Format kryesore të vegjetimit të drufrutorëve janë natyrale dhe artificiale. Format natyrale janë tipike për pemët frutore por edhe për bimët ornamentale dhe disa frutiferë me fruta të vegjël.
Disa drufrutorë me kurorë të madhe si gështenja, qershia e ëmbël në impiantet e vjetra qershia e thartë, arra, arra e pekanit, ulliri etj, rriten në forma natyrale (formë çadër ose glob).
Format artificiale të përshtatjes së kurorave në drufrutorë ndjekin pak a shumë rregullat e vegjetimit të kurorave natyrale dhe adaptohen mbi këtë bazë. Ndër format artificiale të përshtatshmërisë së kurorës së pemëve frutore në blloqe frutore apo kopshte familjare evidentojmë;
- kurorat voluminoze të larta dhe variantet e tyre
- kurorat hibride/ kurorat fussetto/spindle bush dhe variantet e tyre
1. Kurorat voluminoze të larta
Në format artificiale të kurorave voluminoze të larta në pemtari përmendim;
- Piramidat/koniket (me kate të rregulllta, piramidat e lira, format kolonë)Add New
- Format e sheshta vertikale (palmetat e rregullta, palmetat e lira)
- Palmetat me mbështetje, format ipsilon, U, etj).
- Piramida/konike të ulëta/kurorat oeschberger/format e lira për rajonet malore
- Format e shtrira horizontale ose shtratet (aktinidia & hardhia)
2. Format e kurorave hibride/fussetto/spindle bush dhe variantet e tyre
Kurorat e ulëta hibride aplikohen kryesisht në pemtoret intensive dhe superintensive dhe quhen ndryshe edhe kurora moderne të ngushta. Ndër kurorat e ulëta apo të ngushta moderne/fussetto/spindle bush më të përhapura në pemtarinë e sotme përmendim;
- Piramidat gëmushë (fusettat/spindle bush) + variantet e saj
- Palspindel (piramidat e holla në majë me densitet të lartë).
- Kordonët vertikalë, horizontalë – format me mbështetje
Përshtatshmëria e formës natyrale të kurorës së bimës
Ndërhyrja me anën e krasitjes mbi drufrutorët, përgjithësisht tenton të formojë një kurorë të caktuar të bimës, të ngjashme me formën e saj natyrale të vegjetimit. Kjo do të thotë se për çfarëdolloj forme artificiale kultivimi, pikësëpari përcaktohet mënyra e vegjetimit dhe modelohet skeleti i bimës. Për kurorat piramidale voluminoze të larta dhe format e përshtatura të tyre ka patur një evoluim të vazhdueshëm por zyrtarisht protokolli i realizimit të tyre në praktikë parashikon ndërhyrjet e mëposhtme:
Për kurorat piramidale me vazhdues qendror dhe të modifikuara me 2-3 kate të rregullta ose të lirë, skeleti i bimës përbëhet nga këto pjesë;
- trungu 0,7-1 m
- vazhduesi i trungut ose boshti qendror i bimës, 2,5-3,5 m (kurorat piramidale-palmetë me 1-3 kate)
- 3-4 degë të para skeletore (kurorat piramidale standart dhe dy degë të para skeletore për çdo kat për kurorat palmetë) të vendosura në një kënd 45-60° përkundrejt vazhduesit të bimës/boshtit qëndror. Gjatësia e degëve të para skeletore është sa ½ e distancës së mbjelljes së bimëve në parcelë.
- Mbi degët e para skeletore të secilit kat, duke filluar nga 40-50 cm nisur nga këndi i daljes së tyre vendosen 3-4 të dyta skeletore në largësi 35-40 cm dhe përkundrejt njëra-tjetrës (numri i degëve të dyta skeletore është në varësi të distancave të mbjelljes së bllokut frutor).
- Mbi degët skeletore të dyta vendosen lastarët vegjetativë dhe degëzat prodhuese duke ndërtuar një kurorë me përmasa të pëlqyeshme që të mundësojë sasinë e prodhimit të dëshiruar dhe kohën fizike të shfrytëzimit sa më gjatë.
Rikujtojmë se pema në vetëvete konsiderohet njësi unike dhe relativisht e pavarur ku çdo pjesë e saj, pavarësisht vendndodhjes, kontribuon në bashkëjetesën e së gjithës. Njëherësh në pemët në rritje apo prodhim, pjesë të kurorës gjenden në konkurencë të vazhdueshme me njëra- tjetrën përsa i takon furnizimit me ushqim dhe ndriçimit diellor.
Vetë kompozicioni i kurorës “privilegjon” disa lastarë dhe degë që ndodhen në pozicione më të përshtatshme të cilat janë më të favorizuara kundrejt të tjerëve. Për pasojë, marrin zhvillim më të fuqishëm vegjetativ ku edhe ndërhyrjet me krasitje apo përkulje janë më deçizive. Përballë këtyre pjesëve të cilat mund t’i quajmë ‘dominante’, gjenden pjesë të tjera më pak të favorrizuara në ushqim e diellëzim të cilat në mënyrë të vazhdueshme shkojnë drejt venitjes dhe tharjes.
- Kjo do të thotë se në bimë ndodh ‘një vetëkrasitje natyrale’ e cila vërehet ku më shumë dhe ku më pak, në varësi të gjendjes fiziologjike të bimës, mënyrës së degëzimit, dominancës apikale, sjelljes bazotone apo akrotonike të degëve kryesore, këndit të daljes, kategorisë së degëzave dominuese veshëse, etj.
Pemërritësit i kanë shfrytëzuar dhe i shfrytëzojnë në interesin e vet këto veçori specifike të bimës dhe përmes krasitjeve apo formave të tjera të ndërhyrjeve në kurorën e bimës, bëjnë modifikime të degëve kryesore, lastarëve dhe degëzave duke u dhënë formën më racionale të vegjetimit e cila i përgjigjet më mirë kushteve natyrore dhe interesave ekonomike të fermerit.
Nga kjo nevojë e vazhdueshme kanë lindur format artificiale të kultivimit të cilat në mënyrë të vazhdueshme janë përshtatur dhe zhvilluar për të përligjur kërkesat ekonomike të bujkut në një bashkejetesë afatgjat me kushtet ambientale dhe agro-teknologjinë.
Në këtë pikë veçanërisht kanë diktuar mënyra e vegjetimit të bimës, fortësia e nënshartesës, distancat e mbjelljes, forma e kurorës/kultivimit dhe shpërndarja e degëve të pemës në hapësirë, etj, e cila në fund të fundit zgjidh disa detyra kryesore siç janë:
- Arritje e shpejtë e fazës së maturimit/nxitjen e hyrjes sa më herët në prodhim të bimës
- Shfrytëzimin sa më mirë të energjisë diellore të nevojshme për fotosintezën e bimës.
- Lehtësimin e shërbimeve agroteknike, krasitje, punim, ujitje, trajtime kimike, vjelje, etj
- Efektivitetin maksimal të investimeve themelore dhe atyre vjetore dhe rikthimin e tij sa më të shpejtë nëpërmjet prodhimeve cilësore dhe sasiore.
Për kurorat palmetë (format e kurorave industriale) skeleti i bimës përbëhet nga këto pjesë:
- trungu 0,7-1 m
- vazhduesi i trungut/boshti qendror i bimës me gjatësi 2,5-3,5 m mbi të cilin vendosen tre kate në largësi 70 cm larg njëri-tjetrit
- 2 degë të para skeletore për çdo kat, të vendosura në një kënd 45-60° përkundrejt vazhduesit qëndror të bimës ose boshtit qendror të bimës. Gjatësia e degëve të para skeletore është sa ½ e distancës së mbjelljes së bimëve në rresht.
- Mbi degët e para skeletore duke filluar nga 40-50 cm gjatësi nga këndi i daljes së tyre vendosen 4-3 degë të dyta skeletore në largësi 35-40 cm dhe përkundrejt njëra-tjetrës. Edhe në këtë model kurore, numri i degëve të dyta skeletore është në varësi të distancave të mbjelljes së bllokut frutor.
- Mbi degët e dyta skeletore vendosen lastarët vegjetativë dhe degëzat prodhuese. duke ndërtuar një kurorë me përmasa të pëlqyeshme që të mundësojnë sasinë e prodhimit të dëshiruar dhe kohën fizike të shfrytëzimit sa më gjatë të impiantit.
Sipas studiuesve të pemtarisë, evolucioni i formave të kultivimit të drufrutorëve në Europë mund të artikulohet në tre momente të ndryshme:
- Deri në fillim të viteve 1960 mbizotërojnë format me volum (vazo tradicionale dhe piramida) me hapësira dhe distanca të mëdha mbjelljeje, (8 x 8, 9 x 9 dhe 10 x10 m) dhe investime të ulta prej 100 -150 bime/ha.
Bëhej fjalë për bimë shumë të mëdha prej të cilave mbeten shembuj blloqet me qershi, gështenjë apo ullishta ku operacionet e krasitjes kryhen me dorë.
- Në vitet 1960 – 1980 përhapen format e shtypura sidomos palmetat të modeluara pa sistem mbështetës me distanca më të vogla kultivimi 5m x 4m dhe afërsisht 500 bimë/ha.
Palmeta mekanizohet mirë dhe përshtatet me përdorimin e makinave me platforma lëvizëse për krasitjen dhe vjeljen.
- Në këtë 30-vjeçar pemtaria është rikthyer pjesërisht në format moderne të kultivimit (fusetto, vasetto, vazzo katalaneze e spindel), me distanca të kufizuara mbjelljeje dhe nënshartesa vegjetative (kllonale, fare) me 1000 – 3000 bimë/ha
Format moderne të kultivimit në varësi të fortësisë së nënshartesës vegjetative, reliefit, pjellorisë së tokës dhe mundësisë së mekanizimit, adaptohen me ose pa sistem mbështetës.
- Në pemtoret ½ intensive me 800-1500 bimë/ha, mbi nënshartesa të forta vegjetative ose fare, përgjithësisht nuk aplikohet vendosja e sistemit mbështetës.
- Në pemtoret intensive me më shumë se 1600-3200 bimë/ha mbi nënshartesa të dobëta dhe kultivarë me rritje të përmbledhur (mollë & dardhë), praktikohen pemëtore me sistem mbështetës me konstruksion metalik, druri të fortë apo shtylla beton arme 3-6 ml.
Kështu ndodh me mollën mbi nënshartesa vegjetative M9, MM106,MM111, P1,P2, Suport 80 A. apo tek dardha mbi nënshartesa të konsoliduara ftoi(Ba, Ma29), pjeshkë dhe nektarinë, bajame mbi GF 667, etj, ku mund të adaptohen forma kurore të rregullta dhe distancë mbjelljeje 4m x 2,5 m, 4m x 3 m, 4,5m x 3,5 m, etj .
Frutikultura shqiptare e viteve 1960-1980 përfaqësohej nga blloqe frutorë, me 270 – 330 bimë/ha, me kurora të larta voluminoze dhe nënshartesa fare.
Pas viteve 1980, me hyrjen në strukturat e mbjelljeve të reja të nënshartesave vegjetative dhe kultivarëve të rinj, me kurorë të përmbledhur u bënë adaptimet e para në distancat e mbjelljes. Në rajone intensive të pemtarisë së kohës u mbollën sipërfaqe molle me rreth 1000 bimë/ha (Korçë) ose pemtore pjeshke me 400-625 bimë/ha (Lushnjë-Elbasan)
Pavarësisht këtij fakti, vlerësim objektiv duhet bërë për rinovimin strukturor të specieve frutore dhe përdorimin e nënshartesave klonale vegjetative apo fare.
- Në vitet e fundit interesi për pemtarinë është rritur, falë efekteve të ekonomisë tregut, hapjes me vendet e rajonit, krijimit të përvojave pozitive në emigracion, investimet nga kursimet, mbështetjen me projekte shtetërore, etj.
Në zonat tipike të frutikulturës shqiptare si Korçë, Kolonjë, Pogradec, Dibër apo edhe në zona të ulëta bregdetare, Lushnjë, Berat, Elbasan, etj, në mënyrë harmonike me shtimin e sipërfaqeve është shtuar dëndësia e bimëve/ha, agroteknlogjia dhe rendimenti i prodhimit për njësi/sipërfaqe. Kjo ka bërë që mbi bazën e njehësimit të agroteknologjive të prodhimit, rendimentet mesatare të prodhimit në pemët frutore i kalojnë 350– 500 kv/ha ndërsa prodhimi total në krahasim me vitet 1990 është katërfishuar.
- Vitet e fundit në nivel kombëtar prodhimi i frutave ka arritur në 260-300 000 tonë ku 40-50% e prodhimit sigurohet nga bima e mollës. Proporcionalisht është rritur edhe prodhimi i agrumeve në rreth 25-40 000 tonë, ai i ullirit në rreth 80-100 000 tonë fruta, rreth 20 000 tonë vaj dhe prodhimi i rrushit total ka arritur në 300 000 tonë.
Kjo situatë ka reflektuar pozitivisht në dyfishimin e rendimentit/bimë, mbjelljen e kultivarëve cilësorë, rikthimin dhe përmirësimin e përvojave pozitive të punës, përmirësimin permanent të strukturave, plotësimin e konvejerëve të prodhimit, krijimin e njësive të pritjes dhe marketingut të prodhimit, etj.
Përshkrimi i kurorave piramidale
Më poshtë po përshkruajmë disa nga format kryesore të kurorave piramidale që janë përdorur në pemtarinë tradicionale duke ilustruar edhe teknikën e formimit dhe mirëmbajtjes së tyre. Ritheksojmë se në këto forma kultivimi, kurora e bima shpërndahet në të katër anët e horizontit (në rresht dhe midis rreshtit).
Këto forma janë përdorur prej shumë kohësh në pemtari ndërsa u shmangën si forma kultivimi në vitet 1960-1980 duke u zëvendësuar me format palmetë ose format e sheshta vertikale voluminoze me mundësi mekanizimi.
Arsyeja kryesore e këtij zhvillimi ishte mungesa e fuqisë punëtore dhe ulja e kostove të prodhimit përmes mekanizimit të disa proceseve të punës në pemtore.
Format më të përhapura të kurorave të larta piramidale që do të përshkruajmë janë; piramidat/koniket të cilat në hapësira të ndryshme kultivimi janë specifikuar si më poshtë;
- Piramidat/koniket e larta me kate të rregullt me udhëheqës qendrorë
- Piramidalat/koniket e lira/spirale
- Piramidat/koniket e ulëta/oeschberger për zonat malore
Format klasike të piramidave/konikeve
Për përshkrimin e formave të kurorave piramidale ose konike të rregullta, kemi marrë në analizë mënyrën dhe teknikat e pregatitjes së fidanit, kurorën në rritje dhe atë në prodhim, bazuar në parimet dhe portokollet e aplikuara nga vendet me pemtari të zhvilluar në Europë.
Këto forma kurore quhen ndryshe edhe forma të larta/voluminoze/kultivimi të cilat në pemtarinë moderne nuk aplikohen më. Në evolucionin e tyre kanë pësuar ndryshime të njëpasnjëshme, por gjithmonë në përshtatje me mënyrën e vegjetimit dhe kërkesat ekonomiko-tregtare për fruta të freskëta dhe përpunim industrial. Ndër format kryesore të kurorave piramidale (konike) evidentohen ato piramidale/konike të thjeshta, ku për klasifikimin e tyre përpara shumë vitesh merrej në konsideratë lartësia e trungut. Sipas këtij koncepti dallohen këto forma;
Piramidale/konike me kurorë të ulët, ku lartësia e trungut është 50 cm; piramidale/ konike me kurorë mesatare, ku lartësia e trungut është 51-100 cm dhe piramidale/konike me kurorë të lartë, ku lartësia e trungut është mbi 101 cm.
Sot ky klasifikim përdoret vetëm për pemtoret industriale ose edhe të zakonshme që i nënshtrohen vjeljes me mjete mekanike dhe lartësia e trungut planifikohet qysh në fillim të ngritjes së pemtores.
Sipas përkufizimit të dhënë nga Baldini më 1976, këtij nëngrupi i përkasin forma që karakterizohen nga prania e një boshti (aksi qëndror) mbi të cilin ngrihet kurora e përbërë nga 3 – 4 degë kryesore me kënd daljeje mbi boshtin qendror të bimës mbi 45 – 60º dhe të gjata sa 1/3 e distancës në mes majës së udhëheqësit të bimës dhe vendit të daljes së tyre. Përgjithësisht modifikohen me tre kate dhe lartësi mbi 3,5-4,5 m. Në zhvillimin e përgjithshëm të tyre marrin profil piramidë/kon duke projektuar mbi tokë pak a shumë një rreth.
Tre kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë format klasike të piramidave/konike, pavarësisht ndryshimeve dhe evolucionit që kanë pësuar në kohë:
1. Format piramidale klasike me kate të rregullt
Në këtë formë kultivimi, trungu i bimës merr një lartësi 0,7-0,8 m ndërsa degët kryesore të pemës vendosen në tre kate afërsisht 50-70 cm larg njëri – tjetrit dhe të ndarë mjaft mirë në mes tyre. Në aspektin praktikë, çdo kat formohet nga tre-katër degë skeletore kryesore të vendosura shumë afër njëra-tjetrës në mënyrë të këmbyer dhe në kënd 45 – 65° përkundrejt udhëheqësit kryesor ose vazhduesit të boshtit qëndror të bimës.
Sipas distancave të mbjelljes, gjendjes shëndetësore dhe fuqisë së pemës, degët e para skeletore, plotësohen me 3- 2 degë të nivelit të dytë me kënd vendosjeje mbi boshtin e secilës degë të parë deri 45° ku edhe këto nga ana e vet, plotësohen me 1 – 2 degë të nivelit të tretë.
Në mënyrë të rregullt, degët e nivelit të dytë dhe të tretë plotësohen me lastarë vegjetativë dhe degëza prodhuese sipas natyrës së vegjetimit të species apo kultivarit të mbjellë.
Dega e parë e nivelit të dytë vendoset 50 – 60 cm larg bazës së degës kryesore me drejtim nga jashtë, ku për gjatësinë e prerjes zbatohet i njëjti rregull sikurse për degët kryesore. Ndërsa dega e dytë, po e nivelit të dytë vendoset 40 – 50 cm larg të parës dhe në të kundërtën e saj. Në këtë mënyrë operohet për plotësimin e degëve kryesore me degë të dyta veshëse në të gjithë gjatësinë e tyre.
Edhe për degët e rendit të tretë ndiqet e njëjta procedurë pune. Kështu, dega e parë e nivelit të tretë vendoset mbi 30 cm më lart bazës së degës së dytë, ndërsa e dyta (niveli tretë) në të kundërtën e saj dhe rreth 30 cm larg me të parën.
Për gjatësinë e prerjes, edhe për këtë kategori degësh zbatohet e njëjta formulë që u përshkrua më sipër. Më tej kurora plotësohet me degët veshëse për çdo nivel degëzimi dhe kati, detyrë kjo që sipas species dhe kultivarit plotësohet brenda 3 – 5 viteve të para.
Përgjithësisht për degë të dyta dhe të treta preferohen degëzimet anësore duke eleminuar ato që dalin në pjesën e brendshme të kurorës. Në përfundim të formimit të kurorës bima ka formën e një koni me bazë në drejtim të trungut të bimës, nga ku ka marrë emërtimin kjo mënyrë kultivimi.
- Fillimi i formimit të kurorës mund të bëhet qysh në fidanishte përmes pincimeve dhe nxitjes së lastarëve të parakohshëm (qershia, pjeshka, nektarina, etj). Nëqoftëse kjo gjë nuk është e mundur, ndërhyhet menjëherë pas mbjelljes së fidanit në fushë duke vepruar në këtë mënyrë:
Së pari përcaktohet lartësia e trungut, që duhet të jetë mbi 60 – 70 cm nga toka plus (+) një rezervë 15-20 cm. Më pas bëhet prerja me gërshërë krasitje.
Mbi pjesën e lartësisë së trungut ose rezervën rreth 15-20 cm, në vegjetacionin e vitit të parë do të shpërthejnë /dalin lastarë të rinj në mes të cilëve përzgjidhen 6-8 prej tyre, duke u përkujdesur që të marrin gjatësi dhe kënd daljeje sa më afër kërkesave të pemërritësit.
Në krasitjen dimërore të vitit të parë, prej lastarëve prezentë përzgjidhen katër – pesë prej tyre të vendosur në mënyrë të këmbyer dhe në pozicionet më të mira përkundrejt boshtit por edhe ndaj njëra – tjetrës.
Njëri prej lastarëve dhe praktikisht ai që del prej sythit të majës, do të shërbejë si udhëheqës. Lastarët e tjerë që vendosen poshtë tij përgjithësisht kanë një kënd që shkon mbi 45-55 ° me boshtin kryesor (skema më poshtë).
Figura 1.(a,b,c). Formimi i kurorës piramidale. Fidan pas mbjelljes (a), këndi i daljes së degëve skeletore të para (b), piramidë e rregullt me tre kate pas vitit të 5-të (c)
Këshillohet dhe përgjithësisht aplikohet parimi sipas së cilit lastarët e përzgjedhur për degë skeletore, të jenë më të holla se udhëheqësi/vazhduesi qendror i bimës. Kjo për faktin se lastarët me trashësi të njëjtë me udhëheqës tentojnë konkurimin e tij dhe çojnë në kufizim të pamotivuar të zhvillimit të kurorës.
Në krasitjen dimërore të vitit të parë, mbi secilën bimë eleminohet ai lastar që është më i dobët ose që devijon nga pozicioni vertikal edhe në rastet kur vendoset në pozicion fundor.
E rëndësishme është që tre – katër lastarët e përzgjedhur për degë skeletore, të sigurojnë një lidhje të qëndrueshme me udhëheqësin, të vendosen në një distancë 5-7 cm larg njëri-tjetrit dhe të ruajnë këndin e këshilluar të vendosjes mbi boshtin kryesor udhëheqës 45-55°.
Për çdo rast synohet që, lastarët e përzgjedhur të kenë një hapësirë afërsisht të barabartë, gjë e cila sigurohet përmes një këndvendosjeje me vertikalen rreth 90 – 120°( kur janë tre ose katër lastarë).
Në këtë mënyrë, e gjithë hapësira e planifikuar për një bimë mbulohet me degë dhe masë vegjetative në katër anët e horizontit në mënyrë korrelative.
Kur kjo hapësirë është më e kufizuar bëhet hapja e lastarëve me mjete të ndryshme, kapëse plastike, biga, lidhje me material të fortë dhe fiksim i tyre në tokë për një vit vegjetativ, etj.
Së dyti, bëhet pincimi i majës së udhëheqësit kryesor dhe vazhduesit të degëve të para skeletore. Si rregull, operacioni fillon nga dega e parë dhe e dytë skeletore të cilat nuk priten në rastet kur janë më të vogla 40 – 50 cm. Pincimi i majës së lastarëve bëhet në 1/3 deri ½ e gjatësisë së tyre kur janë 60 – 80 cm të gjatë duke e përllogaritur atë nga baza e daljes deri në majën e udhëheqësit në varësi të këndit të daljes 45-55° apo 30-45°.
Ky veprim ndiqet edhe për lastarët e tjerë në të gjitha rastet që e kanë këtë gjatësi. Në të kundërt, priten vetëm ata lastarë që e kanë marrë këtë gjatësi, ndërsa ata me gjatësi 30-50 cm nuk priten.
Në fund pincohet udhëheqësi në 1/3 ose ½ e gjatësisë, ndërsa kur ai ka një lastar konkurent të mirëfilltë, ky i fundit eleminohet.
Gjatë periudhës së verës (korrik-gusht) puna vazhdon me krasitjet e gjelbra duke përzgjedhur lastarët më të mirë për degë të nivelit të dytë të cilat vendosen mbi të parat duke filluar rreth 40-50 cm larg këndit të daljs mbi boshtin kryesor dhe duke ruajtur një largësi në mes tyre 35-45 cm e cila rrethon hapësirën ku ato vendosen mbi vazhduesit.
Së treti, në krasitjen e gjelbër të vitit të dytë, përzgjidhen lastarët e katit të dytë duke respektuar largësinë prej 60-70 cm prej degës së fundit të katit të parë.
Në hapësirën mes katit të I-rë dhe të II-të bëjmë eleminimin e të gjithë lastarëve duke e lënë këtë zonë të pastër. Mbi këtë lartësi, në një segment prej 15 – 20 cm përzgjedhim 5-7 lastarë me vendosjen më të mirë mbi boshtin qendror por që kanë edhe tregues fizikë më të dallueshëm se lastarët e tjerë duke respektuar këndin e vendosjes tyre 45-60°. Në krasitjen dimërore të vitit të tretë, nga grupi i lastarëve të përzgjedhur në verë, eleminohen më të dobëtit, të infektuarit dhe në pozicion jo të dëshiruar duke përzgjedhur 3- 5 me vendosjen më të përshtatëshme mbi boshtin bazë. Pas kësëj, bëhet pincimi i majave të tyre kur kanë marrë gjatësinë mbi 50 – 60 cm ndërsa lastari i fundit lihet për vazhdues të bimës.
Teknikisht veprohet me krasitje edhe mbi vazhduesin e bimës duke eleminuar konkurrentin e tij
dhe duke bërë pincimin/prerjen e majës në 1/3 deri ½ e gjatësisë, referuar nga këndi i daljes së
lastarit të fundit të përzgjedhur si degë skeletore e katit të dytë.
Si operacione të tjera në vegjetacion përmendim; eleminimin e lastarëve të vendosur me pozicion nga brenda kurorës, ata afër njëri – tjetrit, konkurrentin e udhëheqësit ose të vazhduesve të degëve kryesore, pastrimin e filizave që mund të kenë dalë përgjatë trungut deri tek dega e parë skeletore, eleminim të fundakëve, shërbime në vegjetacion etj.
- Për plotësimin me degë të dyta dhe të treta skeletore të katit të dytë si dhe për të vazhduar formimin e katit të tretë, operohet në mënyrë identike sikurse me katin e parë, gjithmonë duke respektuar largësinë ndërmjet kateve, numrin e degëve skeletore në të tre nivelet dhe veshjen me degëza të të gjitha kategorive dhe kateve.
Deri në vitin e 5- 6-të duhet të përfundojë formimi i kurorës në të gjitha katet. Presupozohet që mbi degët e para skeletore të katit të parë (deri në mesin e degës kryesore sipas distancave të mbjelljes), vendosen 3-4 degë skeletore të nivelit të dytë 35-40 cm larg dhe përballë njera- tjetrës (pjesa tjetër vishet me lastarë vegjetativë e prodhues duke ruajtur të njëjtën largësi mes tyre).
Edhe mbi degët e para skeletore të katit të dytë dhe të tretë veprohet sipas të njëjtit rregull por numri i degëve skeletore të nivelit të dytë është në numër zbritës. Për veshjen e tyre me degë skeletore të nivelit dytë fillohet rreth 30-35 cm larg këndit të daljes së tyre dhe përzgjidhen 2-3 degë të nivelit të dytë (deri në mesin e degës kryesore) dhe 1-2 degë skeletore të nivelit të tretë deri në mesin e degës (pjesa tjetër vishet me lastarë vegjetativë apo prodhues).
- Më pas punohet me krasitjen prodhuese dhe kjo presupozon ruajtjen e skeletit të bimës, ndërhyrjen me prerje të vazhduesit të bimës dhe degëve skeletore të para dhe të dyta, eleminimin e konkurrentëve të këtyre formacioneve, hapje këndi, përkulje dhe lidhje lastarësh, prerje të majave rritëse të lastarëve jo prodhues, rrallimin e degëzave prodhuese, heqjen e gjetheve, rrallimin e frutave etj, me synim ruajtjen e raporteve të drejta masë vegjetative – masë prodhuese për shmangien e alternancës dhe ruajtjen e jetëgjatësisë produktive të bllokut frutor.
Kur bëhet fjalë për kurora të larta dhe me shumë kate (tre /katër), në çdo vit vegjetativ (pas vitit të dytë) përgjithësisht përzgjidhen lastarët që nxiten të dalin përmes pincimeve të udhëheqësit kryesor ose vazhduesve të degëve të para dhe të dyta skeletore.
Është kërkesë teknike që të përzgjidhen për çdo rast lastarët më të shëndetshëm dhe me shpërndarje më të mirë mbi udhëheqësin e bimës ndërsa ky i fundit dhe vazhduesit e degëve skeletore priten mbi një lastar të dobët me kënd të gjerë daljeje ndërsa konkurrentët e tyre gjithmonë eleminohen.
Si formë kurore është e përshtatshme për specie dhe kultivarë me dominance të theksuar apikale ku prerja e majës së udhëheqësit bën të mundur nxitjen e daljes së shumë lastarëve afër vendit të prerë. Mund të përmendim si specie tipike qershinë apo kajsinë, të cilat jo vetëm shfaqen me dominancë të theksuar apikale, por edhe natyra e degëzimit të tyre është tipike akrotone.
- Të dhëna nga prodhimi dhe rezultate të studimeve shumëvjeçare provojnë se pas hyrjes së pemës dhe pemtores në prodhim të plotë përgjithësisht synohet në eleminimin me prerje/krasitje të 25-35% të masës vegjetative të degëve të nivelit të parë dhe të dytë shoqëruar edhe me ndërhyrje për eleminimin e lastarëve që dëndësojnë kurorën lastar të infektuar, konkurrent të udhëheqësit dhe degëve skeletore, prerje majash etj.
2. Format piramidale të lira (spirale/elikoidale)
Sipas emërtimit në këtë formë kurore, degët kryesore skeletore që modelojnë kurorën vendosen në formë spirale mbi udhëheqësin kryesor të bimës, në një distancë 25 – 35 cm larg njëra – tjetrës dhe pa formuar kate të mirëfillta.
Lartësia e trungut përzgjidhet mbi 100 cm nga toka, ndërsa lartësia e bimës shkon 3,5-4 ml. Kjo do të thotë se përgjatë aksit kryesor të bimës vendosen 10 – 12 degë të para skeletore, me kënd daljeje ndaj udhëheqësit deri 40-45°. Këto nga ana e tyre plotësohen me degë të nivelit të dytë dhe degëza veshëse në vartësi të nënshartesës dhe distancave të mbjelljes.
Si formë kurore mund të formohet me mjaft lehtësi në speciet drufrutore të cilat përmes pincimeve mundësojnë daljen e filizave të parakohshëm qysh në fidanishte. Në rast të kundërt, për formimin e kurorës veprohet pas mbjelljes së fidanit në vendin e përhershëm duke përzgjedhur së pari lartësinë e kurorës + një rezervë 15 – 20 cm që do të jetë zona e përzgjedhjes së lastarëve bazë për degët e para skeletore (bërthamoret, pjeshke, nektarine e kajsia).
Formimi i kurorës piramidale me kate të lirë ndjek të njëjtin rregull sikurse piramida me kate të rregullt me ndryshimin se vetëm në katin e parë dhe degët skeletore të këtij kati, realizohet procedura e përshkruar për kurorat vazo.
Nuk formohet kat i dytë dhe i tretë i rregullt por plotësimi i kuroreë vazhdon me një ndërthurje degësh skeletore përgjatë udhëheqësit të bimës në çdo 25 – 35 cm larg duke filluar nga lartësia 100 cm mbi tokë që përfaqëson edhe lartësinë e trungut të bimës.
Kurora e bimës plotësohet për disa vite rresht deri në lartësinë e parashikuar 3,5-4 ml. Plotësimi i degëve skeletore të para me nivelin e degëve të dyta apo të treta varet nga distancat e mbjelljes së bimëve.
Edhe veshja me degëza vegjetative apo prodhuese bëhet përmes krasitjeve dimërore dhe atyre në vegjetacion. Degët skeletore dhe veshëse përgjatë aksit bazë dhe aksit të degëve të dyta skeletore deri në lartësinë 3,5-4 ml marrin gjatësi deri 25 – 40% më të vogël se ato të bazës kurorës duke formuar një piramidë/kon në pamjen e tyre.
Figura 2.(a,b) Kurore piramidale me kate të lirë, viti V-të(a) dhe kurorë boshtore e plotësuar(b)
Në krasitjen dimërore dhe verore të vitit të katërt-pestë krasitja formuese ndërthuret me krasitjen prodhuese duke plotësuar me degëza frutore të gjithë nivelin e degëve skeletore të para dhe të dyta të vendosura përgjatë aksit bazë dhe aksit të degëve të dyta.
Format piramidale me pamje si selvi
Është formë mjaft e ngjashme me formën piramidale spirale me ndryshimin se në këtë mënyrë kultivimi sistemi i degëve skeletore të para, të dyta kanë një gjatësi të barabartë me 1/5 e distancës së udhëheqësit me bazën e daljes së tyre që duhet kuptuar se janë akoma më të shkurtra se tek forma piramide klasike apo spirale.
- Për rastin konkret, kurora merr formë të ngushtë, tamam pamjen e një selvie ndërsa këndi i vendosjes së degëve të para mbi boshtin qendror është rreth 30 – 35°.
Mbi degët e para skeletore vendoset niveli i degëve të dyta, të treta dhe veshëse, ndërsa krasitja synon që bima në krejt pamjen e saj të marrë formën e një koni. Lartësia e bimës shkon në vartësi të nënshartesës, agroteknologjisë, llojit të tokës etj. Si forma kurore, futen në kategorinë e kurorave të larta, me trung 60 – 80 cm mbi tokë dhe lartësi të përgjithshme mbi 4.5 – 5 ml. Për specie dhe kultivarë që nxjerrja e degëzave të parakohshme është gjë normale, përzgjedhja e lastarëve për realizimin e kësaj forme kurore bëhet shumë lehtë dhe nxitet qysh në fidanishte. Puna vazhdon në vendin e përhershm duke bërë përshtatshmëritë e nevojshme dhe plotësimin e kurorës me degë të niveleve më të ulëta brenda një harku kohor prej tre – katër vitesh.
3. Format e kurorës kolonë/cilindrike
Si kurorë përbëhet nga një bosht i veshur me degë skeletore mjaft të shkurtra dhe me gjatësi të barabartë nga fillimi deri në fundin e tij aq sa projeksioni i kurorës në një prerje transversale në çfarëdolloj lartësie jep pamjen e një rrethi gjithmonë të barabartë. Për kurora të tilla përgjithësisht shfrytëzohen specie dhe kultivarë me tendencë mezotone të cilat natyralisht shfaqin rritje të barabartë të degëve në të gjithë gjatësinë e boshtit të pemës dhe pikërisht kjo gjë krijon lehtësira dhe nuk sjell sforcime të mëdha në modelimin e kurorës.
Fillimi i përzgjedhjes së lastarëve për degëzimet kryesore respekton lartësinë e përcaktuar për trungun e bimës (rreth 60 – 70 cm). Më pas bëhet përzgjedhja dhe vendosja në mënyrë të këmbyer e degëve të para skeletore dhe gradualisht plotësimi në të gjithë gjatësinë e boshtit kryesor me degë të po këtij niveli të cilat në krasitjet verore pincohen në gjatësi të barabartë në mes tyre.
Për plotësimin e kurorës me degëzime të niveleve të tjera shfrytëzohen krasitjet e gjelbëra të përvitshme, gjë e cila nxitet nga prerjet që u bëhen sistemit të degëve kryesore.
Figurë 3.(a,b). Forma të kultivimit kolonë(a) dhe Y – transversale(b)
Në përfundimin të kurorës, udhëheqësi pritet ndërsa në gjithë gjatësinë e tij degët kanë jo vetëm të njëjtën gjatësi por edhe të njëjtin ndërtim në nivelin e degëve dhe degëzimeve vegjetativo-prodhuese. Në vetëvete i gjithë ky shërbim paraqet vështirësi modelimi dhe mirëmbajtjen, veçanërisht për ruajtjen e ekuilibrit vegjetativo-prodhues.
Si formë kurore nuk rekomandohet që të aplikohet në drufrutorët bërthamorë ose farorë
me tendenca shpërthyese dhe nënshartesa tipike me farë.
Po ashtu, këto lloje kurorash nuk këshillohet të aplikohen në blloqet frutorë që mbillen në toka të pasura dhe agroteknologji të lartë. E gjitha sepse prerjet disi të thella që aplikohen nxisin shpërthime masive të cilat në qoftë se nuk rrallohen për çdo moment krijojnë vështirësi modelimi dhe prishje të ekuilibrave në bimë.
Forma piramidale/konike të ulëta (oeschberger)
Si formë kurore është e modeluar me një kat dhe përbëhet nga një kërcell qendror mbi të cilin në distancë që vjen duke zbritur nga maja në drejtim të bazës së bimës vendosen në mënyrë elikoidale disa krahë kryesorë me kënd që tenton 35-45° dhe udhëheqës që ruan epërsinë e tij ndaj degëve skeletore.
- Edhe krahët në gjatësinë e tij vishet me degë e degëzime të shkurtëra që duke u projektuar në hapësirë japin një piramidë të rregullt. Kjo formë kultivimi është shumë e përshtatshme dhe e këshillueshme për t’u aplikuar në rajonet veriore sepse mundëson shfrytëzimin me efektivitet të energjisë diellore.
Si detyrim bazë konsiderohet natyra e vegjetimit të bimës dhe veçanërisht këndi i daljes së degëve skeletore mbi boshtin kryesor.
- Kjo presupozon që në rastet kur këndi i vendosjes lastarëve mbi boshtin bazë është 45° ai ngushtohet përmes lidhjeve. Përzgjedhja e lastarëve për degë të para skeletore mund të bëhet qysh në fidanishte ose kur mbjellim fidanin në vendin e përhershëm.
Ndërsa pincimi i majave, ruajtja e udhëheqësit dhe formatimi i degëve të nivelit të dytë dhe niveleve poshtë tij bëhet sikurse u përshkrua në rastin e piramidave të zakonshme.
Në varësi të distancave të mbjelljes, mbi secilin prej krahëve kryesorë vendosen 1 – 2 krahë dytësorë, këndi i të cilëve krahasuar me degën mbi të cilën vendosen është rreth 40 – 45°.
Gjatë formimit të skeletit është e rëndësishme që dega e parë e nivelit të dytë (ose dega e dytë) të vendoset rreth 35 – 40 cm larg nga këndi i daljes së degës së parë.
Orientimi në hapësirë i degës së dytë bëhet majtas/ ose djathtas duke ruajtur të njëjtin rregull. Ky rregull bën të mundur që gjatë vegjetacionit degët e dyta të mos kryqëzohen me njëra – tjetrën dhe të kenë hapësira të mjaftueshme ajrimi dhe dritë.
- Për formimin e kurorës oescherberger/piramidale e ulët e lirë veprohet në krasitjet dimërore dhe verore. Si rregull i përgjithshëm, në krasitjet dimërore gjatësia e prerjes së lastarit kryesor dhe e vazhduesve të degëve të para e të dyta skeletore është sa 1/5 e gjatësisë, matur nga maja e lastarit në këndin e daljes së degës.
Në harkun kohor të 3 – 4 viteve degët e para skeletore plotësohen me degët e dyta ku respektohet distanca mbi 35 cm larg njëra – tjetrës dhe doemos edhe mënyra alternative e vendosjes.
Mbi degët e dyta vendoset niveli i degëzave degëzave veshëse të cilat janë vegjetative dhe frutore. Lartësia e trungut të pemës planifikohet rreth 60 – 70 cm, ndërsa kurora të tilla shkojnë deri 2 ml lartësi.
Gjatësia e degëve skeletore përgjatë boshtit të bimës është në rend zbritës, ndërsa pamja e kurorës është tipike piramidale (konike). Në këto kurora në mbi 2/3 e boshtit qendror të bimës duke filluar nga baza e saj vendoset degët skeletore të nivelit të parë dhe të dytë, ndërsa në 1/3 e vazhduesit të bimës, degëzimi vjen në rend zbritës duke u plotësuar vetem me degë të nivelit parë dhe degëza veshëse.
Praktikisht në këtë zonë kemi degë dhe degëzime të shkurtra që vendosen direkt mbi vazhduesin e bimës dhe që plotësojnë formën piramidë ose konike të ngushtë të kurorës.
Këto kurora janë të përshtatura për rajonet klimaterike të ftohta dhe në lartësi mbi 900-1000 m mbi det. Janë kurora që kërkojnë dritë dhe planifikohen kultivarë kryesisht me ngjyrë të kuqe.
Prof. Dr. Bardhosh Ferraj
Departamenti i Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit, Fakulteti Ekonomisё dhe Agrobiznesit, UBT.