Ndërkohë që qindra mijëra të rinj në të gjithë botën u rikthyen ditët e fundit në rrugë në protestën globale të klimës, kompania suedeze e teknologjisë Doconomy, në partneritet me OKB Ndryshimi i Klimës, ka lançuar një mjet në internet për të ndihmuar individët të llogarisin gjurmën e tyre të karbonit. Në këtë mënyrë ata arrijnë të kuptojnë se si vendimet e tyre të përditshme ndikojnë në klimë dhe kësisoj kanë mundësinë të ndërmarrin veprime efektive kundrejt ndryshimeve klimatike.
Përdoruesit i përgjigjen një sërë pyetjesh të drejtpërdrejta që mbulojnë disa kategori, si udhëtimi, ushqimi apo mjedisi i jetesës. Në vetëm 10 minuta, ata mund të kuptojnë se si mënyra e tyre e jetesës ndikon në klimë. Kjo njohuri mund t’i lejojë njerëzit të marrin vendime të thjeshta dhe të ndërgjegjshme për klimën, nga të cilat përfitojnë të gjithë.
“Llogaritësi i stilit të jetesës është para së gjithash një mjet i shkëlqyeshëm arsimor,” thotë Niclas Svenningsen, menaxher në OKB Ndryshimi i Klimës.
“Sinqerisht, nuk mund të pritet që qytetarët në të gjithë botën të marrin vendime të zgjuara për klimën pa e kuptuar më parë ndikimin e tyre klimatik. Gjithashtu, ky është një mjet veprimi për klimën, sepse sapo ne të dimë dhe të kuptojmë shkallën e vendimeve tona të zakonshme, atëherë ne mund të veprojmë në mënyrën përkatëse. Kjo është arsyeja pse është thelbësore që ky produkt të shpërndahet gjerësisht dhe ta përdorim atë për t’u bashkuar kundër ndryshimeve klimatike.”
Llogaritësi i stilit të jetesës ofron një metodë të standardizuar në mënyrë që të gjithë të mund të llogarisin gjurmën e tyre të karbonit pavarësisht se ku jetojnë në botë. Të dhënat bazë përfshijnë një numër burimesh të verifikuara nga KKKBNK (Konventa Kuadër e Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimet Klimatike), të besueshme dhe të disponueshme për publikun. Përveç kësaj, është në dispozicion një metodologji gjithëpërfshirëse për të siguruar transparencën e plotë të llogaritjeve dhe supozimeve bazë dhe për të inkurajuar bashkëpunim të mëtejshëm në përmirësimet ose shtesat e mundshme në të ardhmen e afërt.
Llogaritësi i gjurmës së karbonit mund të gjendet në adresën e internetit: https://lifestylecalculator.doconomy.com/unfccc/
Burimi: https://unfccc.int/
Adri Erebara
Departamenti i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.