Peshku Gjyle Pikalosh, Lagocephalus sceleratus, është një specie që ka hyrë në detin Mesdhe në vitin 2003 përmes Kanalit të Suezit. Ky lloj peshku, është një specie tropikale që ka pushtuar detet tona, kryesisht në pjesën më të madhe të tyre në pellgun Lindor dhe aktualisht është në zgjerim gjeografik. Prania e tij fillimisht në ujërat italiane, është regjistruar për herë të parë në vitin 2013 në ishullin Lampeduza. Që nga ajo kohë, mostra të tjera janë peshkuar në Siçili, në kanalin e detit Adriatik dhe në Spanjë. Peshku gjyle pikalosh dallohet lehtësisht nga peshqit e tjerë për praninë e njollave të errëta që ka në kurriz. Ky lloj peshku është shumë helmues, madje mund të shkaktojë edhe vdekjen. Helmi ruan vetitë edhe pas gatimit ndaj në asnjë mënyrë nuk duhet të konsumohet.
Gjithashtu peshqit gjyle janë të ndaluar të tregtohen. Ato mund të njihen dhe të dallohen lehtësisht nga llojet e tjera, nga lëkura e tyre e cila është pa luspa, si dhe nga nofullat e tyre të mëdha dhe me dhëmbë shumë të mprehtë. Specie të tilla të zëna në ujërat italiane janë vetëm tre.
Prof. Asoc. Dr. Jerina Kolitari
Pedagog në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit, Departamenti i Akuakulturës dhe Peshkimit, UBT.