Ndikimet e zjarreve në tokë

Zjarri është një fenomen natyror dhe nga pikëpamja evolutive ka luajtur një rol kryesor dhe tepër të rëndësishëm në zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë njerëzore.

Zjarret mund të shkaktojnë disa ndryshime në terma afatshkurtër dhe afatgjatë në mjedis dhe në sistemin tokësor. Shkalla dhe madhësia e këtyre ndryshimeve në komponentët e ekosistemeve dhe agroekosistemeve (ujë, tokë, vegjetacion dhe faunë) varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga vetë karakteristikat e zjarrit (intesiteti-kohëzgjatja) dhe nga faktorët mjedisorë (vegjetacioni, toka, gjeomorfologjia etj).

Zjarret mund të shkaktojnë ndryshime fizike, kimike dhe biologjike në vetitë e tokës. Ndikimet e zjarreve në tokë jane dy llojesh:

  1. Direkte, si rezultat i djegies së lëndës organike (çlirimi i gazeve dhe ndotësve në atmosferë) dhe rritjes së temperaturës në tokë;
  2. Indirekte, si rezultat i ndryshimeve që pësojnë komponentët e ekosistemeve, si reduktimi i mbulesës vegjetative (ekspozimi i tokës ndaj erozionit), ndryshimet në florë dhe faunë dhe aktivitetin mikrobiologjik si edhe depozitimi i hirit, mbetjeve dhe mbetjeve/pjesëve pjesërisht të djegura në siperfaqe të tokës.

Një element tepër i rëndësishëm që përcakton shkallën e ketyre ndikimeve është intesiteti ose kohëzgjatja e zjarreve. Në rastin e zjarreve me intensitet të ulët, nuk arrihen temperaturat e larta dhe në këtë mënyrë nuk shkaktojnë ndikime të mëdha dhe në të shumtën e rasteve do të ndikojnë vetëm në milimetrat (mm) e para të thellësisë së tokës. Në rastin e zjarreve me intensitet të lartë dhe të përsëritur, temperaturat e larta do të djegin pjesën më të madhe të vegjetacionit dhe mund të rezultojë në ndryshimin e funksionimit të tokës. Në këto raste, periudha e kohës që nevojitet për tokën që të rikthehet në gjendjen fillestare, mund të jetë shumë e gjatë ose ndryshimet mund të jenë edhe të përhershme.

Ndikimet në komponentët biologjikë të tokës

Një nga ndikimet kryesore të zjarreve është reduktimi i mbulesës vegjetative, veçanërisht në sipërfaqet pyjore. Megjithatë, studimet kanë vërtetuar se në periudhën e pas-zjarrit (pas shirave të parë) në sipërfaqet e djegura zhvillohen simbioza ndërmjet bimëve, kërpudhave dhe baktereve edhe në masë më të lartë se para aplikimit të zjarrit, stimuluar kjo edhe nga ndryshime kimike si rritja e pH dhe çlirimi i elementëve minerale nga hiri i lëndëve organike. Por nuk duhet anashkaluar në këtë rast, ekspozimi i sipërfaqes dhe rritja e shkallës së erozionit të tokës.

Fauna e tokës gjithashtu ndikohet në mënyrë drastike nga zjarri në sipërfaqe dhe në thellësi si rezultat i reduktimit të burimeve ushqyese pas zjarrit dhe shkatërrimit të vendstrehimeve të tyre.

Përsa i përket mikroorganizmave, grupe të ndryshme kanë reagime të ndryshme ndaj këtij shqetësimi. Kërpudhat janë më rezistente se bakteret ndërsa bakteret rekuperohen më shpejt. Megjithatë nëse zjarri ka intensitet dhe kohëzgjatje, atëhere toka mund të rezultojë pjesërisht sterile.

Ndikimet në vetitë fizike të tokës

Hiri dhe elementët minerale

Përbërja kimike e hirit pas zjarrit zakonisht përfshin elmentë si Ca, Mg, K, Si dhe P. Në disa raste hiri mund të përfshijë gjithashtu edhe Al, Mn, Fe dhe Zn. Masa ekzakte e çdo elementi varet kryesisht në përbërjen e materialeve që digjen dhe temperaturës së arritur gjatë djegies. Në këtë mënyrë hiri bëhet një burim i rëndësishëm elementësh minerale në tokë por në një tokë pa mbulesë vegjetative, periudha e qëndrimit të hirit në tokë bëhet subjekt i largimit nga vektorë si era, reshjet dhe shpëlarja (runoff), veçanërisht në terrene me pjerrësi.

Largimi i ujit të tokës

Largimi i ujit është një veti e disa tokave të cilat reduktojnë afinitetin për ujin, duke reduktuar shkallën e infiltrimit të ujit gjatë periudhave kohore si disa orë, ditë ose disa javë. Duke reduktuar shkallën e infiltrimit, rritet shpëlarja (runoff) dhe volumi i rrjedhjes sipërfaqësore dhe si pasojë rezulton edhe në rritjen e erozionit.

Ndryshimet në teksturën, strukturën dhe porozitetin e tokës

Djegia e pjesshme ose e plotë e lëndës organike të tokës mund të shkaktojë ndryshime në agregimin e tokës. Si pasojë, ndryshimet në porozitet ose në kapacitetin ujëmbajtës mund të ndodhin. Zjarret me intensitet të lartë mund të shkaktojnë ‘’shkrirjen termike’’ të grimcave të imëta të tokës (argjilës) dhe rritjen e përqindjes së grimcave të lymit dhe rërës, si rezultat i ndryshimeve termike tek aluminosilikatet dhe hidroksidet dhe oksidet e hekurit (Fe). Faktorët përcaktues të agregimit të tokës janë përmbajtja dhe tipi i argjilës, kationet, forcat e kohezionit dhe të adezionit ndërmjet përbërësve të agregateve, aktiviteti mikrobial, oksidet e Fe dhe lënda organike (LO).  Pas një zjarri, djegia e LO është shkaku kryesor i shkatërrimit të agregateve. Nëse shira të rrëmbyeshëm ndodhin para se të jetë rigjeneruar vegjetacioni, ndikimi në tokë të ‘‘zhveshur’’ mund të kontribuojë në zhvillimin e kores sipërfaqësore, reduktimin e shkallës së infiltrimit, rritje të runoff dhe shpejtësisë së rrjedhjes së ujit duke favorizuar në këtë mënyrë humbjen dhe largimin e elementëve ushqyes.

Ndryshimet në vetitë kimike të tokës

Aciditeti

Aciditeti i tokës pas një zjarri zakonisht ulet si rezultat i shkatërrimit të acideve organike dhe kontibutit të karbonateve, bazave dhe oksideve nga hiri i mbetjeve. Pas një zjarri me intensitet të lartë dhe reduktimit të LO nga djegia, pH mund të rritet deri në 4 ose 5 njësi, kryesisht për shkak të humbjeve të grupeve OH- nga mineralet argjilore dhe çlirimit të kationeve.

Kapaciteti shkëmbyes kationik (Cation Exchange Capacity, CEC)

Zjarri në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në CEC si rezultat i djegies së LO dhe transformimit të mineraleve argjilore. LO alterohet në temperaturë midis 100 0C – 500 0C ndërsa mineralet në temperatura shumë më të larta. Për pasojë CEC pëson rënie pas zjarrit, veçanërisht në centimetrat (cm) e para të thellësisë së tokës.

Përmbajtja e kripërave të tretshme

Pas ekspozimit në temperatura të moderuara, konduktiviteti elektrik (electrical conductivity, EC) mund të rritet si rezultat i inkorporimit të kripërave të tretshme që çlirohen nga djegia e lëndës organike, në brendësi të tokës. Në terma afatshkurtër, kationet kontribuojnë në një përmirësim të pjellorisë në shumicën e rasteve, por marrja e lëndëve ushqyese të tokës mund të kufizohet nga ndërveprimi antagonist i mineraleve. Në çdo rast, ndryshimet në EC janë zakonisht të përkohshme, pasi kripërat shpëlahen shpejt ose transportohen nga rrjedhjet e ujit.

Azoti i tokës (N)

Azoti është një nga elementët më të ndikuar nga zjarri. Gjatë djegies, shumica e N humbet nëpërmjet avullimit duke filluar nga 200 0C. Avullimi i N gjatë djegies është drejtpërdrejtë i lidhur me temperaturat që arrihen në tokë dhe me sasinë e LO të konsumuar, por është vërejtur që kushtet e nitrifikimit zakonisht përmirësohen pas djegies. Përqëndrimet e N inorganik tentojnë të rriten në sipërfaqet e djegura krahasuar me sipërfaqet e padjegura të kontrolluara në vitet e para pas zjarrit. Nitrifikimi përmirësohet në tokat e djegura, nisur nga ulja e aciditetit që çon në rritjen e aktivitetit mikrobial duke stimuluar kështu mbirjen dhe zhvillimin e leguminozeve azoto-fiksuese.

Karboni organik

Djegia shkakton një ulje të përmbajtjes së karbonit organik të tokës, por ndikimet e zjarrit mund të jenë komplekse dhe varen nga intensiteti i zjarrit dhe proçeset e tokës. Pas zjarreve me intensitet të ulët, përmbajtja e karbonit organik mund të rritet si rezultat i pirolizës (proçes termo-kimik që ndodh në mungesë të O2) së pjesshme të mbetjeve bimore në siperfaqe të tokës. E kundërta ndodh me zjarret me intensitet të mesëm- të lartë, që shkaktojnë një ulje të karbonit organik të tokës. Mbi 90 % e lëndës organike mund të shkatërrohet në temperaturë 450 0C për rreth 2 orë ose në 500 0C për rreth 30 minuta.

Në vendin tonë, praktika e përdorimit të djegies së mbetjeve bimore në sipërfaqet tokësore, kryesisht realizohet me qëllim stimulimin dhe krijimin e kullotave dhe lehtësimin/pastrimin e sipërfaqes nga mbetjet e kulturave bujqësore para procesit të plugimit dhe përgatitjeve të shtratit të tokës për kultivimin e kulturave të reja. Por në shumë raste, kjo praktikë ka rezultuar e rrezikshme dhe me pasoja si rezultat i daljes nga kontrolli të zjarreve, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqet pyjore, bujqësi dhe në biodiversitet (flora, fauna) si edhe rreziqe potenciale për vendbanime të komuniteteve të caktuara në afërsi të zjarreve.

 

Aleksandër Peqini
Departamenti i Shkencave Agronomike, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: