Baza kryesore për të patur një mbrojtje efektive për kontrollin e mizës së ullirit është monitorimi i dëmtuesit dhe vlerësimi i dendësisë së tij.
Kufiri i ndërhyrjes përcaktohet me anë të monitorimit të popullatës së mizës së ullirit duke kapur insektet e rritura me anë të kurtheve kromotropike, me ferromone seksuale, me substancë amoniakale si dhe duke bërë kampionimin e frutave të ullirit për të parë gjendjen e infeksionit.
Kampionimi i frutave të ullirit konsiston në marrjen e një kampioni përfaqësues prej 100 frutave çdo javë, të mbledhura në 10-20 pemë/ha, duke grumbulluar 5-10 kokrra ulliri/pemë. Në kuadrin e një mbrojtjeje të integruar për të ndjekur më mirë evolucionin e biologjisë së insektit, kampionimet duhet të fillojnë në gjysmën e dytë të korrikut dhe të vazhdojnë me intervale javore deri në fund të vjeshtës.
Monitorimi i insekteve të rritur mund të bëhet nëpermjet kurtheve të tipeve të ndryshme:
Kurthe kromotropike dhe me ferromon seksual
Kurthe kromotropike (ngjyrë të verdhë), në të cilën janë të vendosura së bashku ferromone seksuale + proteina të hidrolizuara-+ kripërat e amonit. Kurthet janë të lyera me një ngjitës dhe janë në gjendje të kapin insektet e rritur meshkuj dhe femra.
Kurth me ferromon për monitorimin e mizës së ullirit
Kurthe të pajisura vetëm me ferromone (me ngjyrë të çelur). Zakonisht përdoret ferromoni Spiroketal dhe format e tyre janë në përgjithësi formë rombi, ku pjesa e poshtme e tij është lyer me substancën ngjitëse.
Koha e monitorimit
Monitorimi fillon në fund të muajit qershor duke vendosur 2-3 kurthe/ha. Përdorimi i kurtheve deri tani nuk lejon që të përcaktohet një korrelacion i numrit të insekteve të rritura të kapura dhe i shkallës sëinfeksionit në frutin e ullirit.
Kampionimi i frutave
Kampioni i zgjedhur ekzaminohet me anë të lenteve zmadhuese ose stereomikroskopin për të vlerësuar infeksionin aktiv, i cili paraqet shumën e vezëve dhe të larvave të gjalla (larvat e moshës I, II dhe III) në 100 kokrra ulliri të ekzaminuara. Në infeksionin total përfshihet edhe numri i pupave dhe vrimave të daljes. Për përcaktimin e kufirit të ndërhyrjes merret në konsideratë vetëm infeksioni aktiv.
Kufijtë e ndërhyrjes janë:
- për ullinjte për tavolinë, kur vërehet prezenca e shpimeve të para
- për ullinjtë për vaj, 10-15 % të infeksionit aktiv (vezë, larvë) në varësi të variteteve
Intensiteti i infeksioneve të mizës së ullirit në kultivarë dhe mjedise të ndryshëm është i sfazuar në kohë.
Prof. Dr. Shpend Shahini
Përgjegjës i Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.