Djathi i Gjirokastrës, një vlerë e shtuar në dietën tonë ushqimore

Qumështi dhe produktet e tij janë pjesë e grupit të ushqimeve bazë të dietës sonë të përditshme. Megjithatë, produktet e sotme të qumështit (dhe nënproduktet e tij) bëhen çdo ditë e më tepër jo të përshtatshme me kërkesat e tregut dhe preferencat e konsumatorëve shqiptarë. Lloji i produkteve të qumështit varet nga qasja dhe përfaqësimi i llojeve të veçanta të kafshëve. Qumështi i kafshëve të ndryshme dallohet nga përbërja, madje kanë edhe sasi të ndryshme uji, yndyre, karbohidratesh, proteinash dhe mineralesh. Këto sasi të ndryshueshme në fakt janë pikërisht ato që ndikojnë në shijen e qumështit dhe nënprodukteve të tij si edhe në vlerat e tyre ushqyese dhe për pasojë në preferencat e konsumatorëve. Këta të fundit gjithmonë e më shumë preferojnë djath gjirokastre për shkak të emrit të mirë që gëzon në treg dhe për vetë historinë që mbart. Shoqata ‘’Delija’’, ndër të parat shoqëri eksportuese në vitin 1928 ka eksportuar deri në Amerikën e largët djathin e bardhë të Gjirokastrës. Në qarkun e Gjirokastrës janë të pranishme tri fabrika me teknologji mesatarisht të përparuar në lidhje me përpunimin e qumështit dhe 27 punishte sezonale (Drejtoria e Bujqësisë, Gjirokastër, 2018). Këto punishte janë të vendosura më tepër në zonat rurale dhe teknologjia e tyre bazohet në mjete primitive. Në këto kushte vihet në diskutim sistemi i sigurisë së ushqimit, siç janë sistemet GMP, ISO, HACCAP etj. Specialiteti i këtyre fabrikave dhe punishteve sezonale është prodhimi i djathit të bardhë në 62%, pastaj renditet djathi kaçkavall 18%, gjalpi 10% e 10% produkte si gjizë apo kos (Drejtoria e Bujqësisë, Gjirokastër, 2019).

Burimet financiare kryesore në qarkun e Gjirokastrës për sektorin blegtoral janë tre:

  • Burime personale të investuesve – 60%
  • Kredi bankare – 35%
  • Fonde të tjera – 5%

Investimet kryesisht janë bërë nga burimet private të pronarëve të fabrikave dhe baxhove sezonale. Një sasi e vogël është marrë në formën e kredive bankare, ndërsa pjesa tjetër në formën e subvencioneve të ndryshme nga shteti apo organizma jofitimprurës (Drejtoria e Bujqësisë, Gjirokastër, 2019).

 

Jonida Avdulaj
Pedagoge pranë Departamentit Drejtim Agrobzinesi, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.

koment

  • Pershendetje

    Djathi i Gjirokastres jo gjithmone mund te jete nje vlere e shtuar per shendetin,sepse disa analiza nga AKU,kane konstatuar mbetje te demshme ne procesin e prodhimit dhe fermentimit te ketij produkti,saqe u eshte ndaluar edhe ta eksportojne jashte vendit per arsye te tilla!
    Megjithate,si produkt autentik i vendit meriton me shume vemendje,pasi prodhimi eshte akoma ne mase.

Na Ndiqni në: