poshtme të këmbës) e në rast se nuk trajtohet shpejt, preken edhe tendinat, ligamentet etj. Nga qëndrimi në hapësira të përbashkëta me të njëjtat kushte jetese shpesh mund të preken edhe kafshët e tjera të së njëjtës tufë. Rastet e freskëta duhet të trajtohen me antibiotikët e përshtatshëm në doza të larta. Në rastet e zgjatura duhet bërë ndërhyrje kirurgjikale.

Dermatitis Digitalis (DD/Mortellaro/ Sëmundja e luleshtrydhes)

DD është një sëmundje infektive faktoriale. Shkaktarët e saj janë bakterie anaerobe. Këto lloj bakteresh gjejnë kushte jetese optimale në mungesë të ajrit. Faktorë të tjerë favorizues për shfaqjen e sëmundjes janë para së gjithash lagështia, lëkura e dëmtuar dhe stresi si pasojë e mbajtjes dhe menaxhimit. Njollat të cilat duken si djegie, kur fërkohen me ujë marrin ngjyrë të kuqe si ngjyra manaferrës dhe shkaktojnë dhembje tek gjedhi. Tipike tek kjo sëmundje është era e keqe dhe mungesa e entjes por mund të shfaqen entje në pjesën anësore të njollës të shkaktuar nga kjo sëmundje. Kjo sëmundje përhapet me shpejtësi shumë të madhe, sidomos në anën e përthyerjes së këmbës së pasme, në vendin ku mbaron thundra e fillon lëkura krijohen fryrje të lëkurës deri në kallo, që janë të përqëndruara dhe shumë të dhimbshme për lopët. Pas infektimit dhe shpërthimit akut, infeksioni kalon në një stad kronik dhe shpërthen sërish në intervale kohe prej disa javësh.

Diagnoza e patologjive të thundrave në lopë

Vendosja e diagnozës për patologjitë e thundrave në lopë dhe përcaktimi i shkaqeve të çalimit kërkon kontrollin e kujdesshëm të thundrës. Ky kontroll mund të kryhet kur lopa qëndron në impiantin e mjeljes, ku vëzhgimi i thundrës mund të bëhet shumë lehtë dhe mund të diagnostikohen problemet me thundrat si pozicionimi i lopës, Mortellaro, limax, infeksione, thundër e deformuar.

Kontrolli i imtësishëm i thundrës është i mundur të realizohet duke i fiksuar kafshët në stativ si dhe në lëvizje. Paraprakisht thundrat duhet të pastrohen me ujë dhe furçë. Nëqoftëse është e nevojshme dhe me qëllim që të bëhen të dukshme, të gjitha problemet e thundrës duhet të kryhen disa prerje me thikë (prerje diagnostikuese). Përjashtime nga ky trajtim bëjnë kafshë që kanë bririn e shollës shumë të hollë, 4 mm.

Fillimisht duhet të vlerësohet gjatësia dhe forma e thundrës. Gjatësia e pjesës së parme të thundrës duhet të variojë nga 7.5 – 8 cm. Kur pjesa e parme e thundrës është mbi 9 cm, thundra konsiderohet e gjatë dhe dhe më pak se 7 cm, thundra konsiderohet e shkurtër. Infeksioni i majës së thundrës diagnostikohet në të gjitha rastet kur vërehet enjtje dhe zbutje e majës së thundrës e cila shtypet shumë lehtë me gisht apo me darë.

Tipike tek laminiti kronik është pjesa ballore konkave e thundrës dhe rrathët e fryrë nga një anë. Këto shenja tregojnë që briri i cili krijon thundrën ka rënë prej disa muajsh prej laminitit. Arsyet për këtë janë thuajse gjithmonë të lidhur me të ushqyerin dhe acidozën subklinike.

Diagnostikimi i dhembjes në thundrat e lopëve realizohet duke përdorur pincat për kontrollin e thundrave, në zonën e tabanit ose në zona të tjera. Pas kontrollit të bririt të thundrës duhet treguar kujdes në kontrollin e lëkurës midis ndarjes të dy thundrave, në pjesën e bashkimit të thundrës me lëkurën si dhe në pjesën e poshtme të tabanit të thundrës.

Manifestimi klinik i patologjive të thundrave

Shenja e parë e problemeve me thundrat është çalimi, duke qënë se lopa rëndon më pak në pjesën e thundrës së prekur. Temperatura e lehtë, fryrjet dhe dhembjet janë shenja të tjera që ju mund të dalloni.

Shkaku i çalimeve. Pesha trupore, qëndrimi i gjatë mbi gjymtyrë, dëmtimet mekanike, prania e bakterieve në mjedise jo të pastra, racionet ushqimore me mungesa zinku janë disa nga shkaqet e problemeve me thundrat.

Kafsha paraqitet me pozicion jonatyral, qëndron e mbledhur, e harkuar ose pozicionohet e deformuar, paraqitet me enjtje në tendinë apo koronën e thundrës. Kafsha çalon apo manifeston dhembje në rajonin e poshtëm të gjymtyrëve. Vërehen rënie qimesh në pjesën e kavilies dhe koronës së thundrës.

KONKLUZIONE DHE REKOMANDIME

Duke u bazuar në të dhënat e literaturës dhe përvoja e krijuar në fushën e mbarështimit të gjedhit mund të nxirren disa konkluzione të rëndësishme:

Prerja e thundrave duhet të realizohet kur:

  • Kafsha paraqitet me pozicion jonatyral, qëndron e mbledhur, e harkuar ose pozicionohet e deformuar, paraqitet me enjtje në tendine apo koronën e thundrës
  • Kafsha çalon apo manifeston dhimbje në rajonin e poshtëm të gjymtyrëve
  • Vërehen rënie qimesh në pjesën e kavilies dhe koronës së thundrës
  • Pas 3 ditësh duhet kryer kontroll i thundrës dhe gjendjes së përgjithëshme

Në përfundim të këtij studimi modest mund të jepen disa Rekomandime

  • Parandalimi është më mirë se trajtimi
  • Stalla të qeta dhe të sigurta
  • Hapësira në dispozicion të kafshëve të jetë e mjaftueshme
  • Të evitohen faktorët stresantë
  • Shtresa të jetë e bollshme dhe e butë

 

Paskal Gjino
Departamenti i Moduleve Klinike, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.

Na Ndiqni në: