Energjia e mbetjeve të ngurta urbane ditë pas dite, konsiderohet një burim i rëndësishëm dhe i çmuar (ekonomik) i energjisë së rinovueshme ose alternative, e njohur ndryshe si bioenergji. Landfillet nga pikëpamja konstruktive janë një sistem tepër heterogjen dhe kompleks. Si rezultat, metoda e groposjes nën ose mbi tokë (landfill) e mbetjeve, në hierarkinë e menaxhimit të mbetjeve është më pak e preferuara. Një ndër faktorët kryesorë në këtë aspekt, luan vetë natyra dhe përbërja fizike dhe kimike e mbetjeve që depozitohen në landfill. Nisur nga kjo arsye dhe nga shkalla e rritjes së gjenerimit të mbetjeve të ngurta urbane me ritme të shpejta (rritja e mirëqënies, rritja e popullsisë), në mënyrë që të arrihet një mirëmenaxhim i mbetjeve dhe një mbrojtje e komponentëve të mjedisit, është tepër thelbësore të konsiderohet dhe të aplikohet një sistem menaxhimi i mbetjeve në mënyrë që në të njëjtën kohë, të realizohet riciklimi i materialeve dhe prodhim i energjisë nga materiale jo të riciklueshme. Ky sistem do të mundësonte kursim hapësire dhe zgjatje në kohë të operimit të landfillit.
Menaxhimi i mbetjeve të ngurta urbane është një problem serioz, veçanërisht në vendin tonë. Këto mbetje kanë një përmbajtje të lartë të energjisë dhe një nga mundësitë e trajtimit, është rekuperimi i energjisë përmes proçeseve termokimike (incenerim). Një tjetër metodë që mund të realizohet për të përftuar energjinë që përmbajnë këto mbetje, është edhe përmes proçeseve biokimike në kushte anaerobike (fermentim anaerobik).
Për të zgjedhur metodën më efektive të trajtimit të tyre, merren në konsideratë parametrat fizikë dhe kimikë të mbetjeve. Një ndër faktorët përcaktues dhe më të rëndësishëm që përcakton dhe destinon këto mbetje në një nga proçeset më lart, është Vlera e Fuqisë Kalorifike e këtyre mbetjeve (MJ/kg). Kështu, nëse kufiri më i ulët i këtij parametri është me një vlerë prej 7 MJ/kg dhe mbi këtë vlerë, atëhere metoda më efektive do të ishte ajo termokimike dhe e kundërta, një vlerë më e vogël se 7 MJ/kg, ajo biokimike.
Në landfill mbetjet vendosen në shtresa të organizuara në qeliza dhe seksione që i’u nënshtrohen një mbulimi periodik ditor dhe përfundimtar me materiale të ndryshme (tokë, torf, inerte). Pas mbulimit, mbetjet i nënshtrohen proçesit të dekompozimit (zbërthimit). Ky proçes zhvillohet në disa faza dhe shoqërohet me çlirim nxehtësie, çlirim elementësh toksikë, CH4, CO2 etj.
Është pikërisht gazi metan (CH4) që përbën një potencial përsa i përket përftimit të energjisë nga landfilli. Gazi metan, në temperaturë dhome është një gaz pa ngjyrë dhe pa erë. Është lehtësisht i ndezshëm dhe eksploziv në temperaturë ambienti. Për më tepër është mbi 25 herë më aktiv se CO2 në kapjen e nxehtësisë në atmosferë (efekti serrë). Si rezultat, ky gaz përbën një sfidë për ta menaxhuar edhe në rastin e landfilleve.
Për këtë arsye, në landfille duhen vendosur sisteme ekstraktimi/mbledhëse të këtij gazi. Edhe në rastin kur nuk vendosen këto sisteme, minimalisht duhet të realizohet vendosja e tubacioneve poroz në thellësinë e vendosjes në landfill me qëllim largimin e gazit në atmosferë, duke shmangur kështu shpërthimet dhe zjarret. Në momentin që gazi largohet nga landfilli në atmosferë edhe mund të digjet për të ulur ndikimin në efektin serrë.
Duke qënë se përbën një burim objektiv energjie, ky gaz mund të mblidhet nëpërmjet sistemeve aktive (me harxhim energjie) dhe pasive (bazuar në përqëndrimin e gazit në landfill). Më pas, në funksion të destinacionit dhe teknologjisë që do të aplikohet për ta përdorur, gazi duhet gjithashtu edhe t’i nënshtrohet edhe purifikimit/pastrimit nga papastërtitë që e shoqërojnë në momentin që veçohet nga shtresat e mbetjeve.
Aleksandër Peqini
Departamenti i Shkencave Agronomike, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.