Photo: Euractiv.com

Konkurueshmëria midis figurave dhe metaforave; a janë fermerët prodhues të mollëve mjaft konkurrues?

Ka një shqetësim në rritje mbi konkurueshmërinë kudo dhe më veçanërisht midis fermerëve. Kërkimi fokusohet në konkurueshmërinë ose aftësinë për të konkurruar të fermerëve të vegjël prodhues të mollëve në rajonin e Dibrës, në Shqipëri. Dibra ka më shumë se 500,000 pemëfrutorë të mollëve të mbjella në më shumë se 460 ha që përfshijnë varietetet Golden, Starking dhe Granny Smith. Bazuar në karakteristikat e përshtatshme klimatike–tokësore, zhvillimi i hortikulturës në zonë ka qenë tradicionalisht i spikatur.

Kultivimi i mollëve përfaqëson një aktivitet me rëndësi të madhe krahasuar me veprimtaritë e tjera dhe është midis frutave kryesore për nga rëndësia për fermerët në Shqipëri. Rritja e sasive të prodhimit të mollëve ka ardhur nga rritja e sipërfaqeve të mbjella por edhe nga rritja e produktivitetit (Faostat, 2018). Rritja e këtij të fundit është ndikuar nga përdorimi i kultivarëve dhe teknologjive të reja, përdorimi i shtuar i plehërave kimikë, stimuluesve dhe aditivëve të ndryshëm, etj.

Për më tepër, efektet rritëse të përqëndrimit e specializimit të fermerëve dhe ofruesve të shërbimeve bujqësore, kanë çuar në përmirësimin e asistencës teknike dhe metodave, duke filluar nga punimi i tokës e deri tek trajtimet e pas–vjeljes dhe ruajtjes së produktit. Ka një lidhje pozitive midis produktivitetit në bujqësi dhe efekteve plotësuese të prodhimit të fermës me prirje ndaj ekonomisë së shkallës dhe specializimit të përgjithshëm. Megjithatë, rritja e prodhimit të mollëve nënvizon nevojën në rritje për tregje funksionale shitjeje, të cilat shpesh nuk kanë mundur dot të tërheqin të gjithë furnizimin, duke çuar në të ardhura të parealizuara dhe në rritje të humbjeve financiare të fermerëve. Arsyet për këto zhvillime lidhen me arsye të gjera e çështje komplekse për shkak të shumëllojshmërisë e ndërvarësisë mes tyre.

Foto 1. Marrëveshja e Gjelbër në Evropë — nxitëse për konkurueshmërinë (ilustrim).

Burimi: Euractiv.com

Qëllimi i studimit është të vlerësojë nivelin e konkurueshmërisë së fermerëve dhe të identifikojë faktorët kryesorë që përcaktojnë dhe ndikojnë fermat në rastin e fermerëve prodhues të mollëve në Shqipërinë verilindore, në rajonin e Dibrës. Për kryerjen e studimit janë përdorur të dhëna parësore të siguruara përmes vëzhgimit të drejtpërdrejtë me fermerët dhe më tej metoda statistikore të tilla si grupimet, statistikat përshkruese, grafikët dhe metoda statistikore të tilla si korrelacioni jo–parametrik.

Për të analizuar konkureshmërinë, janë përdorur të dhëna sipas kategorizimit të vështirësive dhe problemeve me të cilat ballafaqohen fermerët gjatë shitjes së prodhimeve të tyre. Studimi zbulon një aftësi shumë të ulët për të konkuruar të femerëve dhe arsye kryesore për këtë janë: konkurenca e padrejtë e funksionimi i tregut, kostot e larta të prodhimit e marketingut, mungesa e mbështetjes shtetërore dhe më veçanërisht për përdorimin e inputeve cilësore dhe subvencioneve të çmimeve, burimet shumë të kufizuara për të marrë hua për kapital investimesh dhe kapital pune, por deri diku edhe për shkak të zvogëlimit të fuqisë negociuese për shkak të mungesës së informacionit dhe mungesës së veprimit kolektiv. Me qëllim rritjen e aftësisë së fermerëve për të konkurruar, janë rekomanduar rrugë të mundshme për përmirësimin e situatës.

 

Prof. Asoc. Rezear KOLAJ, PhD
Departamenti i Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.

Materiali është publikuar në revistën shkencore:
Bulgarian Journal of Agricultural Science, Vol. 27 (Suppl. 1) 2019, pages 31–43 (https://www.agrojournal.org/27/01s-05.pdf)

Na Ndiqni në: