Sipas agjencisë së qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës NOAA (National Oceanic and Atmospheric Administration), nivelet e dy gazeve serë antropogjene më të rëndësishëm, dioksidi i karbonit dhe metani, patën rritje në mënyrë të pandërprerë përgjatë vitit 2020 pavarësisht ngadalësimit ekonomik të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Sipas të dhënave të publikuara nga NOAA, mesatarja globale e dioksidit të karbonit (CO2) ishte 412.5 pjesë për milionë (ppm) në vitin 2020, duke u rritur me 2.6 ppm përgjatë këtij viti. Megjithatë recesioni ekonomik u vlerësua të ketë ulur çlirimet e karbonit me rreth 7 përqind përgjatë vitit 2020. Pa ngadalësimin ekonomik, rritja e vitit 2020 do të kishte qenë më e larta e regjistruar ndonjëherë.
Tashmë, përqendrimi iCO2në atmosferë është i krahasueshëm me atë që ishte gjatë Periudhës së Ngrohtë të Pliocenit të Mesëm rreth 3.6 milion vjet më parë, kur përqendrimet e dioksidit të karbonit varionin nga rreth 380 në 450 pjesë për milion. Gjatë asaj kohe niveli i detit ishte rreth 24 metra më i lartë se sa sot dhe temperatura mesatare ishte rreth 4 gradë Celsius më e lartë se në kohën para-industriale(përpara vitit 1850).
Gjithashtu analiza e mostrave të vitit 2020 tregoi një rritje domethënëse në përqëndrimin e metanit në atmosferë, i cili është shumë më pak i bollshëm në atmosferë, por 28 herë më i fuqishëm se CO2 në bllokimin e nxehtësisë për një periudhë kohore 100-vjeçare. Analiza paraprake e NOAA tregoi se rritja vjetore e metanit atmosferik për vitin 2020 ishte 14.7 pjesë për miliard (ppb) dhe është rritja më e madhe vjetore e regjistruar që nga fillimi i matjeve sistematike në vitin 1983.
Përqëndrimi mesatar global i metanit për muajin dhjetor 2020 në muajin e fundit për të cilin janë analizuar të dhënat, ishte 1892,3 ppb. Kjo do të përfaqësonte një rritje prej rreth 119 ppb ose 6 përqind, që nga viti 2000.
Metani në atmosferë çlirohet nga shumë burime të ndryshme siç janë përdorimi i lëndëve djegëse fosile, dekompozimi i lëndës organike në ligatinat dhe si një nënprodukt i blegtorisë. Analiza paraprake e përbërjes izotopike të karbonit në molekulën e metanit tek mostrat e ajrit të marra nga NOAA, tregon se ka të ngjarë që një nxitës kryesor i rritjes së çlirimeve të metanit vjen nga burimet biologjike të metanit si p.sh. ligatinat apo bagëtia, sesa nga burimet termogjene si prodhimi dhe përdorimi i naftës dhe gazit.
Edhe pse rritja e çlirimeve të fosileve mund të mos jetë plotësisht përgjegjëse për rritjen e fundit në nivelet e metanit, ulja e çlirimeve të metanit fosil është një hap i rëndësishëm drejt zbutjes së ndryshimeve klimatike. Aktualisht qëllimi botëror i vendosur nga Marrëveshja e Parisit është të kufizojë ngrohjen globale në një rritje nën 2 gradë Celsius, mundësisht në 1.5 gradë Celsius, krahasuar me nivelet para-industriale.
Tejkalimi i ngrohjes globale me 2°C, do të rezultonte në valë të të nxehtit ekstrem dhe thatësira më të zgjatura, ciklone tropikale më intensive, zjarre e ngjarje më të shpeshta të reshjeve ekstreme. Të gjitha këto do të kishin ndikime të mëdha tek biodiversiteti dhe ekosistemet me humbje dhe zhdukje të specieve dhe rritje të rreziqeve që lidhen me shëndetin e njerëzve, jetesën e tyre, sigurinë ushqimore, furnizimin me ujë dhe rritjen ekonomike. Ndërkohë pika e ndryshimeve të pakthyeshme të sistemit klimatik është shumë afër prandaj koha për të vepruar është shumë e shkurtër.
Adri Erebara
Departamenti i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.