aitoff - www.pixabay.com

Kujdesi për gicat e qumështit

Mirërritja e brezit të ri tek gicat është një investim i rëndësishëm për të ardhmen. Muajt e parë të jetës së gicit kanë një rëndësi mjaft të madhe sepse përcaktojnë cilësinë e derrit të rritur dhe një ngadalësim i rritjes në këtë periudhë, është vështirë të korrigjohet në të ardhmen.

Menjëherë pas lindjes, gicat i fshijmë në mënyre që t’i mbrojmë nga të ftohtit të cilin ata nuk e përballojnë dot. Një tjetër veprim që duhet kryer me shpejtësi në momentin e ardhjes në jetë të gicit, është çlirimi i rrugëve të frymëmarrjes nga mukusi i cili mund të shkaktojë asfiksinë e tyre.

Thithat e  vendosura në pjesën e përparme të gjoksit, prodhojnë qumësht rreth 2 herë më shumë se thithat e vendosura në pjesën e barkut, prandaj është e domosdoshme që në momentin e lindjes t’i kushtohet rëndësi e veçantë shpërndarjes së gicave tek thithat e dosës sepse jo të gjithë gicat që lindin janë me peshë dhe vitalitet të njëjtë. Gicat më të dobët vendosen në thithat e përparme ndërsa ata që janë më vitalë dhe me peshë më të madhe, vendosen në thithat e tjera.

Christina Abken – www.unsplash.com

Pas shpërndarjes së gicave në thithat e dosës, rëndësi i duhet kushtuar bërjes së injeksionit me hekur brenda 3-4 ditëve të para, në dozë 100-150 mg sepse gici lind me sasi të kufizuar të hekurit. Gjithashtu edhe qumështi i dosës ka sasi të kufizuara hekuri prandaj dhënia e hekurit suplementar, është e detyruar.

Prerja e “dhëmbëve të qenit” është një proces tjetër që duhet kryer për të evituar problemet që mund të shfaqen në gjiret e dosës gjatë pirjes.

Po aq i rëndësishëm është edhe injeksioni me Caudotomi për të evituar kanibalizmin dhe kaudofaginë (ngrënjen e jashtëqitjeve) si dhe kastrimi tek meshkujt në ditën e 10-15 të jetës. Për gicat e qumështit duhet të tregohet kujdes i vazhdueshëm. Ruajtja e gicave të porsalindur nga lagështia e tepërt, korentet e ajrit, sëmundjet stallore dhe infektive është gjithashtu një proces që nuk duhet neglizhuar.

Gici lind me një sistem imunitar dhe autonomi energjitike të ulët. Gicat nuk kanë shtresë mbrojtëse yndyrore dhe konsumojnë në mënyrë të shpejtë rezervat e glikogjenit në muskuj.

Kanë aktivitet glukoneogjenik shumë të reduktuar dhe një aparat termorregullator pak aktiv prandaj kulloshtra është ushqimi i vetëm i domosdoshëm që i përgjigjet në mënyrë ideale kërkesave të tyre për të siguruar aktivitetet jetësore dhe ruajtjen e temperaturës së trupit në orët e para të lindjes. Mekanizmat termorregullues të gicave, stabilizohen vetëm pas javës se dytë të lindjes prandaj në qoftë se nuk sigurojmë një regjim të rreptë ngrohtësie, rrezikojmë t’u ulim temperaturën e trupit duke rrezikuar jetën e tyre.

Dy janë burimet energjitike që u vijnë në ndihmë gicave në përballimin e uljes së temperaturës trupore; ngrohja e boksit me anë të llampave infra të kuqe dhe  kulloshtrës e cila duhet të konsumohet brenda 3 orëve të para pas lindjes, duke bërë të mundur përfitimin e një imuniteti të mjaftueshëm për javët e para të jetës.

 

Dr. Alma Llambiri
Departamenti i Shkencave Zooteknike, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: