Kriminologjia e gjelbër studion dëmet në mjedis, legjislacionin mjedisor dhe të gjithë kuadrin rregullator në fushën e mjedisit. Grupi i veprave penale kundër mjedisit ka zënë një peshë specifike me një tendencë në ulje deri në vitin 2011, ku pas këtij viti është vënë re një rritje e treguesve të procedimit të këtyre veprave.
Aspektet kriminologjike të veprave penale kundër mjedisit shfaqin disa karakteristika që kanë të bëjnë me llojin e veprave penale, vendin e kryerjes së veprave penale, moshën, gjininë, arsimimin, punësimin etj. Disa nga këto karakteristika konsiderohen si faktorë kriminogjenë që kanë ndikuar në kryerjen e veprave penale kundër mjedisit.
Faktorët kriminogjenë që ndikojnë në ecurinë e këtyre veprave penale janë niveli ekonomik dhe arsimor i ulët, varfëria si dhe papunësia, por nëse nuk merren masat e duhura për mbrojtjen e mjedisit, e gjithë shoqëria mund të varfërohet edhe më shumë, duke mbetur tërësisht pa resurset që na ka dhuruar natyra, nëse marrim parasysh edhe faktin sesa e vështirë është të llogarisim dëmin mjedisor të shkaktuar nga një veprimtari e paligjshme.
Këto lloj veprash penale dëmtojnë ekosistemin dhe sjellin dëme të pariparueshme edhe për brezat e ardhshëm.
Mbrojtja efektive juridike penale e mjedisit si çdo detyrë tjetër e legjislacionit penal, mund të realizohet vetëm nëse mbrojtja e mjedisit nga veprat penale që drejtohen kundër tij, të shoqërohet dhe me parandalimin e tyre.
Krahas rolit parandalues që mund të ketë vetë politika e dënimit, edhe masat e tjera parandaluese kanë një rol po aq të rëndësishëm në kriminalitetin mjedisor. Parandalimi i dëmtimit mjedisor duhet të arrihet kryesisht nëpërmjet masave të tjera jo penale, siç theksohet edhe në Konventën e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet të drejtës penale. Organizatat joqeveritare mjedisore duhet të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit të individëve, në mënyrë që të sjellin sa më pak dëm në mjedis gjatë veprimtarisë së tyre.
Çështja e ndërgjegjësimit publik ka vijuar të mbetet një nga çështjet më problematike për vite me rradhë. Gjithashtu edhe shkollat mund të luajnë një rol vendimtar në edukimin e brezave të rinj që në moshë të hershme për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.
E drejta jonë penale është e kodifikuar, në ndryshim kjo nga legjislacioni i të drejtës së mjedisit, i cili paraqitet i shpërndarë në shumë ligje apo akte nënligjore. Ndërsa përsa i përket sanksioneve administrative, ato gjenden në ligje të posaçme mjedisore duke qenë se janë shkelje më të lehta. Në këtë kre, figura e veprave penale të ndotjes janë të parashikuara kryesisht si krime, me përjashtim të rastit të ndotjes së ajrit, e cila përbën kundravajtje penale.
Këto përbëjnë vepra penale pavarësisht nëse kanë sjellë ose jo pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve në ndryshim kjo nga Kodi Penal i mëparshëm, sipas së cilit kërkohej domosdoshmërisht ardhja e pasojave të rënda në mënyrë që të ishim përpara veprës penale dhe jo kundravajtjes administrative.
Një instrument i rëndësishëm janë edhe strategjitë mjedisore kombëtare të cilat duhet të hartohen nga ministria e Mjedisit në mënyrë periodike, të shoqëruara këto edhe me planet përkatëse të veprimit të cilat mund të luajnë një rol të rëndësishëm në parandalimin e veprave penale kundër mjedisit.
Roli i së drejtës penale në mbrojtjen e mjedisit po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm dhe kjo, duke marrë parasysh edhe kërkesat për përafrim që shtrohen për të drejtën e mjedisit në kuadër të anëtarësimit në BE. Vëmendja më shumë po përqëndrohet në direktivat e BE për krimin mjedisor, të cilat kanë vendosur vetëm një standart minimal në këtë fushë duke i lënë hapësirë shteteve për të vendosur një mbrojtje edhe më të madhe të mjedisit nëpërmjet të drejtës penale të tyre.
Gjithashtu një tjetër problematikë e cila kërkon zgjidhje është edhe përcaktimi i “vijës ndarëse” midis kundravajtjes administrative dhe veprës penale. Për këtë arsye duhen përcaktuar qartë kriteret në mënyrë që të mos krijohet boshllëk në zbatimin e legjislacionit.
Situatë më problematike paraqitet në rastin e veprës penale të ndotjes së ajrit, pasi nga njëra anë dispozita penale përkatëse kërkon si kusht që vepra të mos përbëjë kundravajtje administrative dhe nga ana tjetër edhe dispozitat ligjore mbi kundravajtjet administrative referojnë sërish në Kodin Penal që konsiston në shprehjen “kur shkelja nuk përbën vepër penale”, të paplotësuar më tej me përcaktimin e qartë të ndonjë kriteri dallues me veprat penale.
Kjo duhet marrë parasysh edhe në rastin e përfshirjes së veprave penale mjedisore të reja në legjislacion për përcaktimin e saktë të kritereve midis kundravajtjes administrative dhe veprës penale.
Rol kryesor në parandalimin e këtyre veprave penale luan edhe forcimi i kapaciteteve administrative kontrolluese të cilat janë të domosdoshme për të siguruar zbatimin sa më efektiv të ligjit. Po aq i rëndësishëm është edhe trajnimi i vazhdueshëm i punonjësve të autoriteteve përkatëse që merren me kontrollin e zbatimit të ligjit. Trajnimet e vazhdueshme e të përditësuara për kualifikimin e stafit duhet të shërbejnë për sjelljen e ndryshimeve të mëdha lidhur me zbatimin në praktikë të legjislacionit mjedisor.
ENKELA HOXHA
Departamenti i Menaxhimit të Turizmit Rural, Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.