qimono - www.pixabay.com

Zoonozat më origjinë ushqimore – Çfarë janë ato?

Sëmundjet zoonotike me origjinë ushqimore shkaktohen nga konsumi i ushqimit apo ujit të kontaminuar nga mikroorganizmat patogjenë si bakteret dhe toksinat e tyre, viruset dhe parazitët. Mikroorganizmat më të zakonshme që takohen në vendet e Bashkimit Evropian janë; Campylobacter, Salmonella dhe virusët si për shembull ata të i hepatitit A dhe norovirus.

Ashpërsia e këtyre sëmundjeve tek njerëzit, varion nga simptomat tepër të lehta deri tek simptomat që vënë në rrezik jetën e konsumatorëve. Shumica e këtyre mikrorganizmave gjenden zakonisht në zorrët e kafshëve të cilat janë prodhuese të ushqimeve. Risqet e kontaminimit janë të pranishme që nga ferma dhe kërkojnë ndërmarrjen e masave parandaluese dhe të kontrollit gjatë të gjithë zinxhirit ushqimor. Ndërkaq mirëtrajtimi i mishit si lëndë e parë por edhe përbërësve të tjerë ushqimorë gjatë gatimit si dhe respektimi i rregullave të mira higjienike, mund të parandalojnë ose të zvogëlojnë rrezikun e shkaktuar nga këto mikrorganizma.

EFSA dhe lufta kundër zoonozave me origjinë ushqimore në BE

Sëmundjet me origjinë ushqimore janë një rrezik eminent dhe i përhapur për shëndetin publik global. Në BE janë raportuar çdo vit më shumë se 320.000 raste në njerëz, por numri real mendohet të jetë edhe më i lartë. Për këtë arsye EFSA, Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore luan një rol të rëndësishëm i cili është të vlerësojë riskun që lidhet me zinxhirin ushqimor në BE si dhe të garantojë një nivel të lartë të mbrojtjes së konsumatorëve dhe shëndetit të kafshëve. Puna shkencore e këtij organizmi dhe këshillat në drejtim të zoonozave mbështetin Komisionin Europian, Parlamentin Europian dhe vendet anëtare të BE-së, duke mundësuar marrjen e vendimeve efektive të menaxhimit të riskut dhe duke formëzuar themelet për politikat dhe legjislacionin për mbrojtjen e konsumatorëve në BE.

Një ndër misionet e EFSA-s është monitorimi vjetor. Shpërthimi i zoonave me origjinë ushqimore në BE monitorohet dhe analizohet mbi bazën e raporteve vjetore përmbledhëse të BE, të përgatitura nga EFSA dhe Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC). Monitorimi bazohet në të dhëna të krahasueshme të mbledhura nga shtetet anëtare të BE-së, për prevalencën e Salmonella, Campylobacter ose mikroorganizmave të tjera në njerëz, kafshë dhe ushqim. Raportet vjetore shpërndahen në vendet anëtare me informacionin e përditësuar për situatën aktuale.

EFSA dhe Panelet Shkencore përcaktojnë faktorët e riskut që kontribuojnë në prevalencën e mikroorganizmave zoonotike në popullatat e kafshëve dhe në ushqim, bazuar në të dhënat e shteteve anëtare dhe në informacion tjetër.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i punës së EFSA-s është vlerësimi i riskut. Panelet Shkencore bëjnë vlerësimin e riskut për shëndetin publik nga kafshët e infektuara dhe japin këshilla se si lehtësimi dhe opsionet e kontrollit do të kenë impakt mbi këto baktere.

Rekomandimet dhe këshillat në pakësimin e masave janë gjithashtu pjesë e punës së këtij institucioni. Kështu, këshillat e EFSA-s ndihmojnë vendim-marrësit e BE-së, për të kuptuar dhe paraprirë impaktet e shëndetit publik, karshi masave të ndryshme të kontrollit. Të dhënat e mbledhura nga shtetet anëtare të BE-së shërbejnë si bazë për BE, për të vendosur objektivat për pakësimin e mikroogranizmave në ushqimet me prejardhje nga kafshët dhe produktet ushqimore.

 

Prof. Bizena Bijo
Drejtuese e Departamentit të Shëndetit Publik Veterinar, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.

Na Ndiqni në: