Bujqësia vijon të mbetet një sektor me rëndësi pavarësisht proceseve transformuese ekonomike që kanë karakterizuar vendet e Ballkanit. Ashtu si edhe për vendet e rajonit, një problem për bujqësinë shqiptare mbetet financimi i prodhimit në kuadrin e dinamikave të reja demografike dhe kërkesës për ushqim. Megjithë përqëndrimin e lartë gjeografik, rajonizimin dhe specializimin gjatë dekadave duke përfaqësuar tashmë një industri bujqësore të konsoliduar, fermerët prodhues në serra në rajonin e Lushnjës, vitet e fundit janë ballafaquar me specifika të reja dhe sfiduese.
Ndërsa përballen me shqetësimet në rritje lidhur me praninë e kapitalit human dhe social dhe kapacitetin e kufizuar të stimujve nga agjencitë publike, fermerët synojnë një stad të ri zhvillimor për funksionimin dhe financimin e këtij aktiviteti. Megjithatë problemi i financimit të kësaj industrie mund të justifikohet përmes dy kufizimeve objektive: (1) së pari nga nevoja për instrumenta të rinj sektorialë bazuar në burimet e rajoneve, gjë e cila kërkon ekspertizë dhe më shumë burime për kërkimin dhe së dyti (2) lidhet me vështirësitë e njohura për çdo program buxhetor shtetëror për të siguruar financim për sektorë të rinj.
Nga kjo pikëpamje do të ishte e arsyeshme të eksploroheshin mundësi të reja për përfshirjen e më shumë aktorëve, agjencive publike dhe niveleve institucionale për të mobilizuar më shumë burime duke rritur partneritetet, kohezionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajoneve. Financimi i sektorit të serrave ndikohet nga ndikimi i faktorëve tradicionalë në bujqësi si kapitali human dhe kapitali social por edhe nga nevoja për një prani më të madhe të institucioneve qendrore–lokale dhe impulseve të një niveli të ri zhvillimor; në këtë kuadër partneritetet–publike–private (PPP).
Foto 1. PPP–të në sektorin bujqësor
Objektiv i studimit është të analizojë ndikimin e PPP–ve së bashku me faktorë të tjerë tradicionalë si kapitali human dhe kapitali social për rritjen e mundësive të financimit, duke ilustruar me një rast studimor nga fermerët prodhues të produkteve bujqësore në serra, në zonën kryesore të prodhimit në serra në rajonin e Lushnjës, Shqipëri.
Procedura e matjes është realizuar në rajonin kryesor të prodhimit në serra në Lushnjë, bazuar në zgjedhjen e rastit brenda zonës. Pas sigurimit të një numri të gjerë të dhënash, përmes intervistimit është përcaktuar metodologjia sipas metodës së probabilitetit linear dhe logit binare. Rezultatet provojnë se kapitali human nuk ndikon në mundësitë për financim të fermerëve, ndërsa PPP–të dhe kapitali social kanë një ndikim sinjifikant për rritjen e tyre.
Studimi kontribuon teorikisht në debatin gjithëpërfshirës bashkëkohor duke e analizuar problemin e financimit bujqësor në dritën e një epoke të re zhvillimore në agro–industritë me prani të lartë të elementëve të ekonomive të shkallës duke nënvizuar ndikimin e PPP–ve në sektorin bujqësor.
Kapitali social dhe PPP–të rezultojnë faktorë me ndikim për rritjen e financimit të fermerëve dhe modeli logit përmes përsëritshmërisë rikonfirmon ndikimin sinjifikant të PPP–ve për rritjen e mundësive të financimit, në rastin e fermerëve prodhues në serra me më shumë se 1.4 herë (~ 1.43). Gjetjet mund t’ju shërbejnë praktikisht operatorëve dhe institucioneve sipas niveleve, duke nxitur për prani të shtuar të aktorëve të rinj në kuadrin e politikave rajonale sektoriale.
Në vijim, revista shkencore ku është publikuar artikulli dhe siti:
Bulgarian Journal of Agricultural Science, Vol. 25 (No 3) 2019, pages 468–473 (https://www.agrojournal.org/25/03-06.html)
Prof. Asoc. Rezear KOLAJ, PhD
Departamenti i Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.