Në situatën e emergjencës shëndetësore në kuadër të pandemisë së koronavirusit të ri SARS-CoV-2, e rëndësishme është që edhe komuniteti veterinar të përditësojë informacionin, me qëllim reduktimin e impakteve të pandemisë në shëndetin human. Krahas masave për mbrojtjen personale të stafit, duhet të përshkruhen dhe procedurat mjekësore veterinare që duhen kryer, ato që mund të shtyhen në kohë si dhe masat e dekontaminimit, pastrimit e dezinfektimit. Edhe mjekësia veterinare përveç njohurive teorike gjithashtu jep kontribut të rëndësishëm në këtë situatë, për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe ndërprerjen e zinxhirit transmetues të infeksioneve në popullatën humane.
Përqasja “Një Shëndet” dhe SARS – CoV-2
Filozofia “Një Shëndet” përshkruhet si përpjekje e përbashkët bashkëpunuese multidispilinare, ndërsektoriale e gjithëpërfshirëse në nivele nga lokale në ato globale, për të ruajtur shëndetin dhe mirëqenien optimale të njeriut, kafshëve dhe bimëve në mjedisin e përbashkët. Në këtë aspekt nevojiten informacione në lidhje më njohjen e kafshëve potencialisht rezervuarë të virusit SARS -CoV-2, rrugëve e mënyrave të transmetimit që kontribuojnë substancialisht në parandalimin e COVID-19.
Përsa i përket strategjive kryesore për kontrollin e përhapjes së SARS-CoV-2, ato janë: 1) zbulimi i hershëm i bartësve përmes diagnozës së shpejtë e të saktë laboratorike, 2) izolimi i individëve (njeri a kafshë) të infektuar e portatorë (përfshi rezervuarët), 3) zbatimi i masave kufizuese e karantinore, 4) zbulimi i vaksinave efikase dhe biopreparateve mjekuese etj.
Survejanca në kafshët receptive në kontakt të ngushtë me pacientët e infektuar, në kafshët e kopshteve zoologjike dhe speciet e egra ka rëndësi për të njohur e vlerësuar rolin e tyre potencialisht të mundshëm si bujtës të ndërmjetëm apo transmetues të virusit. Në kuadër të filozofisë “Një Shëndet” është me rëndësi parësore, sigurimi i një bashkëpunimi ndërkombëtar për të siguruar disponimin e sekuencave të shtameve dhe përditësimi i të dhënave në kohë reale.
Një gjë e tillë do të mundësonte përmirësimin e protokolleve diagnostikuese, mjekuese dhe prodhimin e vaksinave efikase. Këto strategji ndihmojnë në njohjen e potencialit zoonotik, parandalimin dhe reduktimin e kalimit të SARS-CoV-2 nga kafshët në njerëz dhe ndoshta anasjelltas. Ekspertët theksojnë se puna e përbashkët midis shkencave biomjekësore, siguron kuptimin e mekanizmave kompleks e divers të sëmundjes COVID-19 (patogjenezën), prodhimin e biopreparateve (serume hiperimune, vaksina), modelime të sëmundjes në kafshë dhe hartimin e strategjive të kontrollit efektive e të suksesshme.
Ndërkaq respektimi i masave të miratuara nga autoritetet e shëndetit publik dhe biosigurisë nga punonjësit që merren me blegtori dhe kujdesin e shëndetit të kafshëve siguron jo vetëm ruajtjen e shëndetit të tyre por kontribuon në garantimin e sigurisë ushqimore për publikun. Rëndësia e bashkëpunimit të mjekësisë humane dhe asaj veterinare për COVID-19, lidhet me faktin se tashmë është dokumentuar kalimi i sëmundjes nga njeriu tek kafshët dhe qarkullimi pasues në kafshë si dhe transmetimi përsëri tek njerëzit. Kjo, në popullatat e vizonëve të mbarështuar në ferma në 10 vende (Kanada, Danimarkë, Francë, Greqi, Itali, Lituani, Holandë, Spanjë, Suedi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës). Dy shpërthimet e para fillimisht janë regjistruar në Holandë që në Prill të vitit 2020.
Në vizonët e prekur ka patur manifestime klinike respiratore dhe rrallë gastrointestinale. Në shumicën e rasteve treguesi i vetëm i qarkullimit të virusit ka qenë niveli lehtësisht i rritur tej normës bazë të mortalitetit. Koronavirusët janë të mëdhenj, kanë ARN dhe janë me mbështjellje dhe me forma të ndryshme (pleomorfikë). Ato replikohen në citoplazëm dhe janë të ndjeshëm ndaj kushteve të mjedisit. Koronavirusët shkaktojnë sëmundje respiratore të zakonshme por gjithashtu disa nëntipe në forma të rënda në njerëz, sëmundje në mace, sëmundje gastroenterike e nervore në derra, sëmundje enterike në gjedhë, sëmundje akute në shpendët shtëpiakë dhe pulat e detit e sëmundje intenstinale e respiratore në qen.
A preken kafshët shtëpiake nga virusi?
Sipas profesionistëve kafshët shtëpiake nuk preken, por është e vështirë të thuhet me siguri të plotë se kurrë nuk do të ndodhë prekja e tyre. Deri më sot është evidentuar prania e ARN virale në qen, mace, tigër dhe vizonë. Në qen nuk ka shkaktuar sëmundje klinike ndërsa në mace ka patur disa forma të lehta. Për këtë arsye rekomandohet marrja e masave për reduktimin e ekspozimit me të gjitha fomitet përfshirë edhe kafshët. Veshja e dorezave gjatë manipulimit me kafshët është e detyrueshme.
Kafshët në kontakt me pacientët e infektuar, mund të kontaminohen me virusin si me çdo objekt tjetër: telefoni, monedhat, dorezat e dyerve, etj. Nga fomitet e kontaminuara indirekt, mund të infektohen njerëzit. Është mirë të siguroheni nëse kafsha vjen nga shtëpia e pacientëve të infektuar me SARS-CoV2. Në këtë rast duhet të zbatohen masa të biosigurisë, veçimit/izolimit dhe dezinfektimit.
Virusi SARS-CoV-2 është virusi i shtatë që prek njeriun. Katër virusë (229E, OC43, NL63, dhe HKU1) janë përgjegjës për 20-30% të ftohjes së zakonshme të njerëzve. SARS dhe MERS janë koronavirusët e njohur emergjentë që kanë shpërthyer. Prania e ARN në virus është lajm i keq ndërsa virusi pëson mutacione të shpeshta. Ndërkaq lajm i mirë është prania e mbështjelljes lipidike të tij. Detergjentët, sapuni dhe dezinfektantët e shkatërrojnë dhe e inaktivojnë virusin. Lakuriqët janë rezervuarë diversë të koronavirusëve dhe ndoshta pangolinët luajnë rolin e bujtësve ndërmjetës (identifying SARS-CoV-2 related coronaviruses in Malayan pangolins)
Ne duhet të “mësohemi” të jetojmë me SARS-CoV-2
Nëse pandemia zhvillohet pa ndërhyrje ajo do të arrinte pikun brenda pak kohe, rreth 1 muaj. Ndërhyrja me masa parandaluese do të mundësonte uljen e saj dhe funksionimin e sistemit shëndetsor dhe menaxhimin e rasteve por pandemia do të zgjasë në kohë. Pandemia në rritje eksponenciale favorizon vdekjen e pacientëve jo vetëm nga SARS-CoV-2 por edhe nga patologji të tjera.
Komuniteti veterinar mund të ndihmojë në minimizimin e përhapjes së infeksionit, pavarësisht se kafshët shtëpiake e ato të shoqërimit nuk preken nga sëmundje klinike; mjediset e pacientëve të infektuar dhe kafshët e tyre mund të shërbejnë si fomite.
Kontrolli i kontaminimit në praktikën veterinare përfshin protokolle të shkruara për kontrollin e infeksioneve, larjen e duarve, pastrimin dhe dezinfektimin, distancimin fizik si dhe pranimin e pacientëve dhe ekzaminimin e tyre . Edhe personeli veterinar duhet të ndjekë e të zbatojë 5 praktika të thjeshta të OBSH dhe ISHP, si: larjen shpesh të duarve, përdorimin e bërrylit gjatë kollitjes/teshtitjes, mosprekjen e fytyrës, mbajtjen e distancës fizike dhe qëndrim në shtëpi nëse ndihet sëmurë.
Prof. Xhelil Koleci
Departamenti Shëndetit Publik Veterinar, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.