Sesafa1 - www.pixabay.com

Pyetje dhe përgjigje rreth sëmundjes së paresës së paspjelljes në lopë

Çfarë është sëmundja e paresës së paspjelljes në lopë?

Pareza e paspjelljes është një gjendje sëmundësore me çrregullime metabolike që karakterizohet me dobësi të përgjithshme muskulare, me humbje të ndjeshmërisë së lëkurës dhe me dobësim të “vetëdijes”. Ajo ndodh më shpesh në periudhën kohore rreth 24 orë para pjelljes dhe deri brenda 48 -72 orëve pas pjelljes. Afro 80 % e të gjitha rasteve ndodhin në intervalin e 48 orëve të para paspjelljes, me raste më të shumta në periudhën 4 – 36 orë pas pjelljes.

Në përgjithësi, pareza e paspjelljes ka karakter sporadik, por në raste të veçanta (në lopë me rendiment të lartë qumështi), dënduria e saj mund të arrijë 25 – 30 %. Pareza puerperale shfaqet në çdo periudhë të vitit, pa ndonjë specifikë sezonale ose varësi me kushtet e motit.

Cilat kafshë preken nga pareza e paspjelljes?

Patologjia e parezës së paspjelljes vërehet më shpesh në lopët me prodhimtari të lartë qumështi dhe më rrallë në dele e dhi. Kjo gjendje sëmundësore vërehet më tepër në lopët e moshës 5 – 10 vjet dhe rrallë në lopët e pjelljes së parë dhe të dytë. Varësia e sëmundjes nga mosha duket se është e lidhur edhe me nivelin e kalciumit në gjak. Nga kjo gjendje sëmundësore janë më shumë të prekshme lopët e racës Xhers. Prekshmëria  nga pareza e paspjelljes në lopët e racës Xhers është vërejtur deri 33 % në krahasim me racat e tjera që arrin në mesatare 9.6 %.

 Cilat janë disa nga shkaqet që bëjnë të mundur lindjen e sëmundjes së paresës së paspjelljes në lopë?

Në lindjen e parezës sëpas pjelljes në lopë ndikojnë shumë faktorë. Ndikimin më të madh mesa duket e ka dieta ushqimore që përdoret te lopët në periudhën e tharjes ose të fundit të barsërrisë (4 javë para pjelljes). Eksperimentalisht është provuar se trajtimi i lopëve në periudhën e fundit të barsërrisë me racione të pasura me kalcium, ka shtuar riskun e prekjes së lopëve nga pareza e paspjelljes. Për lindjen e parezës së paspjelljes ndikon edhe raporti i kalciumit me fosforin në të ushqyerit e lopëve në periudhën e barsërrisë së avancuar (të tharjes). Nga të dhënat e studimeve të kryera edhe në vendin tonë, është vërtetuar se në raporte Ca : P (6 : 1), 30 % e lopëve sëmuren; në raporte Ca : P (1 : 1), 15 % zhvillojnë sëmundjen dhe në raporte (1 : 1.3) është parandaluar shfaqja e e parezës së paspjelljes në lopë. Në lopët me prodhimtari të lartë qumështi ka ndikim dhe mjelja e plotë e tyre në 48 orët e para paspjelljes në vend të pirjes normale nga viçi. Gjendja e hipokalcemisë që ndodh menjëherë pas pjelljes është rrjedhojë e daljes së tepërt me kulloshtrën dhe e varfërimit të shpejtë të organizmit me kalcium.

Cilat janë shenjat klinike më karakteristike të paresës së paspjelljes në lopë?

Sëmundja e parezës së paspjelljes në lopë nuk është e vështirë për t’u dalluar klinikisht. E rëndësishme është kujdesi dhe mbajtja nën kontroll e lopës pas pjelljes për të paktën 48 orë. Lopët të cilat disa orë pas pjelljes shfaqin shenja eksitimi, dridhje muskulare, rritje të vigjilencës ndaj zhurmave të mjedisit, qëndrim me këmbët e pasme pak të hapura dhe manifestojnë një lëkundje të lehtë të trupit, kanë shumë gjasa që kanë filluar stadin e parë të sëmundjes.

Në vazhdim të 2 – 3 orëve lopët e sëmura kanë më shumë dëshirë të qëndrojnë shtrirë. Ato zakonisht qëndrojnë shtrirë mbi sternum dhe gjymtyrët mund t’i mbajnë të mbledhura. Në pamje lopët paraqiten tepër të dremitura dhe kanë“vetëdije” të ulur. Tetania e gjymtyrëve që vërehej më parë, zhduket dhe lopët nuk mund të ngrihen më në këmbë. Pasqyra e hundës duket e thatë. Lëkura dhe ekstremitetet në prekje janë të ftohta. Temperatura e trupit ulet nën normë (37 – 36 °C). Kafshët kanë shikim të venitur dhe si të habitshëm. Pupilat e syve zakonisht janë të zgjeruara. Kafshët fillojnë të djersiten gati në të gjithë trupin. Djersët janë të ftohta dhe ngjitëse

Në gjendje të tillë klinike lopët mundet të vazhdojnë për një kohë relativisht të gjatë, 10 – 16 orë. Nëse nuk ndihmohen me mjekim gjendja klinike e lopëve rëndohet. Ato do të shtrihen, do të qëndrojnë në pozicion anësor dhe me gjymtyrët e shtrira anash. Në këtë gjendje ato nuk ngrihen dot në këmbë dhe kanë ulje të ndjeshmërisë. Nëse shpohen me një gjilpërë në këmbët e pasme ato nuk reagojnë. Temperatura e trupit ulet deri 35 °C. Kafshët e sëmura në këtë stad të zhvillimit të sëmundjes nuk urinojnë dhe nëse nuk mjekohen shpejt dhe me barnat e rekomanduara mund të ngordhin pa kaluar 24 orë.

A mund të mjekohet pareza e paspjelljes në lopë nga vetë fermerët?

Mjekimi që rekomandohet për parezën e paspjelljes në lopë është dhënia intravenoze e preparateve të kalciumit. Në pamje të parë problemi i mjekimit nga vetë fermerët duket i lehtë, boll që ata të mësojnë rregullat e injektimit intravenoz të kalciumit. Praktika ka treguar që sot ka fermerë që e realizojnë këtë praktikë dhe në disa raste kanë patur edhe rezultate. Si mjekim standard më i preferueshëm është boroglukonati i kalciumit. Lopët me parezë puerperale përgjigjen shumë mirë ndaj boroglukonatit të kalciumit. Solucioni mund të jetë nga 18 – 40 % kalcium boroglukonat. Për lopët, 400 – 800 ml të solucionit 25 % është doza e zakonshme. Rezultate më të mira në lopë merren nga përdorimi intravenoz i 1 g kalciumi për 45 kg peshë të gjallë.

Si duhet vlerësuar pozitiviteti i mjekimit në sëmundjen e paresës së paspjelljes në lopë?

Efikaciteti i mjekimit në lopët me parezë të paspjelljes vlerësohet nga përmirësimi i shenjave klinike, sidomos i rritjes së temperaturës së trupit. Gjatë përdorimit të boroglukonatit të kalciumit p.sh, pas 10 – 15 minutave të futjes intravenoze, fillon të rritet temperatura e trupit të kafshës dhe fillojnë të largohen shenjat e tjera të sëmundjes. Kafshët djersitin në fytyrë dhe fillojnë të urinojnë dhe të defekojnë. Urinimi zakonisht fillon kur kafshët ngrihen në këmbë që ndodh brenda 4 orëve nga koha e fillimit të mjekimit. Lopët zakonisht ngrihen në këmbë pa u ndihmuar. Në raste të veçanta, disa lopë kanë nevojë të ndihmohen pasi kanë vështirësi në zgjatjen e gjymtyrëve të pasme si rrjedhojë e çrregullimit në qarkullimin e gjakut.

KUJDES: Gjatë kësaj kohe, kafshëve nuk i duhet dhënë për asnjë arsye ujë ose ushqim.

A ka raste të vështira në diagnostikimin dhe trajtimin e lopëve me parezë të paspjelljes?

Po. Raste të vështira ka gjithmonë, madje janë më të shumtat. Vështirësia fillon të duket dhe të shfaqet për rastet që sëmundja nuk rrjedh në mënyrën e vet klasike, apo kur nuk respektohen disa rregulla bazë. Psh, nëse te lopët me parezë të paspjelljes krahas hipokalcemisë është e pranishme dhe hipofosfatemia, lopa e mjekuar me preparate të kalciumit përmirësohet klinikisht por nuk ngihet në këmbë dhe mund të vazhdojë të vuajë sindromin e qëndrimit shtrirë. Lopët që kanë dhe hipomagnezemi mund të mos manifestojnë ulje të temperaturës së trupit dhe kështu të vështirësojnë përcaktimin e saktë të diagnozës. Nga ana tjetër kalciumi si preparat është kardiotoksik i menjëhershëm, prandaj ai duhet injektuar intravenoz me ngadalë (për mbi 10 – 20 minuta) dhe njëkohësisht me injektimin auskultohet zemra.

Me kë të kontaktoni nëse lopa juaj vuan nga pareza e paspjelljes?

Nëse ka dyshime për praninë e sëmundjes së parezës së paspjelljes te lopa, apo po vërehen dukuri për një ecuri jo normale në procesin e mjekimit duhet të kontaktohet mjeku veteriner. Në të gjitha rastet duhet respektuar rregulli për lajmërimin e shpejtë të mjekut veteriner. Rastet e rënda mundet që nëpërmjet mjekut veteriner të konsultohen dhe me pedagogët në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare.

Si mund të mbrohen kafshët nga sëmundja e pareses së paspjelljes?

Disa nga udhëzimet praktike për parandalimin e sëmundjes së parezës së paspjelljes në lopë do të ishin:

  • Të shmanget përdorimi i tepërt i Ca në periudhën e tharjes. Një sasi prej 6 – 8 g kalcium në ditë për 100 kg peshë të gjallë, parandalon në masë të konsiderueshme lindjen e parezës së paspjelljes.
  • Të përdoret sasia e nevojshme e fosforit. Lopës i nevojitet 35 g fosfor ose më pak, çdo ditë. Për këtë arsye shumë autorë janë të mendimit se masë parandaluese e rekomandueshme është marrja e fosforit më pak se 35 g në ditë, me marrje të moderuar të kalciumit.
  • Në periudhën e fundit të barsërrisë (të tharjes), në të ushqyerit e lopëve, duhet patur parasysh edhe raporti i kalciumit me fosforin që të jetë 1 : 1.3.
  • Të evitohet mbidhjamosja e lopëve
  • Të evitohen streset në kohën e pjelljes
  • Lopët të mbahen në mjedis të pastër, në kushte të mira dhe të kryhet mocioni i përditshëm
  • Të mbahen në mbikqyrje lopët 2 ditë para pjelljes dhe 2 ditë pas pjelljes.

Shënim: Për informacione të mëtejshme dhe ose konsultime do të gjeni në çdo kohë në Fakultetin e Mjekësisë veterinare.

 

Prof. asc. Ilirjan BAKIASI
Departamenti i Lëndëve Klinike, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.

 

Na Ndiqni në: