Photo credit: Jordi Chias

“Ghost fishing”, rreziku i padukshëm që i kanoset ekosistemeve detare

Peshkimi fantazmë (ghost fishing) është një term i cili përdoret për të shpjeguar zënien e organizmave detarë nga veglat e braktisura të peshkimit. Çdo vit rreth 650.000 ton vegla peshkimi braktisen ose hidhen në oqeane dhe më tepër se 130.000 delfinë, balena dhe foka ngecin në këto vegla të braktisura. Sipas një raporti të FAO-s këto vegla përbejnë rreth 10 % të ndotjes në dete dhe oqeane.

Problematika kryesore që i shoqëron veglat e braktisura është se duke qenë të ndërtuara nga materiale sintetike, ato nuk shpërbëhen lehtë. Në të kaluarën veglat e peshkimit ndërtoheshin nga materiale organike, lehtësisht të degradueshme, si pambuku, kërpi, etj., ndërsa në ditët e sotme ato ndërtohen kryesisht nga materiale sintetike, mjaft rezistente dhe që kërkojnë një kohë të gjatë degradimi.

Këto “mjete peshkimi fantazmë”, të braktisura me qëllim nga peshkatarët ose të zhvendosura nga rrymat e forta ujore, vazhdojnë të peshkojnë dhe të dëmtojnë habitatet detare prej vitesh madje edhe prej dekadash, pas hedhjes së tyre në ujë.

Veglat fantazmë kanë një impakt ekologjik dhe ekonomik të rëndësishëm. Edhe pse të braktisura, ato vazhdojnë t’a kryejnë funksionin e tyre, të peshkojnë peshq dhe kafshë të tjera si breshkat dhe gjitarët e detit të cilët ngecin dhe ngordhin në brendësi të këtyre “kurtheve”.

Ndërsa fillojnë dhe degradohen, këto ndotës plastikë gëlltiten nga breshkat dhe nga llojet e tjera duke u akumuluar në stomakun e tyre dhe me tej duke u transferuar në zinxhirin ushqimor në formën e mikroplastikës. Këto vegla mund të shkaktojnë gjithashtu alternime dhe dëmtime të fundeve detare dhe të habitateve të veçanta të mjedisit ujor, si barrierat koralore dhe livadhet me posedonia. Ky impakt ekologjik shoqërohet me efekte financiare për vendet respektive si pasojë e dëmtimeve që ato shkaktojnë dhe si pasojë e kostos së lartë që ka rekuperimi i tyre.

Sasia e veglave të braktisura në fundet detare do të vijë duke u rritur dhe impakti i tyre në ekosistem do të përkeqësohet dhe si rrjedhojë strategji të ndryshme duhet të zhvillohen nga organizmat ndërkombëtarë për ta zgjidhur këtë problematikë dhe për të zvogëluar efektet e saj.

Mekanizma të ndryshëm janë identifikuar si mundësi për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike; incentivat financiare për raportimin e veglave të humbura, markimi i veglave të peshkimit për identifikimin e personave përgjegjës për ndotjen, zhvillimi i teknologjive të reja për ta bërë më të thjeshtë lokalizimin e tyre pas braktisjes dhe zhvillimin e materialeve të biodegradueshme.

Në kuadër të pastrimit të bregdetit nga veglat e peshkimit të braktisura edhe në vendin tonë janë marrë iniciativa të ndryshme, kryesisht nga peshkatarët sportivë dhe nga zhytësit të cilat kanë luajtur rol në ndërgjegjësimin e opinionit publik lidhur me këtë problematikë. Ndotja e shkaktuar nga veglat e peshkimit është një problematikë globale e cila i tejkalon kufijtë gjeografikë të vendeve.

 

Elvis Kamberi
Departamenti i Akuakulturës dhe Peshkimit, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

 

Na Ndiqni në: