Delfinët, këto kafshë inteligjente

Në periudhën e pandemisë, në brigjet shqiptare u vu re një prani e shtuar e delfinëve, të cilët shpesh shoqërojnë varkat e peshkatarëve apo dhe anije të ndryshme. Njëkohësisht janë parë edhe raste të balenave të cilat futen në ujërat e Adriatikut gjatë periudhës prill-maj dhe ushqehen me plankton.

Delfini po rrezikon të zhduket nga deti Adriatik dhe është në listën e kuqe të specieve të rrezikuara të Adriatikut. Ata janë gjitarë deti, më të dashurit për njeriun dhe njihen si kafsha e tretë më e mençur në botë. Shpesh shihen duke u hedhur mbi ujë duke dhuruar spektakle të mrekullueshme.

Po cilët janë llojet e delfinëve në detin Adriatik? Delfinët janë rreth 43 lloje në planet, dhe 38 prej tyre jetojnë në dete e oqeane ndërsa 5 në lumenj. Në bregdetin shqiptar janë 4-5 lloje delfinësh që janë të spikatur. Më i zakonshmi dhe më i studiuari, që edhe është parë më shpesh gjatë kësaj kohe për pjesën e Adriatikut është delfini hundëshishe apo ndryshe delfini hundështypur (Tursiops  truncatus).

Ai është edhe lloji më i shoqërueshem me njerëzit, për të vijuar me delfinin e zakonshëm që është parë më rrallë, pra (Delphinus delphis); delfini me shirita (Stenella coeruleoalba); delfini i Risos (Grampus griseus) dhe delfini dhëmbëashpër (Steno bredanensis). Delfinët mund të jetojnë në grupe deri mbi 1 mijë individë por mund të jetojnë dhe vetëm. Zakonisht ato i gjejmë në 2-9 m thellësi dhe kryesisht preferojnë dete të ngrohtë me klimë mesdhetare por ka dhe lloje që jetojnë në ujëra të ftohta. Delfinët, kurrizin e tyre e kanë me ngjyrë gri në blu dhe barkun me ngjyrë të bardhë në gri të lehtë por në botë jetojnë dhe lloje me ngjyra të ndryshme. Ata mund të jenë blu, të zinj, të bardhë, të kaltër por edhe rozë. Delfinët rozë njihen si delfinët e lumit të Amazonës. Jeta e një delfini është mesatarisht 20 vjet por ka shumë raste që tregojnë se ata jetojnë nga 50 deri 100 vjet. Ata ushqehen kryesisht me peshq. Delfini me i vogël në botë është lloji Maui i cili jeton në ujërat e Zelandës së Re, ku gjatësia e femrës arrin 1,7 m. Përmasat e delfinëve variojnë nga 1,2 deri në 9,5 m gjatësi.

 

Dr. Enkelejda Buda
Departamenti i Akuakulturës dhe Peshkimit, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT

 

Na Ndiqni në: