Free-Photos - www.pixabay.com

Akuariumet në kushtet e shtëpisë

Si prindër na ndodh jo pak herë që të përballemi me një sërë dëshirash e preferencash të fëmijëve dhe jo rrallë na është dashur të “luftojmë” me kërkesat e tyre për të adoptuar një kafshë në shtëpi.

Shpesh arsyet e mosdëshirimit të tyre (kafshëve) në ambientet tona të banimit janë të ndryshme, ku mund të përmendim koha e pamjaftueshme, pamundësia financiare apo ajo infrastrukturore, dembelizmin që na “mbërthen” për shërbimet që duhet t’i ofrohen një “anëtari” të ri në familje, përkujdesjen për ta etj.

Ndoshta këto arsye i përshtaten maceve, qenve, lepujve etj etj por nëse flasim për peshqit, mund të kemi një qasje tjetër, edhe pse për këtë specie gjithashtu nevojitet shërbimi i duhur. Peshqit qëndrojnë në vaskën e tyre, pa zhurmë, kryesisht aktivë në lëvizje dhe nuk kërkojnë shumë gjëra. Ato kërkojnë pak kujdes dhe që konsiston në ushqimin e tyre dhe ndërrimin e ujit në akuarium.

Ata janë të pavejtëdijshëm për bukurinë magjike që ofrojnë. Zakonisht vendosen në një hapësirë të vogël në një kënd të shtëpisë dhe qëndrojnë aty, të ardhur ndoshta nga një cep i detit tropikal apo nga një vend tjetër rritjeje.

Futja e peshqve ekzotikë me qëllim zbukurimin e apartamentet tona, në Evropën e dikurshme ka qenë ide e Markezës së famshme Pompadour, favoritja e Luigjit të VX, që kish marrë si dhuratë disa peshq të kuq dhe që i vendosi në një tip akuariumi në mënyrë që vizitorët e shumtë që vizitonin sallonin e saj, t’i admironin.

Shumë peshq jetojnë në ambiente ujore të ngushta e të vogla dhe rriten lehtësisht. Llojet e peshqve që mund të mbahen në akuariume janë mbi 600 dhe vijnë nga zona të ndryshme të planetit. Llojet më të tregtuara që zbukurojnë akuariumet tona janë rreth 100.

Disa këshilla mbi akuariumet

Në dyqanet e shitjes së peshqve ornamentalë apo dhe në vende të tjera të tregëtimit të tyre, kemi parë lloje të ndryshme të formave të akuariumeve si paralelepiped, kubikë, cilindrikë, të rrumbullakët etj, mjaft që ne të kemi parasysh hapësirën që kemi në mendje për ta vendosur këtë akuarium në shtëpi.

Së pari duhet të dimë që sipërfaqja e ujit që përballet me ajrin duhet të jetë sa më e gjerë sepse kjo bën të mundur mbajtjen mirë të oksigjenimit të ujit të akuariumit, shpesh format e akuariumeve si kuti drejtkëndore me gjatësi jo më pak se 40 cm janë më të përshtatshme.

Së dyti duhet të dimë edhe për temperaturën e ujit, një faktor i rëndësishëm për mirëqënien e peshqve dekorativë. Zakonisht temperaturat e apartamenteve tona për peshqit dekorativë janë të mjaftueshme për shumë nga llojet e peshqve të rritur për qëllime zbukurimi. Për peshqit dekorativë që jetojnë në klimë të zbutur është 23-28 °C ndërsa për peshqit dekorativë tropikalë shkon në 30°C. Për të matur temperaturën e ujit në akuariumin tuaj, mjafton të blini një termometër me imersion.

Oksigjenimi, shpesh frymëmarrja e peshqve është e bazuar në shkëmbimin e gazeve që bëhet tek velëzat. Kështu për të patur një ajrim me të mirë të ujit dhe kushte optimale për vetë peshqit në akuarium, mundohemi që hapësira e kontaktit të ujit të akuariumit me ajrin të jetë sa më e madhe, ose futet një aparat që quhet aerator i cili realizon një ajrim shumë të mire të ujit në akuariume.

 

Dr. Enkelejda Buda
Departamenti i Akuakulturës dhe Peshkimit, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT

Na Ndiqni në: