Ndotja nga plastika përfshin grumbullim të produkteve plastike në botën që na rrethon. Materialet plastike konsumohen sepse ato kanë përdorim të gjithanshëm, janë të forta, janë rezistente, shpesh janë të lehta, dhe nuk janë shumë të shtrenjta. Këto cilësi e bëjnë plastikën shumë tërheqëse për t’u përdorur nga njerëzimi.
Plazhet si dhe tabani i detit ndoten nga materialet plastike që e kanë burimin prej zonave të banuara. Përveç këtyre efekteve të dëshiruara, materialet plastike kanë edhe anët e tyre negative.
Kështu, materialet plastike karakterizohen nga një dekompozim i ngadaltë i cili shkon nga 100-500 vjet apo edhe deri në 1000 vjet. Për shembull, një qese plastike kërkon një kohë rreth 20 vjet që të dekompozohet ndërsa një rrjetë detare kërkon një periudhë kohore prej 600 vjetësh. Makroplastikat janë materiale që kanë përmasa mbi 2,5 cm. Ne i shohim ato me sy të lirë, shpesh të hedhura në hapësira të ndryshme, të tilla si bidona uji, tapa shishesh, shishe detergjentësh, kuti ushqimesh, shapka plazhi, pajisje kozmetike plastike, qese plastike, tuba etj. Efekti tjetër negativ është ngecja e gjallesave të detit në to, si psh në rrjeta, litarë apo në grepat që janë të hedhura në dete apo oqeane.
Shpesh fokat, luanët e detit, breshkat apo gjallesa të tjera detare si dhe zogj detarë kanë ngecur në objekte plastike dhe janë vrarë nga ky shkak. Ndërkaq mikroplastikat që janë plastika të ndara në dimensione më të vogla, 1-5 mm, shpesh gëlltiten bashkë me ushqimin nga balenat, peshqit dhe organizmat e tjerë të detit. Për shkak se plastikat nuk dekompozohen për shumë vite, ato mund të prekin dhe të përfshihen në organet dhe indet e shumë gjallesave.
Ndotja nga plastika është një lloj ndotjeje e ngadaltë dhe përbën një rrezik të heshtur me pasoja që po shihen gjithnjë e më shumë të pranishme në ndotjen e mjedisit që na rrethon, si në pjesën detare, atë tokësore dhe ajrore. Plastika përfshin një shumëllojshmëri materialesh të ndryshëm nga njëri-tjetri, duke filluar nga më të dobishmit deri tek më të rrezikshmit. Disa janë të përdorshëm për vetëm një herë dhe për një kohë të shkurtër dhe disa të tjerë mund të përdoren për një kohë të gjatë, disa riciklohen lehtësisht dhe disa të tjerë kanë nevojë për trajtime të sofistikuara. Plastikat krijohen nga 2 tipe reaksionesh; me polimerizim dhe me polikondesim.
Polimerët përfshijnë polietilenin, polistirenin, polivinilkloridin, polipropilenin, etj. Polikondesantët përfaqësohen me poliester, polikaproamide (kapron), etj. Përmendim disa nga llojet e plastikave me tregues të rrezikshëm që duhet t’i shmangim si konsumatorë të përditshëm kur shumë nga ushqimet që ne konsumojmë janë të mbështjella me kuti plastike apo gjenden në shishe ose bidona plastike.
Të tilla janë objektet plastike që prodhohen nga PET ose PETE (Polietilen tereftalat), nga PVC (polivinilkloridi) dhe nga polistireni (PS). Shpesh paketimet plastike kanë shenja ose tregues (si psh trekëndësha) që duhen kuptuar dhe lexuar. Janë gjithësej 7 shenja trekëndëshash me nga një numër brenda nga 1 deri në 7 që tregojnë llojin e plastikës dhe rrezikshmërinë e tyre. PETE duhet përdorur vetëm një herë, plastika mund të lëshojë antimon, një metal që ndikon në sistemin hormonal.
HDPE- është një plastikë e mirë dhe pa dëme. Treguesi që shënjon poshtë V ose PVC, konsiderohet plastikë që përmban ftalat i cili është karcinogjen. LDPE- nuk është i rrezikshëm. Ndërkaq shenja që poshtë ka shkrimin PP, konsiderohet plastikë e mirë. Plastika tek e cila shkruhet PS lëshon Stiren, është kancerogjene dhe shenja të tjera, përmban PBA, një kimikat që është i rrezikshëm.
Shpesh mikroplastikat janë të kombinuara me metalet dhe mund të hyjnë edhe në organizmin e njerëzve nëpërmjet konsumit, por ato mund të hyjnë edhe nëpërmjet zinxhirit ushqimor ku njeriu është konsumator i gjallesave të detit e ku gjithmonë e më shumë në stomakun e tyre janë gjetur mikro e makroplastika.
Ndotja plastike tek njeriu ndikon në uljen e funksionit të hormonit të tiroides dhe hormonit seksual, shkakton dermatite dhe probleme të tjera. Ato ndikojnë edhe në uljen e funksionit të sistemit imunitar. Ato shpesh bëhen shkaktare të përhapjes së kancerit në organe të ndryshme dhe mund të dëmtojnë sistemin nervor.
Për këto arsye apeli shkon drejt qeverisë, organizmave shtetërore dhe atyre private, por edhe tek popullsia, që të ulet ose minimizohet përdorimi i objekteve plastike, sepse rruzulli po plastifikohet, grimca të mikroplastikave janë gjetur deri në Antarktidë e Pole dhe rreziku i heshtur i plastifikimit po troket përditë e më shumë në jetën e njerëzimit.
Dr. Enkelejda Buda
Departamenti i Akuakulturës dhe Peshkimit, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.