makamuki0 - www.pixabay.com

Procesionarja e pishës, një kërcënim serioz për masivet pyjore të pishave në Gjinar

Vit pas viti dëmtuesi e zgjeron arealin e përhapjes si në lartësi ashtu edhe në gjerësi gjeografike në varësi të rritjes së temperaturës për shkak të ngrohjes globale. Prej vitesh po punohet për të parë korrelacionin midis rritjes së temperaturës mesatare vjetore dhe përhapjes së dëmtuesit, sepse procesionarja e pishës pëlqen klimën e ngrohtë.

Kjo shpjegon faktin që pishat me kundrejtim jugor janë më të prekura. Të gjitha këto kushte i plotëson edhe zona e mbuluar me pisha në malin e bukanikut në Gjinar, ku gjatë viteve të fundit është bërë një problem serioz pasi ky dëmtues ka përparuar pothuajse në të gjithë sipërfaqen e mbuluar me pisha.

Korrelimet ndërmjet faktorëve klimatikë dhe përhapjes së dëmtuesit mbetet një problem i hapur si për biologët, agronomët, inxhinierët e pyjeve apo matematikantëve për të parë ecurinë e këtij dëmtuesi si edhe për gjetjen e metodave biologjike apo matematikore për optimizimin e tij në kohë sa më të shpejtë dhe me një dëm natyror sa më të vogël.

Çfarë është procesionarja?

Procesionarja e pishës (Thaumetopoea pityocampa, Schiff) bën pjesë në rendin Lepidoptera (Fluturat) të familjes Thaumetopoidea.

Perhapja: Është dëmtuesi kryesor i pishave në rajonin e Mesdheut dhe në Shqipëri. Dëmton me tepër pishën e zezë, hartinën dhe më pak  pishën e zonave bregdetare. Përveç pishave është vërejtur të prekë edhe dëllinjën.

Prania e këtij dëmtuesi dallohet fillimisht nga ngjyra e verdhë në të kuqërremtë që marrin halat e pishës të skeletizuara prej ngrënies nga larvat e reja në fillim të vjeshtës. Më vonë nga qeskat e bardha dimëruese të krijuara në majat e degëvetë pishave.

Përshkrimi: Insekti i rritur është flutur. Mashkulli me krahë të hapura arrin madhësinë  30 mm, ndërsa femra 40 mm. Mashkulli ka krahët e përparmë ngjyrë gri me pika dhe me tre breza të tërthortë të harkuar, më të errët si dhe krahët e pasëm të bardhë, me një njollë të zezë në anën e poshtme. Barku i femrës përfundon me një tufë qimesh të gjata me ngjyrë gri-argjend.

Vezët janë pak a shumë të rrumbullakëta, rreth 1 mm diametër, me ngjyrë të bardhë dhe shkëlqim metalik. Vemjet kanë kokë të zezë dhe kur janë të zhvilluara arrijnë 30-40 mm gjatësi. Krisalida është e gjatë 15-17 mm, e fryrë dhe me ngjyrë të kuqe në kafe, e mbyllur në një mëshikëz ovale me parete te holla.

Biologjia. Proçesionarja e pishës jep një brezni në vit por në disa raste cikli mund të jetë shumëvjeçar dhe një brezni mund të zgjasë nga 2-4 vjet. Në ciklin jetësor të proçesionares dallohen dy faza kryesore; ajo ajrore, që kalon nga fluturimi i insektit të rritur deri në hyrjen e larvave në tokë dhe ajo nëntokësore, kur larvat e rritura shndërrohen në krisalidë dhe në diapauzë. Dalja e fluturave nga toka ndodh në përgjithësi gjatë muajve korrik – gusht. Si rregull fluturimi është më i vonë sa më e nxehtë të jetë stina e verës. Fluturimi kryhet natën, ndërsa ditën fluturat qëndrojnë të fshehura. Jeta e fluturave është shumë e shkurtër dhe zgjat 1-2 ditë.

Pas fekondimit femra shkon tek pishat për të vendosur vezët duke preferuar pishat e veçuara pak a shumë nga të tjerat. Kjo shpjegon faktin që në përgjithësi drurët e izoluar apo në anët  e pyllit, janë më të prekura. Vezët i vendos në grup, duke bashkuar dy hala pishe të cilat i mbulon me një push ngjyrë gri në argjend ku gjenden 100-300 vezë. Çelja e vezëve ndodh nga fundi i muajit gusht ose fillimi i shtatorit.

Larvat e sapo dala fillojnë të ushqehen (gjatë natës) me pjesët anësore të halave më të afërta dhe formojnë rreth tyre një rrjetë të hollë me fije të mëndafshta, duke krijuar kështu një qeskë provizore në fund të degëve.

Në këtë fazë (mosha I-II larvare) larvat janë pak të dallueshme dhe dallohen vetëm jashtëqitjet e tyre, që mbesin në rrjetën e formuar si dhe halat ngjyrë të verdhë në të kuqerremtë, ku ato janë ushqyer.

Pas ngrënies së halave të një dege, larvat në rresht spostohen në degë të tjera dhe duke u rritur fillojnë të hanë komplet halën.

Nga fundi i vjeshtës, larvat e tënjës ose më shumë kolonive, formojnë një qeskë  me kompakte dhe rezistente (qeska dimëruese), volumi i së cilës varion në varësi të numrit  të larvave që kanë marrë pjesë në ndërtimin e saj (mesatarisht 150-200).

Qeska dimëruese e cila ka arritur moshën e 3 ose të 4 dhe do të kalojnë dimrin, ndërtohet në pjesën e kurorës më të ekspozuar nga dielli, që lidhet me akumulimin e nxehtësisë.

Dëmi. Dëmtimet nga proçesionarja e pishës ndjekin një kurbe ciklike me faza të dëmtimit masiv në çdo 6-8 vjet.

Gjithashtu nuk duhet harruar rreziku që paraqet ky insekt tek njeriu dhe kafshët. Vemjet kanë qime irrituese të cilat në kontakt me lëkurën, sidomos vemjet e moshës së dytë e lart, shkaktojnë irritime serioze me skuqje. Prandaj, krahas dëmit të madh ekonomik që shkaktohet në pyjet me pisha, ka edhe një dëm në shëndetin publik. Ky fakt meriton një kujdes akoma më të madh në masivet me pisha në zonat turistike.

Masat e kontrollit. Duke pasur parasysh ciklin periodik të prekjes së pishave nga proçesionarja, për të ndërtuar një strategji efikase kontrolli duhet të dimë nëse dëmtuesi është në periudhën e shumimit masiv të popullatës apo në periudhën e rënies së saj. Por ky parashikim është i vështirë, për faktin se një pjesë e popullatës mund të rrijë nën tokë për shumë kohë. Disa metoda të propozuara për të bërë këtë parashikim, janë llogaritja e numrit mesatar të vezëve për çdo grup vezësh ose vrojtimi i pamjes dhe i madhësisë së qeskës dimëruese.

Metoda mekanike përfshin prerjen dhe shkatërrimin e qeskave që kryhet nga nëntori deri në shkurt të vitit pasardhës. Për qeskat që janë lart, kryesisht ato të majës, aplikohet çarja  dhe prishja e qeskës për t’i lënë larvat të pambrojtura nën veprimin e të ftohtit.

Kundër proçesionaries rezulton efikas një produkt rregullator i rritjes siç është Diflubenzuroni (Dimilin), sidomos për larvat e moshës së parë e të dytë (shtator-tetor).

Rezultate të mira ka treguar trajtimi me insekticide biologjike me bazë Bacillus thuringiensis subsp. kurstaki kundër larvave të moshës së parë e të dytë (shtator –tetor).

Përveç këtyre, në frenimin e popullatës së proçesionares së pishës, ka qenë efikase edhe metoda bioteknologjike që bazohet në kapjen masive të fluturave, me anë të kurtheve me feromone seksuale ose me metodën çorientuese.

 

MSc. Arianit Peci
Departamenti Matematikë dhe Informatikë, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.

Prof.As. Ejup Çota
Departamenti i Mbrojtjes së Bimëve, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: