Përveç operacioneve të krasitjes në të thatë mbi bimën në fazën e rinisë por dhe të frutifikimit/prodhimtarisë, për çdo vit vegjetativ bëhen një seri operacionesh në të gjelbër të cilët marrin rrëndësi vendimtare në fenofaza specifike.
Eleminimi i kamëzave
Është operacion tipik i krasitjes në të gjelbër që mundëson eleminimin e lastarëve në pjesët e qafës, rrënjës e trungut të bimës dhe që thirren me emërtimin e lastarit mbi të cilin ndërhyjmë.
Kamëza ose këlysh rrënjorë quhen lastarët që dalin nga rrënjët ose baza e trungut. Rezultojnë nga sytha adventivë të cilët aktivizohen si rezultat i dëmtimeve të rrënjëve kryesore, mbulimit gjatë punimeve të gungëzave rrënjore me dhe’, ripërtëritjeve të forta, etj.
Janë karakteristikë për disa specie bimore fiku, ftoi, shega, lajthia, mani, etj, nënshartesa farore të qershisë, vishnjës, kumbullës, ullirit apo disa nënshartesa vegjetative të mollës, dardhës, etj. Mund të jenë edhe lastunja rrënjore si në rastin e luleshtrydhes, rritje majore të manaferrës, mjedrës, etj.
Në rastin e pemëtoreve të zakonshme të prodhimit, normalisht kamëzat pastrohen përpara linjifikimit, me përjashtim të rasteve kur pemëtorja është shumë e vjetër dhe kanë filluar dëmtimet si rezultat i proceseve fiziologjike bimore dhe fermeri është i interesuar të ripërtërijë pemëtoren ekzistuese. Kjo mënyrë pune shfrytëzohet në ullishta, gështenjë, arrë, etj, blloqe të vjetër frutorë për të cilët edhe ekonomikisht jemi të interesuar t’i ripërtërijmë.
Në rastin e blloqeve të reja frutore, për speciet që cituam më sipër apo edhe të tjerë drufrutorë, është domosdoshmëri eleminimi i kamëzave me anë të prerjes ose trajtimeve kimike sidomos në vitet e para të jetës në pemëtore.
Kamëzat mund të trajtohen agronomikisht në rast se pemëtorja është e planifikuar për prodhim fidanësh me copa të rrënjëzuara ose jemi të interesuar që nga pemëtorja e prodhimit të sigurojmë aq fidanë sa të mund të zëvendësojmë mungësat në parcelë, të shtojmë kultivarë të veçantë të dëmtuar për shkaqe të ndryshme ose që shfaqin interes ekonomik.
Eleminimi i thithakëve
Thithakët janë rritje vegjetative që rezultojnë nga sytha fjetës ose adventivë të cilët aktivizohen nga prerjet e rënda ose përkuljet e forta dimërore. Zotërojnë veçorinë të ecin vertikalisht lart ose në rastet kur kemi prezent udhëheqësin e bimës, paralelisht me të.
Eleminohen në krasitjet e gjelbëra ose modifikohen përmes krasitjeve në ato raste kur bima prezanton defekte të kurorës ose degëve skeletore. Në thelb rezultojnë si produkt i prishjes së ekuilibrave fiziologjikë të bimës.
Kur janë prezent në bimë sjellin çrregullime të fuqishme sepse janë konsumatorë të lëndëve ushqimore të përpunuara duke konkuruar në mënyrë përmanente degët prodhuese. Si rezultat i efekteve të tyre, bima jep prodhime të dobëta sasiore e cilësore frutash. Pikërisht ky fakt bën mëse të domosdoshëm eleminimin dhe largimin e tyre në krasitjet e gjelbëra (përjashto rastet kur modifikohen dhe përdoren për arsye të domosdoshme)
Eleminimi i konkurrentëve të majave rritëse
Lastarët konkurrentë të majave rritëse të boshtit kryesor dhe degëve skeletore të nivelit të parë dhe të dytë, shpeshherë bëhen problematikë duke përftuar ushqim prej pozicionit të privilegjuar ku ndodhen. Për të shmangur këtë fenomen, bëhet i detyrueshëm eleminimi i tyre përmes prerjes nga baza e tyre e nisjes. Heqja e lastarëve konkurentë bëhet në vegjetacion ose në krasitjet dimërore.
Prerja e majave të lastarëve vegjetativë
Është ndërhyrje që bëhet në vegjetacion dhe që praktikisht parashikon eleminimin e pjesës së majës së lastarit për të eleminuar dominancën apikale dhe nxitur veshjen e lastarit me degëza. Nëse si operacion bëhet në fazën e prodhimit, ndërhyrja realizon modifikimin e konkurrencës në mes masës vegjetative dhe prodhimit, gjithmonë në interes të këtij të fundit.
Rikujtojmë se formacionet e sforcuara vegjetative janë me shumicë edhe kur bima është në prodhim të plotë. Kjo ndodh kryesisht pas dëmtimeve të degëve të trasha skeletore, thyerjeve nga pesha e frutave, krasitjet e rënda, dëmtimet përmes punimeve në qafën e rrënjës, etj.
Këto lloj rritjesh dallohen lehtësisht sepsejanë më të gjata dhe më të trasha se degëzat e holla, kanë gjethe më të mëdha, ndërnyje të largëta, lastarë të lëmuar e në përmbajtjen e tyre kanë vetëm sytha vegjetativë.
Në vitet e para mund të marrin zhvillim të fuqishëm si rezultat i rezervave të akumuluara që zotëron vetë bima. Kjo mundësi shfrytëzohet nga krasitësit për ripërtëritje kurore, formim kurore, rimodelim kurore, plotësim kurore etj.
Më të padëshirueshëm dhe që eleminohen me anën e krasitjeve të gjelbëra ose dimërore janë thithakët, kamëzat dhe lastarët e egër që dalin në pjesën e nënshartesës .
Rrallimi i frutave
Rrallimi i frutave konsiderohet operacion i gjelbër në bimë. Praktikohet në shumë drufrutorë për arsyet e mëposhtme:
– Për të marrë fruta me përmasa të plota
– Proporcionon sasinë e frutave me mundësitë ushqimore të bimës
– Ndihmon në shmangien e alternancës prodhuese
– Favorizon diferencimin e sythave frutorë
Është proces që kryhet në pemët frutore që kanë hyrë plotësisht në prodhim. Optimalisht mund të bëhet në kultivarë të ndryshëm molle, dardhe, pjeshke, nektarinë, kajsie, kumbulle etj, me mundësi të larta frutëzimi. Përmes rrallimit të frutave, në fakt ulet numri dhe ngarkesa e tyre për bimë, ushqehen më mirë dhe fitojnë cilësi e ngjyrim ato që mbeten dhe krijohen ekuilibra të rinj fiziologjik në mes frutave & lastarëve në vegjetacion dhe sythave prodhues për vitin tjetër duke shmangur prodhimet ciklike dhe alternancat.
Figurë 5. Konkurrenca ushqimore dhe hormonale e frutave në rritje. (nga Hugard)
Realizimi me sukses i operacionit të rrallimit të frutave kërkon që të bëhet një vlerësim paraprak i gjendjes së pemëtores, potencialit të saj prodhues dhe intensitetit të ndërhyrjes në përqindje. Këto tregues optimizojnë sasinë e frutave që do të lihen për një metër linear dhe largësinë e domosdoshme në mes tyre.
Kështu p.sh, për bërthamorët, në degëzat e përziera duhet të lëmë një frut/ çdo 10 – 12 cm ose 3 – 4 fruta/ml. Praktikat shumëvjecare tregojnë se rrallimi në vitet më të mira prodhuese duhet të shkojë deri në 15 – 25% të sasisë së frutave të mbajtur.
Gjithsesi kjo është një e dhënë mesatare sepse kjo varet prej gjendjes së bimësisë, agroteknologjisë, formës së kultivimit, moshës së pemës, nënshartesës së përdorur, etj.
Intensitetit të frutave i përgjigjet një numër i caktuar gjethesh të cilat në nivele optimale plotësojnë detyrimin e sintezës maksimale ushqimore në interes të sasisë s frutave, ngjyrës dhe cilësisë së tyre. Rrallimi i frutave mund të bëhet në disa mënyra por gjithmonë respektohen fenofazat më reflektuese ndaj kësaj ndërhyrje. Rrallimi i frutave mund të jetë manual dhe me preparate kimike
Rrallimi i frutave me dorë
Është forma më e lehtë dhe më cilësore e kryerjes së operacionit të rrallimit por kërkon shumë fuqi punëtore dhe shpenzime për njësi sipërfaqeje. Shpesh kjo mënyrë rrallimi shoqëron rrallimin me mjete mekanike ose bëhet si plotësuese e rrallimit me preparate kimike. Kur rrallimi bëhet me dorë ka kosto të lartë duke harxhuar mbi 80 – 180 orë pune/ha. Momenti i rrallimit është specifik dhe ndërhyrja varet tërësisht nga fenofaza e rritjes së frutit.
Rrallimi me dorë ka specifikat e veta dhe kjo gjë varet nga specia, kultivari, natyra e lulëzimit, lloji i lulërisë, etj. Psh, në bimën e mollës rrallimi i frutave me dorë fillon kur fruti i lidhur nga lulëria kryesore apo nga lulja ‘qëndrore’ e lulërisë ka marrë madhësinë e një fruti arre. Dhe meqënëse molla në vartësi të shumë faktorëve mund të lidhë disa fruta në një lulëri atëherë në rrallimin e parë lihet fruti më i zhvilluar që rezulton prej lules qëndrore dhe një frut tjetër më i zhvilluar ndërsa të tjerët rrëzohen.
Kështu veprohet edhe me dardhën por në këtë rast ruhet një ose 2 fruta anësorë të lulërisë që janë më të zhvilluar sepse ndryshe nga molla, dardha e fillon lulëzimin dhe lidhjen e frutave nga lulet anësore në drejtim të qëndrës për pasojë edhe zhvillimi i frutave është po i tillë.
Rrallimi i frutave me dorë këshillohet edhe në drufrutorë të tjerë kryesisht mbi kultivarë frutmëdhenj dhe me peshë mbi 100-120 gr. Kjo gjë ndikon jashtëzakonisht shumë në sasinë dhe cilësinë e frutit, për pasojë edhe në çmimin e shitjes dhe të ardhurat në fermë.
Rrallimi me mjete mekanike
Realizohet duke përdorur shkundës mekanikë të fuqishëm të cilët punojnë me intensitet dhe kufinj të caktuar lëkundjesh. Instalohen mbi trung ose degët e para skeletore dhe vihen në punë me mjete mekanike përmes boshtit të marrjes së fuqisë i cili është i regjistrueshëm për numrin e xhirove që duhet të marrë.
Si metodë shfaq defekte sepse shkundësit mekanikë paraqiten me intensitet të përcaktuar lëkundjesh dhe nuk mund të jenë të përshtatshëm për çdo kultivar/specie të veçantë. Por edhe vetë speciet/kultivarët paraqiten me qëndrueshmëri të ndryshme apo rezistencë të lidhjes së frutit në shkundje e cila sillet si veçori trashëgimie.
Për të shmangur këto defekte, në pemëtoret e fuqishme praktikohen trajtime me fitorregullatorë ekzogjenë në përqëndrime të vogla dhe më pas përdoren platformat lëkundëse. Trajtimi me fitorregullator mundësonte dobësimin e lidhjes së bishtit të frutit me degëzën përkatëse gjë që më pas lehtëson rrëzimin e tij nëpërmjet shkundjes me mjete mekanike.
Rrallimi i frutave përmes fitohormoneve
Kjo mënyrë rrallimi e frutave është specifike për çdo specie frutore dhe shfaq avantazhe apo problematika po specifike. Bëhet përmes trajtimeve kimike me fitohormone specifike gjë që mundëson rrëzimin e frutave në momente të veçanta të zhvillimit të tyre.
Ndër fitohormonet më të përdorshëm tek bërthamorët përmendim kripërat e acidit cloretil phosphatin sikurse është Etherphon, Cepa, Etherel, etj. Trajtimet përgjithësisht rekomandohet të bëhen menjëherë pas fazës së rrëzimit natyral të frutave që përkon me fazën e forcimit të guackës së farës.
Ndërhyrja me fitohormone për çdo rast duhet të bëhet herët në mëngjes ose në orët e vona të mbrëmjes si edhe duke respektuar kërkesën që temperaturat të jenë mbi 17º C dhe dita të jetë pa erë të fortë dhe rreshje shiu.
Tek drufrutorët farorë/kryesisht tek molla, fitohormonet kanë si qëllim të ndikojnë në qëndrueshmërinë e rrëzimit të frutit në qendër të lulërisë ku mundësia e përftimit të ushqimit dhe rritjes së frutit janë më të mëdha krahasimisht me lulet dhe frutat anësore. Në këtë rast, trajtimet bëhen me fitohormone specifikë në dy duar; kur frutat kanë arritur diameter 6 – 7 mm dhe dora e dytë deri në momentin kur frutat kanë marrë diametër 10 – 12 mm.
Në këtë moment fitohormoni ndikon mbi vitalitetin e embrionit të farës duke shkaktuar abortin e tij përmes frenimit të sintezës së auksinës. Por meqënëse në këtë fazë endosperma e frutave sapo është konsoliduar dhe është shumë e ndjeshme, preparate të tilla duhet të përdoren në doza të vogla dhe me shumë kujdes.
Nga provat eksperimentale është provuar se rrallimi me preparate kimike nuk këshillohet të bëhet në të gjithë kultivarët e mollës. Më mirë reagojnë ndaj preparateve kimike kultivarët Golden D., Starck D, por edhe të tjerë kultivarë frutvegjël dhe që lidhin shumë fruta pas pjalmim/pllenimit. Trajtimet kimike mund të bëhen një ose dyherësh në faza të ndryshme të frutit në rritje, ndërsa dozat e përdorimit të preparateve të këshilluara janë të ndryshme.
Heqja e gjetheve
Edhe eleminimi i gjetheve në vegjetacion konsiderohet operacion i gjelbër dhe bëhet taksativisht për të përmirësuar ngjyrimin e frutit. Aplikohet më shpesh në hardhi, por edhe drufrutor gjethemëdhenj. Si operacion bëhet në verë, disa javë përpara vjeljes së prodhimit duke u orjentuar kryesisht mbi gjethet e vjetra dhe rritjet e reja vegjetative. Si operacion është përdorur në të kaluarën për të stimuluar nxirjen e frutave.
Heqja e gjetheve apo edhe e pjesëve të veçanta të bimës si degëza ose lastar bëhet edhe në rastet e temperaturave ekstreme me qëllim zvogëlimin e sipërfaqes avulluese të bimes dhe për ta shpëtuar atë nga tharja.
Këputja e majave
Konsiston në heqjen deri 5-10 cm të pjesës së majës së lastarëve të rinj. Ka efekte të ndryshme në vartësi të kohës që kryhet. Kështu p.sh, në rast se bëhet në pranverën e hershme, kufizohet rritja e lastarit dhe nxitet dalja dhe rritja e lastarëve të parakohshëm të cilët përdoren për qëllime të ndryshme.
Si fenomen rezulton nga eleminimi i dominancës apikale dhe në varësi të kohës që kryhet, mund të çojë deri në prodhimin e lastarëve frutorë dhe prodhimeve të dyta sikurse ndodh tek hardhia. Konsiderohet operacion i rëndësishëm dhe shumë i domosdoshem kryesisht për bimët që ndodhen në fazën e formimit të kurorës.
Lidhjet e gjelbëra të lastarëve
Janë operacione të gjelbëra dhe kanë si qëllim orientimin e drejtë të lastarëve që kemi përzgjedhur kryesisht në rastet e modelimit të kurorave të detyruara, format intensive të kultivimit, etj. Si ndërhyrje sigurojnë rritjen e tyre normale, shfrytëzimin sa më mirë të hapësirës në pemë, shpërndarjen e drejtë të tyre në sistemin mbështetës, etj.
Efektet e krasitjes së gjelbër (verore)
Edhe efektet e krasitjes së gjelbër mbi bimën janë të larmishme dhe varen kryesisht nga koha e ndërhyrjes, kultivari, agroteknika e përdorur, mosha e pemës etj. Si ndërhyrje ngjall mjaft interes për efektet që sjell mbi bimën e krasitur sa i takon formimit të degëve skeletore, përmasave të kurorës, nxitjes së formimit të sythave lulore etj.
Referuar edhe emërtimit, krasitja e gjelbër realizohet vetëm në vegjetacionin e bimës dhe përmbledh të gjitha organet e saj. Mund të bëhet njëherësh ose disa duarsh dhe kjo varet nga organi që preket ose synohet të përmirësojë aktivitetin e tij. Ndër efektet kryesore pozitive që sjellin operacionet e gjelbëra përmendim:
Nxitja e daljes së lastarëve të parakohshëm
Efektet e nxitjes dhe daljes së lastarëve të parakohshëm provohen veçanërisht në bimët e reja, ku ndërhyrja me anën e krasitjeve të gjelbëra nxit rritjen e lastarëve të rinj të parakohshëm si rezultat i përdorimit të ushqimit që përpunojnë gjethet. Në fakt, dalja e degëve të parakohëshme është një fenomen biologjik i cili nuk përfshin të gjitha speciet drurfrutore. Më shpesh si fenomen evidentohet tek pjeshka, nektarina apo kumbulla, gjë që mundëson përzgjedhje të mirë të lastarëve të parakohshëm për modelimin e kurorës qysh në fidanishte.
Kufizimi i rritjes së kurorës
Krasitja e gjelbër e kujdesshme siguron efekte kufizuese në zhvillimin e lastarëve dhe të vetë kurorës dhe njëherësh përshpejton hyrjen e saj në prodhim. E gjitha kjo situatë mundëson ekuilibra dhe nxit daljen e sythave frutorë, (p.sh, hardhia, pjeshka, etj).
Njëherësh konsiderohet një masë e domosdoshme në ato specie dhe kultivarë të shartuar mbi nënshartesa vegjetative sepse mban një kurorë të vogël (të mbledhur) që i përshtatet një sistemi rrënjor xhufkor. (psh mollët e shtuara mbi nënshartesë naniste)
Përmirësimi i aktivitetit fotosintetik
Edhe krasitja e gjelbër sikurse ajo dimërore, përmirëson aktivitetin fotosintetik n.q.s nuk teprohet me pjesët e hequra. Përmes këtyre ndërhyrjeve mundësohet rifreskimi dhe mosplakja e totalit të gjetheve në dispozicion të krejt masës bimore. Krasitja e gjelbër kryhet në dy momente të rëndësishme:
– E para, në fazën e rritjes së frutit sepse gjethet e reja kanë mundësi të bëhen aktive dhe të plotësojnë nevojat e bimës në fazën e pjekjes.
– E dyta, bëhet 2 – 3 javë përpara vjeljes, jo shumë e fortë, në mënyrë që të ndihmojë në përshpejtimin e pjekjes. Në këtë fazë, pincimi nuk shoqërohet me formim gjethesh të reja apo sqetullorë por ushqimi nxitet të shkojë në drejtim të frutit dhe kjo është mjaft pozitive për përfitimin e një produkti sasior e cilësor të dëshiruar për konsumatorin dhe eksportin.
Mundësimi i diellëzimit dhe ajrimit të pjesëve të kurorës
Këto efekte sillen si pasojë e ndërhyrjeve të tila sikurse rrallimi lastarëve që kryqëzohen brenda kurorës, heqjen e lastarëve të infektuar, prerjen e majave të lastarëve udhëheqës apo edhe të tjerë të vendosur mbi degët skeletore të dyta apo kryesore, eleminimin e konkurrentëve të udhëheqësit të degëve kryesore, etj.
Ndërhyrjet ndikojnë direkt mbi diellëzimin, ajrimin, përmirësimin e shpërndarjes së dritës brenda dhe jashtë kurorës, me ndikim pozitiv në ushqimin cilësor të frutave dhe masës vegjetative, diferencimin e sythave për vitin tjetër, lehtësimin e kryerjes së shërbimeve të rrallimit, krasitjes, spërkatjeve, etj.
Prof. Dr. Bardhosh Ferraj
Departamenti i Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit, Fakulteti Ekonomisё dhe Agrobiznesit, UBT.