Photo by JESHOOTS.COM on Unsplash

Disa situata dilematike etike të natyrës social – ekonomike e mjedisore në vendin tonë

“Erozioni” në Etikën Bujqësore është një artikull modest e ndërgjegjësues dhe mundëson diskutime dhe dhënie mendimesh për një fushë pak të adresuar, siç është etika bujqësore.

Kjo tematikë do të ndahet në 4 artikuj me të cilët do të njiheni në vijimësi. Në median online UBgreen.al do të mund të lexoni në ndarjet e sipërpërmendura temat e mëposhtme:

  1. Koncepte të përgjithshme për etikën bujqësore
  2. Çështje të etikës bujqësore që shtrohen për diskutim në aspektin global
  3. Disa situata dilematike etike të natyrës social – ekonomike e mjedisore në vendin tonë
  4. Sfidat për të ardhmen

Dilema etike të një karakteri socialo-ekonomik por që ndërthuren edhe me atë mjedisor janë të pranishme sot kudo në botë. Në vendin tonë probleme të ngjashme me një spektër më të vogël veprimi, por që lypset të adresohen sa më parë, mund të përmendim: Prodhim përballë shpërdorimit të produkteve të pashitura “Stoqe” dhe konfuzion përballë kërkesave të tregut.

A është Etike?

Të hedhësh në “kanale” produkte të prodhuara me mundin e madh të familjeve fermere kur pavarësisht formulës kërkesë-ofertë, politikat bujqësore dhe informacioni në kohë reale duhet të orientojë shumë më mirë fermerët për evitimin e “mbingopjes apo urisë së tregut”, shmangien e konfuzionit si dhe “koordinimin” me zonat ku këto produkte kërkohen? Apo të shohësh prodhimet e tejbollshme bujqësore në zona të caktuara dhe përballjen me një infrastrukturë mjerane që privon dhe bllokon kalimin e tyre në destinacionet e duhura? Pra, bollëk prodhimesh në disa zona, kërkesë për to në zona të tjera si pasojë e problematikave në transport, mosorientim dhe informim.

Depopullim të zonave rurale përballë “vlerave të humbura”

A është Etike?

Të depopullohen zonat rurale, në shumë raste në formën e një Eksodi, nga mungesa e infrastrukturës rrugore, aksesit për ujitje, alternativave të punësimit etj, kur natyra e mrekullueshme dhe prodhimet tona tradicionale janë asete aq të vlerësuara? Aq më tepër kur rinia e migruar nga fshati në qytete përballet me papunësi dhe mos-strehim? Shembujt e fshatrave të braktisur apo edhe fenomeni i “feminizimit” të bujqësisë dhe “pleqërisë aktive” të përkushtuar me vështirësi në punë bujqësore, në mungesë të të rinjve të cilët dynden drejt zonave urbane dhe emigracionit, po bëhet jo vetëm i mprehtë por edhe i dhimbshëm.

Fshati Lavdar i vjetër, Korçë. “Fshati që u zbraz për një copë rrugë” Referuar Beqiraj. R. 2018

Gjithësesi rikthimet dhe iniciativat e agroturizimit janë një dritë jeshile, shpresëdhënëse për zbutjen e këtij fenomeni: Të rinj ambiciozë, punëtorë të ardhur nga emigracioni apo djem e vajza të familjeve fermere kanë ngritur mrekullitë e tyre të agroturizmit në mjaft zona, sigurisht në një pjesë të konsiderueshme me mbështetje nga shteti. “Programi i 100 fshatrave”, një iniciativë e sukseseshme por që në disa raste, përsëri aspekti partiak i preferencave rrezikon të jetë prezent.

Shqetësimi për mjedisin është një çështje me një dimension etik, mjaft të gjerë dhe të mprehtë.

“Kriza ekologjike” nuk është më një parashikim. Njeriu bëhet gjithnjë e më i vetmuar dhe jeta jonë gjithnnjë e më vulnerabël. Thyerja e lidhjes sonë me natyrën mund të krahasohet me “prerjen” e thelbit të jetës, prerjen e kërthizes, me enët e gjakut të nënës dhe më pas, është e pashmangshme fatkeqësia e “mbajtjes së fetusit të vdekur’’ (Xiangrong. L. Chinese Ethic Institute).

Një sërë problemesh etike të karakterit mjedisor janë specifike edhe për vendin tonë si:

  • Humbja dhe degradimi i tokës përballë shifrës 0,2 ha/banorë tokë bujqësore

A është Etike?

Të jemi një nga vendet më të prekura në Evropë nga degradimi i tokës kur njëkohësisht jemi vendi me më pak tokë bujqësore/ për banorë ?

Pavarësisht pozicionit gjeografik, intensitetit dhe shpërndarjes së reshjeve, ne humbasim çdo vit rreth 20 ton/ha tokë në 70 % të territorit të vendit, për arsye të keqmenaxhimit, mungesës së sistemeve të integruara të menaxhimit, mungesës së penaliteteve për degraduesit dhe ndotësit, insentivave si dhe një ndërgjegjësimi publik të pamjaftueshëm. Përsa i përket pyjeve, referuar Brahushi.F, 2019, “Erozioni në Shqipëri”, sipas Global Forest Ëatch, në 13 vitet e fundit sipërfaqja pyjore është zvogëluar me 32 760 ha, pasojë e fenomeneve të prerjeve, djegieve dhe keqmenaxhimit etj.

Ne nuk mund të zhbëjmë të kaluarën por jemi në kohë të mbrojmë të ardhmen dhe hapi më i rëndësishëm drejt kësaj të ardhmeje për mjedisin është dhe duhet të jetë edukimi mjedisor.

  • Banesat shumëkatëshe përballë lumenjve të “sakatosur” nga gërryerja me eskavatorë

A është Etike?

Të gërryesh lumenjtë pa asnjë lloj kriteri për të ndërtuar banesa shumëkatëshe, kur erozioni dhe shkatërrimi i mjedisit është jo vetëm prezent por po merr përmasa të frikshme? Apo të ndërtosh pa leje në infrastrukturën ujitëse, kulluese dhe të mbrojtjes nga përmbytja?

Aspekti social – ekonomik përballë dëmtimit mjedisor duket sikur “vë në siklet” pushtetarët por zgjidhja etike në këtë rast nuk ka dilema: Zbatim ligji dhe ndal “makutërisë”!

  • Produkte “të ndotura” përballë mosbllokimit të tyre si rrjedhojë e mangësisë në kontrolle e penalitete.

A është Etike?

Mos “bllokimi” i produkteve të ndotura, të trajtuara jashtë kritereve, me plehra kimike, pesticide dhe hormone kur kontrolli permanent, korrekt dhe i besueshëm nga strukturat përgjegjëse në tregjet e shumicës dhe në destinacionin e fundit, në markete e supermarkete është mëse i mundshëm?! Kooperimi bujqësor nëse arrihet me parametrat e duhur, sjell edhe ai zgjidhjen në këtë rast: Prodhimi, përpunimi dhe tregtimi përqendrohet brenda kooperativës dhë në këtë mënyrë krijohen kushte shumë të favorshme për gjurmueshmërinë dhe garantimin e sigurisë ushqimore për konsumatorin.

Produktet e “ndotura” sjellin, mosbesim e çorientim të konsumatorëve për përdorimin e tyre.

  • Përmbytjet, thatësira, breshri, zjarret etj, përballë fermave pa siguracion.

A është Etike?

A është etike që përballë ngjarjeve të tilla që shpesh çojnë në falimentim apo dëmtim serioz të fermerëve, të kemi një përqindje “mikroskopike” të fermave që janë të siguruara nga kompanitë e sigurimeve? Siguracioni në bujqësi është një “domosdoshmëri”. Kompanitë e sigurimeve kanë tarifat e tyre fikse por duhet të merren në konsideratë nga shteti edhe mekanizma ndihmës, mbështetës, motivues e ndërgjegjësues në këtë drejtim. Pengesat kryesore janë: Mosformalizimi i fermave që ato të mund të përfitojnë lehtësira (një përqindje e pakët e tyre janë të formalizuara) dhe “primi’ i lartë i sigurimeve, gjë që demotivon fermerin për t’u siguruar vullnetarisht. Hapa pozitivë të MBU në skemën e subvencioneve. Zgjidhja shihet tek formalizimi i fermës dhe mbështetja e mbulimit të pjesshëm të “primit” nga shteti. Sidoqoftë sigurimi nevojitet për të gjithë zinxhirin agroushqimor dhe jo vetëm për prodhimin.

Zinxhiri i “grabitjes” së fermerit dhe qytetarit: Hallka e tregtarëve të shumicës përballë mundësisë së kooperimit bujqësor dhe ngritjes së SHBB-ve

A është etike?

Fermeri i strapacuar (stërmunduar) gjatë vitit në punë t’i shesë produktin tregtarit të shumicës me një çmim minimal dhe po ky produkt t’i ofrohet në fund të këtij zinxhiri, qytetarit me 5 fishin e çmimit fillestar? Vetë fermeri gjendet i pafuqishëm kundrejt ultimatumit të tregtarit që cakton çmimin: “Kaq mund ta blej, po deshe sille po deshe hidhe!’’

Por nëse fermerët bashkëpunojnë në sipërmarrje kooperativiste, ata përqëndrojnë në duart e tyre hallka të tjera të zinxhirit agroushqimor, deri edhe shitjen tek konsumatori, duke shmangur ndërmjetësit dhe duke përfituar vlerën e shtuar të produktit.

Kooperimi bujqësor, nëpërmjet ngritjes dhe konsolidimit të SHBB-ve (të parat u ngritën që në vitin 2012) është mëse i mundur. Këto “struktura të brishta” për një sërë arsyesh, nuk mund të arrijnë të funksionojnë si duhet nëse shteti nuk aplikon masa mbështetëse si përfitime fiskale, grante/ kredi të zbutura, lehtësira në aksesin e shërbimeve dhe programeve publike.

Lehtësirat në skemën e subvencioneve, janë pozitive por aspak të mjaftueshme dhe është fakt që megjithëse numri i SHBB-ve të rregjistrura sjell nota optimiste, ato që funksionojnë realisht, janë shumë të pakta.

 

Prof. Dr. Tatjana DISHNICA
Departamenti i Mjedisi dhe Burimeve Natyrore, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: