Krasitja në të thatë vlerësohet një ndër operacionet më kryesore që realizohet në drufrutorë. Përgjithësisht ky proces kryhet në muajt e ftohtë të dimrit dhe këshillohet të bëhet pas kalimit të periudhës me ngrica të forta dimërore.
Në fakt, konceptet e krasitjes në të thatë janë përmirësuar ndjeshëm dhe shumë shtete me pemëtari të zhvilluar përveçse realizojnë krasitje të gjelbër cilësore dhe rrallim intensiv frutash, pas vjeljes bëjnë krasitje që përfshin deri 70 – 80% të masës vegjetative. Pjesa tjetër plotësohet në krasitjen dimërore. Ndër operacionet kryesore të krasitjes në të thatë përmendim pincimin, shkurtimin, prerjen/eleminimin.
Në varësi me masën e prerjes dhe sasinë e drurit që prek krasitësi mbi kurorën e bimës, ndërhyrja/prerja mund të jetë e lehtë, optimale dhe e tërësishme. Kështu, pincim quhet procesi kur ndërhyrja është e pakët dhe hiqet pjesa e majës së lastarit/degëzës; shkurtim quhet procesi kur largohet pjesa më e madhe e tij, pra kur hiqet edhe pjesa e mesit të lastarit/degës përveç majës; eleminim quhet procesi kur hiqet i gjithë lastari ose degëza që i nënshtrohet krasitjes dhe procesi quhet ripërtëritës në rast se shkurtimi bëhet mbi degët skeletore kryesore. Në këtë rast ndërhyrja me prerje/krasitje ka për qëllim të luftojë polaritetin duke synuar të ulë kurorën e bimës sa më afër bazës. (Këto ndërhyrje këshillohen në mollë, dardhë, kumbull, etj).
Teknikisht prerjet, pincimi apo shkurtimi mbi lastarë bëhet direkt mbi nyje, ndërsa prerjet bëhen mbi degë të trasha dhe është e detyrueshme të bëhen mbi formacion vegjetativ që është në gjendje të mbyllë plagën e hapur e cila në varësi të ndërhyrjes, ka përmasa të madhësive të ndryshme.
Si rregull pincimet dhe shkurtimet e zakonshme të lastarëve një dhe dyvjeçarë bëhen me gërshërë ndërsa prerjet apo shkurtimet bëhen me sharrë.
Për rastin e prerjeve me sharrë është e detyrueshme që pas shkurtimit të bëhet pastrim i vendit të prerë dhe më pas të bëhet izolimi me mastiç.
Në të gjitha rastet, pas krasitjes këshillohet trajtimi kimik për izolim të pjesëve të prera dhe shmangie të infeksioneve të ndryshme nga sëmundje dhe patogjenë bujqësor.
Ndryshimi i këndit të pjerrësisë së degëve kryesore.
Ky operacion konsiston me ndërhyrjen mbi këndin e vendosjes së degëve të para skeletore ndaj udhëheqësit kryesor duke e zhvendosur atë nga këndi 40 – 45º që mund të dalin natyrshëm në kënd 60 -70º. Si proces kryhet në vitet e para pas mbjelljes së fidanit në fushë dhe përgjatë periudhës së formimit të kurorës. Kjo sepse në këtë fazë lastarët janë të rinj dhe të manovrueshëm për t’iu përgjigjur ndryshimit të ri.
Si pasojë e këtij pozicioni të ri, lastarët e përzgjedhur për degë skeletore ndryshojnë masën e rritjes dhe nuk tenton më lartësinë. Është provuar se sa më i madh të jetë këndi i ri i vendosjes së degëve, aq më e vogël do të të jetë kurora dhe aq më shumë do të jenë të veshura me degëzim degët e niveleve të dyta. Ky reagim shfrytëzohet për modelimin dhe formimin e kurorës dhe përshtatjen e mënyrës së vegjetimit duke ekuilibruar edhe brenda për brenda kurorës masën e zhvillimit të lastarëve dhe degëzimeve që natyralisht gjenden në pozicione të favorizuara në bimë.
Rikujtojmë se fidanët frutorë kur mbillen në fushë, përgjithësisht vishen me lastarë dhe më tej degë skeletore të para që tentojnë një kënd dalje 40-90°(varësisht nga specia dhe kultivari) përkundrejt vazhduesit të bimës/udhëheqësit apo udhëheqësit imagjinar (kurorat kupore) dhe tendenca e veshjes me degë dhe degëzime të niveleve më të ulëta është e ndryshme.
Për rastet kur veprojmë mbi lastarët/degët e para dhe të dyta duke ndryshuar këndin e vendosjes përkundrejt boshtit të bimës, intensiteti veshjes me lastarë e degë është i ndryshëm.
Sipas praktikave prodhuese dhe portokolleve të krasitjes, kur këndi i vendosjes së një dege ndaj boshtit imagjinar rritet mbi 45-60º, filizat që vendosen në pjesën e sipërme të saj marrin një zhvillim më të madh se ato në pjesën e poshtme. Në raste të tilla edhe në qoftë se specia është me natyrë akrotone, operacioni do të bëjë që lastarizimi të bëhet qysh në bazën e saj dhe praktikisht të sillet si specie bazotone.
Por edhe në rastet kur bima shfaqet me degëzim të qartë bazotonik, nëse veprojmë përmes zgjerimit të këndit, fenomeni i bazotonisë do të jetë përsëri i theksuar dhe veshja me degë dhe lastarë të niveleve më të ulëta do të jetë më e fuqishme.
Këshillohet që ndryshimi i këndit të pjerrësisë të bëhet pas mbjelljes së fidanit në fushë ose në verën e po atij viti në momentin kur lastarët kryesorë janë linjifikuar plotësisht në bazën e tyre. Për të realizuar këtë operacion përdoren mjete rrethanore sikurse janë “bigat” e drurit ose duke lidhur mbi lastarin që do t’i ndryshojmë këndin pasha të vogla betoni që pregatiten dhe përdoren për këtë qëllim.
Figure 1.(a,b,c). Ndikimi i hapjes së këndit mbi veshjen me degëza dhe frutifikimin e bimës (a, d) 90°, (c), 45°, (e), 150)
Ndryshimi i këndit të daljes degëve kryesore ose dhe të dyta skeletore mund të aplikohet edhe në rast kur ato praktikisht daili në kënd më të gjerë se ai i këshilluari. Në këtë rast veprohet duke i mbyllur ato përmes lidhjeve me rrahje lini deri në këndin e dëshiruar por gjithmonë bëjmë kujdes që mbi lëkurën e degëve që afrohen, të vendosen mbrojtëse kartoni të forta në mënyrë që të mos krijohen plagë apo kufizime të lëvizjes së limfës.
Në krasitjen dimërore rrahjet priten dhe eleminohen ndërsa më tej vazhdohet me plotësimin e kurorës me degë dhe degëza të niveleve të ndryshme, vegjetative apo frutore qofshin ato.
Largimi i një dege ose degëzimi kryesor
Ky operacion krasitjeje në të thatë ka si qëllim përmirësimin e kurorës ose shëndetësimin e saj. Këshillohet të bëhet në ato raste kur elementë kryesor të kurorës janë vendosur në pozicion të papërshtatshëm me aksin kryesor të bimës, psh., vazhduesi i degës skeletore drejtohet në brendësi të kurorës, kryqëzohet me degëzime të tjera të këtij niveli që konkurojnë padrejtësisht në kurorë apo mund të kenë marrë zhvillim të madh dhe dalin jashtë kurorës në drejtim të midis rreshtave etj.
Por cilado qoftë arsyeja e ndërhyrjes, prerja duhet të bëhet afër ose mbi unazën që rrethon degën me qëllim që të favorizohet mbyllja e plagës. Në të gjitha rastet kur trashësia e degës ose diametri i saj është mbi 2.5 – 3 cm, plaga izolohet me mastiç. Reagimi i bimës edhe në këtë rast do të jetë në varësi të masës bimore të hequr me anën e prerjes.
Heqja dhe shkurtimi i krahëve
Heqja e krahëve apo shkurtimi tyre është një operacion i zakonshëm në format e kurorave gjysëm të lira. Për rastin në fjalë, përmes krasitjes hiqen krahët që dalin në midisrreshta ose ato që krijojnë dëndësi në vegjetacion.
Prerja duhet të jetë e tillë që të favorizojë mbylljen e plagës e cila më pas izolohet me mastiç. Ndërhyrja me anën e krasitjeve për shkurtimin e krahëve eviton zgjatjen e tepruar të tyre. Përgjithësisht prerja bëhet në afërsi të një dege dytësore e cila merr funksionin e zgjatjes dhe ndihmon në krijimin e drurit në degë. Për këto raste ndërhyrjet këshillohet të bëhet në të gjelbër.
Rrallimi dhe shkurtimi i degëzave
Rrallimi i degëzave frutore ose në disa raste shkurtimi i një kategorie të tyre (degëzat torbeste, vegjetative, të përziera) janë operacione të krasitjes dimërore. Rrallimi është më energjik në speciet që frutifikojnë në degëza njëvjeçare si pjeshka & qershia, ndërsa bëhet me intensitet mesatar në specie si molla dhe dardha që frutifikojnë në lamburdat frutore që janë degëza dyvjeçare.
Koha e kryerjes së shkurtimit të degëzave apo e rrallimit të tyre mund të jetë në të thatë, kur ajo bëhet për të stimuluar bimët e rritura të cilat paraqesin vegjetacion të dobët ose në të gjelbër, kur bimët janë me zhvillim të madh dhe kërkohet kufizimi i rritjes vegjetative. Në rastin e fundit speciet reagojnë në mënyrë të ndryshme ku vërejmë se:
– Molla, dardha dhe pjeshka rrisin diferencimin e sythave për vitin e ardhshëm dhe kjo sepse eleminohet konkurrenca majore.
– Hardhia rrit dhe përmirëson cilësisht prodhimin.
– Të gjitha speciet në fazën e rritjes nxisin krijimin e degëzave frutore të parakohshme.
Figurë 3 (a,b,c). Shkurtimi i krahut të një dege dardhe (a), sjellja e një dege në pozicion vertical(b) dhe kënd 45° e 90° në një specie me sjellje akrotone (c).
Në literaturën e sotme këshillohet që për kategorinë e degëzave frutore duhen shmangur prerjet e majave, por duhet të aplikohet rrallimi i tyre duke gjykuar mbi shpeshtinë e tyre dhe llojin e degëzave karakteristike që dominon prodhimin në kultivarë të veçantë. Por ka edhe raste specifike sikurse rasti i degëzave frutore torbeste/këmbëpate tek farorët të cilat kanë jetëgjatësi 10 -12 vjet dhe në to aplikohet krasitja freskuese pas vitit të 3-4 të prodhimit sepse pas kësaj periudhe kjo kategori degëzash japin fruta diskret dhe jo të pëlqyeshëm për tregun konsumator. Rifreskimi risjell përsëri prodhim të mirë dhe mjaft cilësor.
Përkulja e degëve/lastarëve
Përkulja modifikon pozicionin e degëve në krahasim me vertikalen dhe redukton fortësinë e bimës duke alternuar përqindjen e vegjetacionit në gjatësinë e saj. Përkulja në thelb mundëson kufizimin e rritjes së krahëve dytësorë ose edhe degëve të fuqishme duke reduktuar fortësinë e bimës dhe orientuar kurorën e bimës sa më mirë ndaj dritës.
Në fakt me termin ‘përkulje’ kuptojmë atë lloj ndërhyrje mbi degët e niveleve të ndryshme apo mbi lastarët në rastin kur ndryshimi i këndit kalon mbi 90º dhe praktikisht lastari/dega përkulet në drejtim të tokës duke krijuar një hark në vendin e përkuljes.
Si operacion mund të realizohet lehtësisht, por me kusht që lastari/dega të jetë e padrunjëzuar dhe me diametër të vogël. Në rast të kundërt problemi vështirësohet dhe çdo lloj përdorimi force mbi formacionet e drunjëzuara çon në thyerjen e tyre.
Edhe në rastin kur një lastar/degë përkulet në formë “harku” pasojat janë analoge si në rastin e ndryshimit të këndit të pjerrësisë, por në këtë rast rritja më e madhe e filizave ndodh në zonën e përkulur (dorsale) për shkak të përthyerjes së gypave të ksilemës dhe ndryshimit që i bëhet lëvizjes së ushqimit nga ajo e zakonshme. Në rastin e përkuljes në formë harku rritet mundësia e frutifikimit të bimës dhe kjo shfrytëzohet mirë nga frutikulturisti dhe të gjithë ata që e zotërojnë mirë këtë mundësi që bima mbart në trashëgiminë e vet.
Reagimi i lastarëve dhe i krejt bimës së re në raste të tilla është më i theksuar në filizat që dalin në pjesën e majës dhe të bazës së saj dhe më pak në pjesën e mesit. (Figurë 4. b)
Figurë 4. (a,b). Efekti i përkuljes së lastarëve në ½ e gjatësisë (a) dhe ndryshimi këndit në bazën e lastarit (b)
Përkulja e degëve/lasterëve të hollë mund të ndodhë edhe natyralisht si p.sh tek pjeshka ose kajsia. Këto specie kanë si veçori të japin prodhime të shumta mbi degëza të holla dhe të përziera (mbi 25-40 cm) të vitit vegjetativ korrent, të cilat si rezultat i peshës së prodhimit marrin një përkulje të fortë në drejtim të tokës, pozicion që ruhet edhe pas vjeljes së prodhimit.
Në rastet kur trashësia e degëve bazë është e madhe mund të aplikohen prerje shumë të holla dhe të thella në pjesën dorsale të krahut që parashikohet të ndërhyjmë.
Më tej dega e pregatitur për këtë oreracion mbahet nën efektin e kundrapeshave prej betoni ose fiksohet në tokë me rrahje të fortë deri sa të jetë krijuar këndi i duhur dhe plaga të jetë mbyllur. Rikujtojmë se në sasi të madhe druri të grumbulluar mundësia e realizimit të operacionit është e pagarantuar.
Figurë 5. (a,b,c). Hapja e krahëve prodhues tek pjeshka (a), dhënia e kurbaturës me anë të kundrapeshave tek dardha (b) dhe prerja rrethore me anë të shtrëngimit me tel/plastikë të fortë (c).
Si operacion realizohet në fillim të vjeshtës ose në fillim të pranverës, moment kur lastarët janë elastikë dhe mundësia e realizimit të operacionit është plotësisht e mundur.
Përkulja bëhet përmes vendosjes së kundrapeshave prej çimentoje ose lidhjeve me material plastik në rastet e pemëtoreve intensive në sistem mbështetës. Koha fizike e këtij operacioni përfundon brenda një viti vegjetativ. Më pas operohet me ndërhyrje të tjera krasitjeje të gjelbër ose të thatë.
Prerjet rrethore
Prerjet anulare konsiderohen operacion krasitjeje dhe realizohen në dy mënyra; duke prerë lëkurën e degëzës ose të degës që mendojmë të eleminojmë në trajtën e një shiriti të plotë që e rrethqarkon atë menjëherë me fillimin e lëngëzimit; përmes lidhjeve dhe shtrëngimit me tel ose material të fortë të lëvores deri në nivelin e ksilemës në fillimin e periudhës vegjetative.
Duke bërë një ndërhyrje të tillë ulet fluksi i furnizimit me limfë në sythat më poshtë operacionit dhe ushqehet më mirë me asimilate të gatshme pjesa sipër prerjes. Këto ndërhyrje bëhen në pemë në periudhën e rritjes për favorizimin e degëve të parakohshme dhe riveshjen e bimës, ndërsa me përfundimin e ciklit vegjetativ pjesa mbi prerje eleminohet.
Për rastet kur bima është në prodhim dhe duhet të përmirësojmë kurorën e saj ose të bëjmë riveshjen e një dege kryesore me degë dhe degëza të niveleve të tjera, përmes unazimit mundësohet jo vetëm detyrim i përcaktuar i saj, por dega që eleminojmë jep prodhime mjaft të mira dhe cilësore në vegjetacionin e vitit korrent.
Heqja pjesore e lëvores në trajtë gjysmë rrethi
Edhe ky operacion realizohet në pemët në prodhim dhe orientohet taksativisht mbi krahë shumë të fuqishëm të bimës. Ndërhyrja konsiston në heqjen e një cope të lëvores së bashku me drurin në formë ½ harku, pingul me aksin gjatësor të degës.
Operacioni pengon lëvizjen lirshëm të lëndëve të përpunuara nga lart poshtë e anasjelltas dhe këshillohet të bëhet mbi një syth drunor jo më vonë se fillimi i fryrjes së tyre (me kalimin e dimrit). Ndërhyrja frenon zbritjen e fitorregullatorëve të prodhimit të meristemave të majës duke penguar kështu veprimin e dominancës apikale dhe duhe lehtësuar ushqimin e sythave që vendosen poshtë tyre.
Si ndërhyrje mund të bëhet edhe mbi një filiz për ta rifuqizuar atë ose nën të, për të kufizuar rritjen e tij. Tek ulliri ky proces bëhet përmes pincave anulatrice me ndihmën e të cilave bëjmë heqje pjesore të lëvores në degën që dëshirojmë të kryejmë operacionin.
Prerje e drurit në trajtë V
Ky operacion kryhet poshtë dhe sipër sythit dhe mund të realizohet mbi degë të niveleve të ndryshme. Nëse ndërhyrja bëhet poshtë sythit ajo favorizon daljen e sythave frutorë, ndërsa në rast se ky operacion bëhet sipër sythit atëherë stimulohet dalja e sythave vegjetativë.
Prerja duhet të jetë aq e thellë saqë të prekë shtresën e parë të ksilemës. Ajo kryhet në rastet kur duam të përkulim një degë e cila ka fituar fortësinë dhe ku operacioni nuk mund të realizohet me mënyrat e përshkruara më sipër.
Për këtë qëllim para se të bëhet ndërhyrja përcaktohet vendi ku dëshirojmë të realizojmë përkuljen. Me ndihmën e një sëpate ose një lame të mprehtë bëjmë disa prerje të njëpasnjëshme mbi nje segmënt të caktuar, afërsisht deri ne ½ e diametrit të degës që përkulim.
Si operacion kryhet kur ka filluar çelja e sythave sepse ksilema ka fituar plasticitetin e duhur dhe nuk thyhet. Prerja kufizon furnizimin me ushqim të segmentit të përzgjedhur për përkulje duke krijuar dispropocion në ushqim dhe zhvillim të asaj pjese por në segmentin e përzgjedhur nga vetë frutikulturisti. Kundrapeshat realizojnë përkuljen e degës në vendin e preferuar. Përgjithësisht ndërhyrje të tilla nuk shoqërohen me izolim sepse vetë prerjet nuk janë shumë të thella.
Përdredhja e degëve/lastarëve
Realizohet përmes rrotullimit të lastarit ose degës përreth aksit të vet duke ndryshuar pozicionin normal të enëve të qarkullimit të limfës. Kjo ndërhyrje bëhet në pranverë, periudhë kur ka filluar lëvizja e shpejtë e lëngjeve në bimë. Operacioni në fakt dobëson zhvillimin vegjetativ të tij sepse ndërhyrje të tilla kufizojnë furnizimin normal me ushqim të degës/lastarit dhe nxitet shpërthim i sythave dhe i degëzave frutore.
Prerja gjatësore e lëvores
Kjo lloj prerjeje bëhet me brisk shartimi dhe realizohet përmes çarjes gjatësore të lëvores së trungut ose degëve kryesore të bimës, kryesisht në rastet e infeksioneve nga gomoza, gjë që mundëson largimin jashtë bimës të mbetjeve në trajtë rrëshire.
E njëjta ndërhyrje mund të aplikohet edhe në rastet kur lëvorja e degëve ka humbur freskinë dhe elasticitetin, gjithmonë në fillim të vegjetacionit vjetor. Në këtë rast lëvorja kryen veprim shtrëngues mbi trungun ose degën duke penguar zgjerimin e saj në gjerësi. Çarja e lëvores në disa drejtime ngadalëson zhvillimin diametral të trungut/degës mbi të cilën ndërhyjmë duke mundësuar rregullim të rritjes mes krahëve të kurorës apo në mes bimëve me zhvillim të diferencuar në bllokun frutor.
Çkoqja/rrëzimi i sythave
Është një ndërhyrje që bëhet mbi një degëz ose lastar duke hequr komplet ose pjesërisht sythat por gjithmonë përpara çeljes së tyre. Konsiderohet si operacion ndihmës dhe kryhet në rastet e përkuljeve për qëllime rregullimi të raporteve të masës vegjetative në bimë. Në fakt operacioni parashikon shkërrmoqjen e disa sythave mbi pjesën dorsale të lastarit, ku si rezultat i ushqimit më të mirë të tyre kanë tendencë të transformohen në thithakë.
Në vegjetacionin e mëtejshëm bëjmë pincimin e lastarëve të mbetur të detyruar të degëzojnë dhe stimulojnë sytha dhe degëza frutore.
Pastrimi i lëvores
Është operacion që kryhet në pemët me moshë të madhe që mbahen në bahçet familjare për arsye të vlerave të veçanta që shfaqin. Në këto bimë, mosha e tejkaluar, agjentët atmosferikë, mbeturinat inerte etj, krijojnë copa të shkëputura në lëvore deri në nivelin e rritjeve të reja, të cilat kanë humbur aktivitetin jetësor.
Si fenomen ndikohet nga lagështia e lartë ajrore, me pak diellëzim, me kurora të larta dhe degë skeletore të trasha (gështënjë, arrë, ullinj, hardhi të vjetra etj). Realizimi i operacionit të pastrimit bën të mundur shmangien e rezervës dimërore dhe infeksionet nga dëmtues e sëmundje që kalojnë disa cikle jetësore nën këto pjesë të mbrojtura.
Për pemëtoret e sotme moderne, me jetëgjatësi të kufizuar, me trung dhe degë skeletore jo shumë voluminoze ky lloj operacioni nuk mund të mendohet.
Efektet e krasitjes dimërore/periudhës së qetësisë
Koha më e përshtatshme për bërjen e krasitjes dimërore varet nga zona ekologjike, temperaturat minimale e maksimale, diellëzimi, ekspozicioni, specia frutore etj. Pavarësisht kësaj, shpeshherë bëhemi dëshmitarë që në vite të caktuara, gjatë periudhës së dimrit në bimë të veçanta apo parcela frutore ndodhin dëmtime në pjesë të ndryshme, në varësi të moshës së bimës, fenofazës në të cilën ajo ndodhet, zgjatjes në kohë të temperaturave të ulëta etj.
Këshillohet që krasitjet dimërore të bëhen pasi pemët të jenë futur realisht ne qetësinë e thellë dimërore. Por cilat janë efektet që sjell mbi bimën krasitja dimërore?
Kufizimi i rritjes së kurorës
Është tërësisht e provuar se krasitja kufizon rritjen e pemës mbi të gjitha atyre të reja dhe që nuk kanë hyrë në prodhim. Ndërsa në raste të tjera dhe kushte të njehsuara agroteknologje, gjatësia e lastarëve që dalin mbi një pemë të krasitur është më e madhe se e atyre mbi një pemë të pakrasitur. Kjo do të thotë se përmes krasitjeve jo korrekte, në rastin e bimëve të reja rritet aktiviteti vegjetativ dhe vonohet ai produktiv. Ky opsion ka rëndësi jo vetëm në rastet e pemëtoreve të reja, të shëndetshme por edhe në rastet kur toka është e pasur e nën ujë apo në pemëtoret ku aplikohet agrofond i lartë.
Në këto raste duhet të jemi shumë të kursyer me prerje të rënda duke aplikuar pincime, rrallime dhe ndryshim të këndit të degëve dhe pozicionit të degëzave. Në varësi të drurit të hequr, shkurtimi i degëve apo lastarëve provokon shpërthimin e një sasie të madhe filizash, gjë e cila kërkon ndërhyrje rrallimi dhe modelime të tjera në vegjetacion, sidomos kur ato ndodhen në brendësi të kurorës.
Kujdes duhet bërë veçanërisht në rastet e karsitjes apo prerjeve mbi filizat e rinj sepse prerjet e ndryshme mbi degë dhe lastarë sjellin influenca të ndryshme në gjendjen e mëtejshme vegjetative dhe prodhuese. Kështu psh, rritja e filizave të rinj është më e madhe deri në një pikë, ndërsa me shtimin e masës së krasitjes pakëson rezervat ushqimore dhe filizat e rinj mund të rezultojnë shumë të dobët.
Për rastet kur kemi dëmtime nga ngricat e forta të dimërit ose ato të vona pranverore këshillohet që, ndërhyrjet të bëhen mbasi është verifikuar masa e tharjes.
Sipas pjesës së dëmtuar krasitja prek të gjithë bimën, degët skeletore në total, lastarët, degëzat dhe në raste ekstreme arrin deri në degë të trasha apo në trung. Pas ndërhyrjeve të tilla bëjmë izolimin e masës së krasitjes me mastiç, ndërsa në vegjetacion përkujdesemi të përzgjedhim lastarët më të mirë për formimin e skeletit të bimës, plotësimin e kurorës apo rregullimin e raporteve të masës vegjetative/ prodhuese, e gjitha në varësi të dëmtimit dhe masës së krasitjes së realizuar.
Stimulimi i aktivitetit fotosintetik
Sipas shumë autorëve argumentohet se krasitja dimërore ndikon direkt në stimulimin e aktivitetit fotosintetik të gjetheve. Eksperimentet e ndryshme provojnë se pas krasitjes përmasat e gjethes janë më të mëdha, për pasojë rritet sipërfaqja gjethore. Kjo çon më tej në rritjen e sasisë së klorofilës, rritjen e përmasave të stomave, në rritjen e kohës së qëndrimit të tyre hapur dhe më pas në një aktivitet të zgjatur përpunues ushqimor, e favorshme kjo për vetë bimën.
Por krasitja dimërore ndikon edhe indirekt mbi fotosintezën sepse mundëson depërtimin e rrezeve të diellit në brendësi të kurorës dhe duke nxitur aktivitet maksimal edhe të gjetheve që janë në pozicione përgjithësisht të disfavorshme ndaj dritës.
Përmirësimi i cilësisë së frutit
Krasitja dimërore ka efekte pozitive edhe mbi cilësinë e frutit. Praktikisht është provuar se në frutat e bimëve të krasitura shtohet në mënyrë të konsiderueshme përmbajtja e elementëve bazë në frut, makro/mikroelementë (K2,N2,P2O5, etj), ndërsa çon drejt zvogëlimit të Ca e Mg.
Rritja e qëndrueshmërisë ndaj të ftohtit
Eshtë provuar se krasitja dimërore rrit qëndrueshmërinë e bimëve ndaj të ftohtit në rast se kryhet pak para ose në të njëjtën kohë kur kanë filluar temperaturat e ulëta. Ndërhyrja me krasitje në këtë moment mundëson largimin e lastarëve apo pjesë të tyre të papjekura dhe mundëson ekspozimin me temperaturat e ulëta të pjesëve të pjekura dhe drunjëzuara. E gjitha kjo ndihmon në mostharje të majave rritëse duke shmangur pasojat negative prej këtij fenomeni.
Planifikimi dhe realizimi i ngarkesës së prodhimit
Me ndihmën e krasitjes dimërore mundësohet planifikimi dhe lënia e një ngarkese optimale me sytha frutore e bimës që do të pasojë me një prodhim normal dhe sipas kërkesave të tregut dhe shijes së konsumatorit. Nga ana tjetër bëhet i mundur rinovimi i degëve e degëzave frutore të vjetëruara apo në pozicione të papërshtatshme për aktivitetin vegjetativo-prodhues të vitit të ardhshëm.
Prof. Dr. Bardhosh Ferraj
Departamenti i Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit, Fakulteti Ekonomisё dhe Agrobiznesit, UBT.