Peshkaqenët dhe rajat, speciet e kërcënuara nga peshkimi

Nën dilemën e peshkimit të peshkaqenëve: A është zënie rastësore apo do të vazhdojë të konsiderohet si e tillë në Mesdhe?

Deti Mesdhe është një nga pikat e nxehta të biodiversitetit në botë për peshkaqenët, rajat dhe kimerët, me rreth 86 specie që jetojnë në ujërat e tij (47 lloje peshkaqenësh, 38 rajash dhe 1 kimerë), që nënkupton një prani të rreth 7% të peshqve kërcorë në botë. Fatkeqësisht Deti Mesdhe konsiderohet si një nga vendet më të rrezikshme në botë për peshkaqenë dhe rajat, me gati 50% të specieve të tij nën kërcënim. Nga 73 speciet e përfshira në vlerësim, 20 specie cilësohen si të rrezikuara në mënyrë kritike (CR), 11 si të rrezikuara (EN), 8 si vulnerabël (VU), 9 si afër kërcënimit (NT) dhe 12 si me shqetësime të pakta. Trembëdhjetë specie janë ende të kategorizuara si me mangësi të të dhënave (DD) që zbulojnë mungesën e informacionit dhe pasiguri nën statusin e specieve që mund të jetë më keq sesa pritej, sipas të dhënave aktuale.

Italia është një nga tregjet më të mëdha të konsumit në botë të mishit të peshkaqenëve dhe renditet si importuesi i tretë më i madh në botë për nga vëllimi. Ky mish peshkaqeni furnizohet kryesisht përmes prodhuesve kryesorë evropianë, duke përmendur faktin se Spanja është furnizuesi kryesor me një mesatare vjetore prej 49% në vëllim të importeve totale të mishit të peshkaqenëve, ku vlen të theksohet se jo të gjithë peshkaqenët e peshkuar vijnë nga Mesdheu. Një pjesë e tyre kapen nga peshkatarët profesionistë në brigjet e lagura nga Oqeani Atlantik.

Ekzistojnë disa kërcënime që prekin peshkaqenët dhe rajat në Detin Mesdhe, por mbipeshkimi duket të jetë më i rëndësishmi, edhe pse nuk ka ndonjë peshkim tipik të peshkaqenëve në rajon. Peshkaqenët dhe rajat kapen rastësisht në pjesën më të madhe të peshkimit mesdhetar. Sidoqoftë, ekziston një hendek i rëndësishëm i njohurive lidhur me niveli i kapjeve rastësore. Rrjetat fundore dhe grepat e gjatë përbëjnë mënyrat e peshkimit më të rëndësishme për kapjen rastësore e peshkaqenëeve. Peshkimi me linja prek më së shumti peshkaqenët dhe rajat pellagjike (grepa me fill të gjatë pellagjik), por edhe specie të bentosit (rrjetat fundore). Kapja rastësore e peshkaqenëve dhe rajave, përfaqëson rreth 10-15% të biomasës së kapjeve të analizuara në peshkimin e tonit dhe peshkut të detit.

Për të përmirësuar njohuritë mbi speciet e rrezikuara të peshkaqenëve dhe rajave, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural së bashku me FAO-n dhe institucionet e tjera partnere (përfshirë edhe anëtarë të stafit të Universitetit Bujqësor të Tiranës) kanë përgatitur materiale të ndryshme informuese.

Një manual i tillë është përgatitur kohë më parë me ndihmën e ekspertëve më të mirë në rajon dhe në botë, si Alen Soldodhe Sarah Fowler, në të cilin përfshihen llojet e ndryshme që mund të hasen në brigjet shqiptare, duke qenë se vetë peshkaqenët kanë aftësi tepër të larta për të përshkuar distanca oqeanike.

Duhet bërë kujdes të dallohen tre kategori:

– llojet subjekt peshkimi (si peshkaqeni pëllumb)
– llojet jo-subjekt peshkimi, por që bien rastësisht gjatë peshkimit
– llojet që mbrohen nga konventat ndërkombëtare dhe legjislacioni kombëtar

Sipas tij, një problem që has gjithë Mesdheu është menaxhimi i qëndrueshëm i tyre (i këtyre specieve ujore), kur trajtohen si rezervë peshkore, por gjithashtu trajtimi si specie që bie rastësisht gjatë peshkimit duhet parë në disa këndvështrime.

Pyetja që lind është: Deri kur do të konsiderohet “zënie aksidentale” dhe a përbën ky një kategorizim për të thelluar akoma më shumë peshkimin e tij, duke krijuar kapërcime nga kategoria “vulnerabël” në “kritikisht në rrezik zhdukjeje” ??!

Normalisht kjo është një pyetje retorike, por ngacmuese për opinionin e gjerë. Një shembull vjen nga reduktimi i biomasës së peshkaqenit blu në të gjithë Mesdheun, i cili në një kohë tepër të shkurtër (jo më shumë se 5-6 vjet) bëri kapërcimet galopante duke përfunduar në kategorinë “kritikisht në rrezik zhdukjeje”.

 

Prof. Asoc. Dr. Rigers Bakiu
Pedagog në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit, Departamenti i Akuakulturës dhe Peshkimit, UBT.

Na Ndiqni në: