©premier1supplies

Çfarë është kulloshtra dhe cilat janë benefitet e saj?

Kulloshtra është qumështi i parë i prodhuar nga kafshët femra menjëherë pas pjelljes. Ajo ka konsistencë më të trashë dhe ngjyrë më të verdhë se qumështi normal dhe përmban sasinë e plotë të antitrupave që ndihmojnë në mbrojtjen e kafshëve të sapolindura nga infeksionet. Kulloshtra ka dhe efekt laksativ që ndihmon për të hequr porcionet e para të jashtëqitjeve (mekoniumin) të formuar te fetusat. Kulloshtra ndihmon edhe për të mbajtur qengjin apo kecin ngrohtë, sepse është e pasur me energji. Ajo është lehtësisht e tretshme dhe kjo ndihmon qengjin apo kecin të forcohet dhe të rritet ndërsa gjithashtu mund të bëjë mrekulli në kafshët e sapolindura dhe të dobëta.

Nëse kulloshtra nuk merret nga të vegjëlit në sasinë e mjaftueshme në orët e para të jetës, ata do të jenë shumë të ndjeshëm ndaj infeksioneve për muajt në vijim.

Duhet ditur se qengjat apo kecat “jetim” ose që nuk kanë marrë kulloshtër në sasi të mjaftueshme në orët e para të jetës, janë të prirur për të ngordhur. Ata janë shumë të ndjeshëm ndaj infeksioneve që shoqërohen me diarre dhe/ose me pneumoni.

Kur duhet dhënë kulloshtra si ushqim dhe sa?

Është shumë e rëndësishme që çdo qengj apo kec të marrë kulloshtër gjatë 24 orëve të para të jetës. Teorikisht të vegjëlit duhet të marrin një ushqim të mirë kulloshtre në intervalin midis 1 orë dhe 6 orë pas lindjes. Pas kësaj kohe, aftësia e zorrëve për të absorbuar antitrupat e kulloshtrës zvogëlohet me shpejtësi.

Norma e të ushqyerit për qengjat dhe kecat është 50 ml kulloshtër për çdo kg të peshës trupore.

Foto 1: Qengjat e shëndetshëm kapin shpejt gjirin dhe pijnë qumësht.

Është mirë që qengjat apo kecat e sapolindur të lihen të pijnë kulloshtër natyrshëm nga nënat e tyre. Procesi i pirjes së porcioneve të para të kulloshtrës duhet të mbikqyret pa shkaktuar shqetësime. Kjo bëhet për t’u siguruar që qengji apo keci ka gjetur në kohë gjirin e nënës, gjiri është i pastër, në pozicionin e duhur dhe kafshët po ushqehen e jo vetëm humbin kohën duke ‘’pretenduar” se ushqehen dhe “kënaqen” duke tundur bishtin.

Kulloshtra ndryshon shpejt në cilësi. Cilësia e saj zvogëlohet mjaft shpejt pas lindjes. Duhet treguar kujdes se disa kafshë prodhojnë kulloshtër me cilësi më të mirë se të tjerat.

Foto 2: Të vegjël që ushqehen me shishe (biberon).

Në rastet kur qengjat apo kecat nuk janë në gjendje të ushqehen natyrshëm te gjiri i nënës, ata duhet të ushqehen me shishe (biberon) ose me tub direkt në stomak.

 

Foto 3: Injektor i adoptuar me tub për të ushqyer të vegjlit me kulloshtër nga goja.

 Rekomandimet e mëposhtme zbatohen kur kulloshtra jepet me shishe (biberon) ose me tub direkt në stomak.

Në varësi të madhësisë së trupit, qengjat apo kecat e sapolindur duhet të marrin rreth 100 – 200 ml kulloshtër për çdo vakt ushqimi (ose 600 ml në total në 12 orët e para të jetës). Kafshët me peshë të madhe (mbi 5 kg) duhet të marrin deri në 1500 ml sasi të përditshme. Sasi të tillë kulloshtre mundet të prodhojnë delet e ushqyera mirë. Qengjat, nënat e të cilëve nuk prodhojnë sasinë e duhur të kulloshtrës mundet të kenë nevojë për të plotësuar të ushqyerit e tyre.

Të ushqyerit me kulloshtër duhet të vazhdojë për të paktën 3 ditë.

Për të plotësuar sasinë e ushqimit te kafshët e sapolindura, mund të përdoret kulloshtër pluhur e cilësisë së mirë, duke respektuar udhëzimet e përdorimit në qesen e ambalazhit!

Në të gjitha rastet kur përdoret ushqim plotësues, duhet treguar kujdes dhe të vëzhgohen qengjat apo kecat për shtesën e peshës dhe cilësinë e feçeve. Kur vërehen shtesa të pakta peshe, diare ose kapsllëk duhet ndryshuar menjëherë natyra e ushqimit plotësues.

Qengjat apo kecat e ushqyer me sasi minimale kulloshtre dhe me qumësht lope (nganjëherë kjo dhe e holluar me ujë për të ulur shpenzimet !) zakonisht nuk ngordhin, por nuk rriten shumë mirë.

Cila kulloshtër është më e mira?

Foto 4: Grumbullimi i kulloshtrës së tepërt

Pa dyshim, kulloshtra më e mirë është kulloshtra e kafshës nënë dhe për këtë arsye qengji apo keci duhet lënë të ushqehet te nëna e tij në mënyrë të natyrshme. Megjithatë në rastet kur qengjat apo kecat janë shumë të dobët për të thithur gjirin e për t‘u ushqyer natyralisht, kulloshtra duhet të tërhiqet (milet) nga nënat e tyre ose nga delet apo dhitë e tjera të sapolindura dhe të ushqehen të vegjlit me shishe (biberon) ose me tub direkt në stomak.

Nëse keni ruajtur kulloshtër deleje apo dhije në frigorifer, mos e shkrini atë asnjëherë në furrë me mikrovalë, pasi kjo do të shkatërrojë antitrupat.

Në rastet kur nuk mund të sigurohet kulloshtër nga delet apo dhitë, atëhere për të ushqyer qengjat apo kecat mundet të përdoret kulloshtër nga lopë të sapolindura.

Përpiquni të merrni kulloshtër nga delet për qengjat apo nga dhitë për kecat përpara se të provoni të përdorni kulloshtër nga lopët.

Zëvendësuesit e kulloshtrës, madje dhe cilësore mund të blihen, por është e rëndësishme që të përdoren vetëm llojet e kulloshtrës që përmbajnë antitrupa.

Kujdes nga zëvendësuesit e kulloshtrës së përgatitur në shtëpi me të verdha vezësh, bujon mëlçie, etj. Këto zëvendësues të kulloshtrës nuk përmbajnë në asnjë rast antitrupa mbrojtës.

Të ushqyerit e qengjave apo kecave me tub direkt në stomak.

Kulloshtra mundet t’u jepet qengjave apo kecave të porsalindur me tub direkt në stomak kur ata janë shumë të dobët për të kapur dhe thithur natyralisht nga gjiri i nënave të tyre.

Për këtë qëllim mundet të përdoren tuba gome të përshtatshëm (që janë të disponueshëm në treg ose që mundet të përgatiten).

Kujdes! Tubat që janë shumë të mëdhenj mund të shkaktojnë dëmtime traumatike.

Foto 5: Procedura e kalimit të tubit direkt në stomak te qengji.

Për të ushqyer të vegjëlit me tub direkt në stomak, futet tubi butësisht përmes gojës deri në fyt (faring), pastaj po butësisht shtyhet më poshtë në ezofag, duke u kujdesur dhe siguruar se nuk ka shkuar në mushkëri.
Nëse tubi është futur si duhet, ju do të shihni se fryhet ezofagu në pjesën e parë të qafës, pak në të majtë të laringut, madje do të shikoni dhe sesi tubi shkon poshtë përgjatë qafës për në stomak.
Është me rëndësi të ngrohni kulloshtrën në temperaturën e trupit para se ta derdhni atë me shiringë poshtë në stomak nëpërmjet tubit. Asnjëherë kulloshtra të mos mbahet në ngrirje dhe të ngrohet ose të shkrihet në furë me mikrovalë sepse proteinat e rëndësishme të antitrupave do të dëmtohen.
Nëse nuk gjendet kulloshtër ose nuk ka të tillë menjëherë në dispozicion për të ushqyerit e parë pas lindjes, te qengjat apo kecat mund të jepen dhe solucione elektrolitësh pa shtuar proteina. Solucionet e elektrolitëve nuk duhet të vazhdojnë gjatë në kohë, pasi ekziston mundësia që në kafshët e porsalindura të zvogëlohet aftësia e mëvonshme e tyre për të absorbuar proteinat e kulloshtrës.

 

Prof. Dr. Vangjel Ceroni
Departamenti i Lëndëve Klinike, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.

 

Na Ndiqni në: